Serbët që nuk kanë vend në “Luginën e Diellit”
Të gjithë ata serbë që kanë shitur pronat e veta anekënd Kosovës nuk do të mundë të konkurrojnë për t’u kthyer dhe për të jetuar në vendbanimin “Lugina e Diellit”, ndërtimi i të cilit tashmë ka filluar. Kështu ka thënë Ivan Teodosijeviq, kryetar i Organit të Përkohshëm i Zveçanit, në një prononcim për mediet në veri, në prag të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të komunës së Zveçanit.
Ky projekt, i cili parasheh ndërtimin e 300 shtëpive për 1500 serbë nga Serbia, bashkë edhe me projektin për ndërtimin e dy pishinave me ujin termal burimor të Banjskes, si dhe ndërtimin e ujësjellësit rajonal për veriun, janë projektet më të mëdha dhe më të kushtueshme, të cilat i ka mbështetur Republika e Serbisë, në komunën e Zveçanit.
Teodosijeviq, ka thënë se aktualisht në komunën e Zveçanit ka 4 mijë persona të zhvendosur si dhe 250 refugjatë të Kroacisë. “Jemi dëshmitarë se viteve të kaluara kemi ndërtuar lagje për të kthyerit gjithandej Kosovës e Metohisë, por asnjë projekt nuk ka qenë i qëndrueshëm, sepse asnjë vendbanim nuk ka pasur shkollën, kopshtin e fëmijëve, ato nuk kanë qenë të sigurta, shtëpitë janë djegur dhe janë plaçkitur. Sa i përket ‘Luginës së Diellit’, të gjitha këto aspekte do të jenë të siguruara, edhe ekonomikisht edhe në aspektin e sigurisë. Deri në vitin e ardhshëm punët të cilat janë në vlugun më të madh do të përfundojnë. Aty do të ndërtohen 300 shtëpi për 1500 të kthyer serbë”, ka thënë Teodosijeviq.


