Fundamenti

Serbia duhet të kushtëzohet edhe me pikat kufitare kontestuese në Anamoravë

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Selver Lenjani përfaqësues nga Karaqeva thotë se do të ishte e pafalshme nëse delegacioni i Kosovës nuk e ka prioritet dhe nuk e trajton problemin e vijës kufitare në Karaqevë. Vija kufitare duhet të jetë kushtëzimi i radhës për Serbinë thotë Lenjani.

Delegacioni kosovar që pritet të nisë bisedimet me Serbinë do të ketë shumë presione e kërkesa edhe nga shoqëria civile e qytetarët e saj. Njëra nga çështjet e ndjeshme që delegacioni pritet ta bisedojë me delegacionin serb padyshim është edhe vija kufitare.

Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë thotë për rajonipress se do të ishte e pafalshme nëse delegacioni i Kosovës nuk e ka prioritet dhe nuk e trajton problemin e vijës kufitare në Karaqevë. “Vija kufitare duhet të jetë kushtëzimi i radhës për Serbinë”thotë Lenjani.

Sipas Lenjanit nëse kësaj radhe nuk precizohet vija kufitare dhe nëse edhe kësaj radhe nuk kushtëzohet Serbia që të heq dorë nga pretendimi i saj territorial për t`ia gllabëruar mbi 400 hektar tokë e pasuri Kosovës atëherë ky vend-Karaqeva do të shndërrohet në konflikt të përhershëm dhe vend që do të përshkruhet me dhunë e ndërhyrje të xhandarmërisë serbe në brendi të territorit të Kosovës.

Mobi Casa

Lenjani është i brengosur për faktin se asnjë burrështetas , asnjë qeveritar apo delegacion i nivelit të lartë nuk e ka vizituar pikën kontestuese në Karaqevë. “Ne e kemi thënë disa herë se Karaqeva nuk është problem lokal, po është çështje madhore dhe kombëtare sepse të gjitha dokumentet dhe vijat kadastrale janë në favor të Kosovës dhe ato dokumente duhet të shpalosen edhe para ndërkombëtarëve” mendon Lenjani.

Por ndryshe mendojnë pjesa e elitës universitare. Flamur Hyseni profesor i së drejtës kushtetuese thotë për rajonipress se duke analizuar rrjedhën e procesit te bisedimeve deri tani, nga faza e bisedimeve teknike dhe tani të atyre politike në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse agjenda e plotë e këtyre bisedimeve nuk dihet saktësisht për opinionin dhe nëse këtyre bisedimeve në agjendë do t`i shtohet edhe bisedimi për çështjen e kufijve të Kosovës, përpos veriut dhe menaxhimit të përbashkët të kufijve – IBM, mendojë se pala kosovare në bisedime me Serbinë duhet ta ngris edhe këtë çështje, por do ta ketë të vështirë të has në përkrahje të faktorit ndërkombëtar.

“Ngritja e kësaj çështje nga pala kosovare, çështja e vijës kufitare në Karaqevë dhe Zahiraj, mendojë se duhet të ngritet fillimisht si shqetësim, kur dihet se disa herë kemi pasur provokime dhe mos respektim të kësaj vije kufitare nga ana e shtetit serb dhe si pasojë kemi pasur hyrjen e forcave ushtarake serbe në territor të Kosovës. Këtë situatë e bënë disi të pa parashikueshme edhe fakti se faktori politik shqiptar i Luginës kërkon të përfshihet në bisedimet politike Kosovë – Serbi dhe në këtë aspekt pala kosovare do ta ketë të vështirë të kërkojë futjen në agjendë të bisedimeve çështjen e vijës kufitare të Karaqevës dhe Zahirajve, kur dihet se tanimë qarkullon edhe si mundësi modeli i shkëmbimit të territoreve dhe ai i ashtuquajtur si model i dy gjermanive” mendon Hyseni.
Hyseni thotë se në këtë aspekt pala kosovare do të jetë mjaft e sfiduar dhe hapja e çështjes së kësaj vije kufitare do të nënkuptonte edhe hapje të një çështje të re dhe “problemi” të ri.

“Shikuar nga aspekti politik i brendshëm, çështja e kësaj vije kufitare do të duhej të bisedohej me palën serbe edhe në këto bisedime që do të pasojnë në ditët dhe muajt në vijim, por shikuar në aspektin e politikës ndërkombëtare nuk mendojë se duhet hapur si çështje, sepse do të ngarkohej agjenda e bisedimeve politike. Edhe sipas parimeve të Grupit të kontaktit çështja e kufijve të Kosovës është e mbyllur dhe e pa negociueshme. Pavarësia e Kosovës nga shtetet e forta në krye me SHBA-të kanë njohur Kosovën shtet me këta kufi” tha Hyseni./rajonipress/