UBT

Serbisë iu kërkua njohja de facto e Kosovës, çka i bie kjo sipas Daniel Serwer?

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Takimi i dy udhëheqësve të Kosovës e Serbisë me ata europianë në Bruksel nxori në pah për herë të parë kërkesën e tyre ndaj Serbisë që të njohë Kosovën de facto. Palës kosovare iu kërkua që ta themelojë Asociacionin. Këtë kërkesë e përforcoi më shumë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor. “Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën”, tha ajo në Prishtinë, derisa sot gjendet në Beograd për t’ia përsëritur detyrën me të cilën Serbia ngarkohet.

Gazeta Express

Njohja de facto e Kosovës nga ana e Serbisë do të mund të nënkuptonte edhe një dhënie fund të dislokimeve ushtarake të Serbisë që kërcënojnë Kosovën, sipas profesorit të Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer.

Ai i tha Gazetës Express se ndonëse s’e di me siguri, njohja de facto e Serbisë ndaj Kosovës është edhe pranimi i respektimit të Kushtetutës së Kosovës në gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe.

“Mendoj se do të thotë pranim i dokumenteve të Kosovës, diplomave, etj. Duhet të nënkuptojë gjithashtu përfundimin e dislokimeve ushtarake që kërcënojnë Kosovën dhe pranimin e Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, duke përfshirë veriun, si dhe pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare pa bërë opozitë pala serbe”, thotë ai.

Me pranimin de facto të pavarësisë nga Serbia, Kosova shpreson të sigurojë ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por, për këtë nuk është shumë optimist Serwer.

“Deri më tani, përgjigjja e Vuçiqit ka qenë e qartë “jo””, tha Serwer.

Profesori amerikan nuk mendon që Serbia do të pranojë kërkesën e Perëndimit për të njohur Kosovën de facto.

ARKATANA

“Serbia e dëshiron Asociacionin pa asnjë lëshim ndaj Kosovës”, thotë ai.

Çka tha von der Leyen në Prishtinë?

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e KE-së tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët europianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha von der Leyen.

Pesëshja perëndimore, që më 21 tetor erdhën në Prishtinë e më pas shkuan në Beograd, prunë një propozim për draft-statutin e Asociacionit, të cilin e quajtën “model europian”.

Këtë propozim e diskutuan në Bruksel në takime të ndara kryeministri Albin Kurti e presidenti serb Aleksandar Vuçiq me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Giorga Meloni, si dhe ndërmjetësit shefi i politikës së jashtë të BE-së, Josep Borrell e emisari i dialogut, Miroslav Lajçak.

Këta dolën me një deklaratë të përbashkët përmes së cilës treguan se çka presin nga Kosova e Serbia në procesin e nisur për normalizimin e marrëdhënieve.

“Për të arritur përparim të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, u tha në komunikatë.