Senatori Murphy: Sulmi në Banjskë ishte i mirëkoordinuar, kishte qëllim provokimin e një konflikti më të gjerë
Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili ka qenë për vizitë disa herë në Kosovë, ka thënë se ata që kanë vrarë rreshterin kosovar, Afrim Bunjaku, duhet të mbahen përgjegjës, shkruan Gazeta Express.
Murphy ka thënë se pasojat e sulmit të 24 shtatorit kanë mundur të jenë katastrofale, duke potencuar se armatimi i rëndë që është përdorur tregon se ka qenë një sulm i mirë-koordinuar dhe që ka synuar qëllimshëm të provokojë një konflikt më të gjerë, shkruan Gazeta Express.
Senatori amerikan ka thënë se është i shqetësuar që lirimi i Milan Radojiçiqit nga Serbia, i cili edhe ka pranuar se qëndron prapa 24 shtatorit, do të rris tensionet edhe më tej në mes të Serbisë dhe Kosovës, dhe do të minojë edhe përpjekjet për implementimin e plotë të obligimeve që palët kanë marrë nga Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Brukseli.
“Vuçiq duhet të marrë hapa të menjëhershëm për de-eskalim dhe të sigurohet që do të ketë llogaridhënie për këtë akt qyqar”, ka shkruar Murphy./GazetaExpress/