Uji Dea

Senatori Menendez: Kosovës po i bëhet presion, por jo edhe Serbisë

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo të gjitha palët po dialogojnë në mirëbesim.

Gjatë një seance të këtij komiteti, ku do të raportojnë këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Menendez tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht është deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Senatori amerikan tha se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, duke shtuar se Vuçiq po vazhdon të përqafojë narrativë nacionaliste, sikurse ideja për “Serbinë e Madhe” , ashtu siç presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtyn përpara idenë për “Rusinë e Madhe”.

“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.

Mobi Casa

Chollet, gjatë fjalës hyrëse tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ato paraqesin sfidën kryesore në këtë rajon. Chollet përsëriti se rruga evropiane e të dyja shteteve nuk mund të ndodhë, nëse ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet vete.

Marrëveshja e Ohrit, sipas Chollet, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se SHBA-ja vazhdon t’i inkurajojë palët që t’i zbatojnë zotimet e tyre./REL