Uji Dea

Senatorja Shaheen: Tragjedia e së dielës në Kosovë nënvizon rrezikun e mosveprimit politik

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Anëtarja e lartë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja Jeanne Shaheen, e ka dënuar sulmin terrorist ndaj policisë, që ndodhi në orët e para të 24 shtatorit në fshatin Banjskë ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Ajo këtë sulm e cilësoi si brutal dhe kërkoi që autorët të dalin para drejtësisë.

Senatorja shprehu keqardhjen e saj të thellë për vdekjen e rreshterit të policisë së Kosovës.

UBT

Jeanne Shaheen, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se zhvillimet ishin pasojë e ngërçit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është për të ardhur jashtëzakonisht keq që Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Kurti vazhdojnë të refuzojnë të tregojnë gadishmëri për t’u angazhuar për zgjidhje të qendrueshme. Tragjedia e së dielës nënvizon rrezikun e vërtetë të mosveprimit – nuk mund të lejojmë që jetë të pafajshme të paguajnë çmimin e paralizës politike”, tha ajo.

Senatorja Shaheen iu bëri thirrje dy udhëheqësve që të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, t’u japin përparësi përpjekjeve diplomatike për të shmangur dhunën e mëtejshme dhe që pa vonesë t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.