Serbia të ndëshkohet për krimet në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Kosovës i duhet mbështetja për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa për t’i dhënë fund kulturës së mosndëshkimit, sipas saj, është e nevojshme një qasje rajonale për të gjetur mënyrën që edhe Serbia të fillojë të merret me krimet e këtij lloji në të kaluarën.
Këtë deklaratë presidentja e Kosovës e bëri gjatë një takimi që zhvilloi në Londër me sekretarin e jashtëm të Britanisë së Madhe, William Hague. Ky i fundit organizoi Samitin Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale gjatë konfliktit ku ishte e pranishme dhe Jahjaga.
Presidentja kosovare e përgëzoi sekretarin Hague për suksesin e Samitit Global dhe për përfshirjen e Kosovës në përpjekjen e përbashkët ndërkombëtare për të parandaluar dhunën seksuale.
Ajo e falënderoi sekretarin Hague edhe për mbështetjen që i ka dhënë Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe theksoi se dokumentet ndërkombëtare, posaçërisht Protokolli Ndërkombëtar i nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit e Samitit në Londër, do të jenë dokumente të rëndësishme që ndihmojnë në parandalimin e dhunës seksuale si mjet të luftës kudo në botë.
Presidentja Jahjaga tha se për Kosovën kjo ka rëndësi të madhe, sepse deri më sot nuk ka pasur asnjë rast të dënimit për përdhunime gjatë konfliktit. Presidentja e njoftoi sekretarin britanik edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe perspektivën evropiane të saj, ndërsa tha se marrëveshjet e arritura me Serbinë duhet të përmbushen në tërësi.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë ndërtimit të shtetit të së drejtës, ku sundon rendi dhe ligji.
Sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, tha se Londra zyrtare e ka mbështetur fuqishëm krijimin e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si një mekanizëm që ndihmon viktimat e kësaj dhune. Ai tha se i jep mbështetje të plotë Kosovës në trajtimin e çështjes së dhunës seksuale gjatë luftës, edhe përmes dërgimit të ekspertëve dhe trajnuesve që do të punojnë me ekipet profesionale në Kosovë.
Ndryshe, Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e përmbylljes së punimeve të Samitit Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, i cili i zhvilloi punimet nga 10-13 qershor në Londër.
Samiti Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, si samiti më i madh ndërkombëtar i mbajtur ndonjëherë për këtë çështje, i organizua nga Sekretari Hague dhe Përfaqësuesja Speciale e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Angelina Jolie.
Në Samit mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, përfaqësues nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ministra të jashtëm të vendeve të ndryshme dhe përfaqësues të lartë nga e gjithë bota.
Gjatë ditës së djeshme, presidentja Jahjaga iu drejtua Samitit me një fjalim, i cili u mirëprit nga të pranishmit. Në ceremoninë e përmbylljes së punimeve të Samitit ishte i pranishëm edhe sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry./zeri/


