Eko Higjiena

Selmani: Shumë skandale kanë ndodhur nëpër Ministri…

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Kosova gjendet në një gjendje shumë të keqe ekonomike. Qeveria e ardhshme duhet të ketë njerëz që kanë synim zhvillimin ekonomik. Si President apo Kryeministër, Behgjet Pacolli punon vetëm për të mirë e Kosovës. Shumë Ministra është dashur të ecin në shtëpi për shkak të skandaleve. Grupi joformal i grave deputete nuk duhet të merret me çështje të imta. Shefja e Grupit Parlamentar të AKR’së, Myzejene Selmani flet për Express.

Express: Ku ndodhet AKR’ja pesë muaj para zgjedhjeve nacionale?
M. Selmani: AKR është në procesin më të rëndësishëm në përmbajtjen e Këshillit Drejtues, në të cilin do të dalin organet e reja të partisë. Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues është një aktivitet shumë i dendur nëpër Degë të partisë. Aty ku nuk ka pasur sukses ose s’ka pasur rezultate të mira janë duke u afruar njerëz të rinj që të kemi struktura më të forta për zgjedhjet nacionale.

Express: Pse po largohen njerëzit prej AKR’së si në mandatin e parë, ashtu edhe në të dytin, kemi parë deputetë që e kanë braktisur Pacollin?

M. Selmani: Është e vërtetë se janë larguar, mirëpo, në demokraci gjithçka duhet të jetë e përballueshme dhe e pranueshme për arsye se dikush në politikë ka hyrë me mendime krejt tjera dhe gjatë punës së AKR’së e kanë parë se nuk janë në programin paraprak të AKR’së dhe për këtë arsye ndoshta shihet edhe largimi i tyre prej Grupit Parlamentar të AKR’së.

Express: Aktualisht Grupit Parlamentar të AKR’së i mungon edhe një deputet pasi Ukë Rugova ndodhet në araburgim…
M. Selmani: AKR’së nuk i mungon një deputet për shkak se brenda grupit të AKR’së janë tri deputete, plus dy të Partisë së Drejtësisë dhe janë dy deputetë tjerë minoritarë. Rasti specifik i Ukë Rugovës dhe më vjen shumë rëndë të flas për këtë sepse në kohën kur është arrestuar kam qenë në SHBA. Dhe, nuk është e rrugës që të flas unë kur një deputet i Grupit Parlamentar përballetme drejtësinë.

Express: A do të jetë Pacolli kandidat për Kryeministër nga AKR’ja pasi më herët ka synuar vetëm pozitën e Presidentit?
M. Selmani: Të them të drejtën, Kosova në historinë e vetë njeh një President 35 ditësh me një punë intensive të tij. Ai për 35 ditë ka arritur të japë një pasqyrë krejt tjetër për Kosovën. Dhe, çështjet që të jetë President i Kosovës është në favor të qytetarëve të Kosovës dhe në favor. Ku do të jetë z. Pacolli, Kryeministër apo President, Kosova përfiton prej tij. Dihet se për dy mandate brenda Kuvendit dhe Qeverisë nuk merr asnjë cent prej buxhetit të Kosovës, por vetëm jep paratë për këtë shtet.

Express: Kur ishte bërë Pacolli President shiheni në një foto duke u përqafuar me te dhe duke u përlotur. A jeni mërzitur kur e ka lënë pozitën e Presidentit?
M. Selmani: Ndoshta kanë qenë lotët e gëzimit që Kosova më në fund zgjodhi një President, i cili do të punoi për qytetarët e Kosovës. Mirëpo, vendimi politik i Gjykatës Kushtetuese, në vend të shpërndarjes së Kuvendit, ai thotë se z. Pacolli është zgjedhur në shpërputhje me Rregulloren e Kuvendit.Çështja e moskandidimit të z. Pacolli për mua ka qenë shumë e rëndë sepse unë e kam ditur se z. Pacolli është i vetmi person pas Presidentit Rugova që kishte mundur të ishte në atë fytyrën e liderit do të mundte të përfaqësonte një unitet të të gjithë qytetarëve dhe do t’i sillte Kosova të mira.

Express: Pse s’po e përkrahni mocionin e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë?

M. Selmani: Të them shumë drejt se çështja e rrëzimit të Qeverisë në momentin e tanishëm nga AAK’ja më është dukur më shumë çështje elektorale. Një çështje që në efekt kanë dashur të bëjnë një veprim të tillë. Pas kthimit të z. Haradinaj nga Haga si i pafajshëm që të gjithë jemi gëzuar dhe deklarimi pastaj i tij se dëshiron të rinisë punën aty ku e ka lënë, të lë të kuptosh se nuk është në linjat e politikës çfarë duhet të ndodh në Kosovë. Kryeministri është zgjedhur nga partia që ka fituar më së shumti vota. Ardhja e tij nga Haga dhe deklarimi i menjëhershëm se do të hyjë në koalicion dhe në Qeveri ka qenë joetike.

Express: Dikush po e krahason nismën e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë me nismën e AKR’së për rrëzimin e Qeverisë Thaçi I?

M. Selmani: Kjo nuk mund të krahasohet me kohën kur AKR’ja kishte iniciuar rrëzimin e Qeverisë për shkak se në atë kohë ka pasur vakuum të institucioneve, ku LDK’ja që ishte pjesë e Qeverisë braktisi institucionet dhe la vendin në shumë dikastere.

Express: Si është duke funksionuar aktualisht Kuvendi i Kosovës?
M. Selmani: Është duke zhvilluar puna pothuajse normalisht në një vit zgjedhor. Pra, është duke u punuar me një intensitet më të vogël e me një fushatë më të madhe. Të gjitha partitë që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe gjithë deputetët po shihet se më shumë janë duke bërë fushatë se sa duke u marrë me çështje thelbësore me të cilat përballet qytetari i Kosovës.

Express: A i njihni ju të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës?
M. Selmani: Nuk mundem të them në total se mund t’i njohë të gjithë deputetët emër për emër. Për mua është mandati i dytë brenda Kuvendit të Kosovës dhe në kujtesën e deputetit mbetet ai deputet që ngritë ndonjë çështje të rëndësishme, i cili diskuton për problemet e qytetarëve.

Fundamenti

Express: A jeni pjesë e Grupit joformal të grave deputete?
M. Selmani: Thuhet se të gjithë gratë e Kuvendit janë pjesë e Grupit Joformal.

Express: Çka ka bërë ky Grup i Grave?
M. Selmani: Ato janë munduar të ngritin disa çështje. Esenca është që ato nuk duhet të quhen grup joformal i grave. Ato duhet të quhen Grupi i grave deputete se nuk ka grup joformal, ku dihet se të gjitha deputetet marrin votat nga qytetarët.

Express: A kanë bërë diçka ato?
M. Selmani: Janë munduar të ngritin disa çështje. Çështjen e një aparature për të cilën kanë marrë edhedonacione prej disa ambasadave. Në fakt, ka shumë probleme Kosova dhe jo vetëm gratë deputete, por të gjithë duhet të punojmë me një intensitet më të shtuar për arsye se problemet e qytetarëve janë shumë të mëdha.

Express: Ato edhe kanë planifikuar të reagojnë për një anketë që është bërë në Gazetën Express?

M. Selmani: Çështja e asaj ankete gazetareske është çështje e tyre.

Express: Pse nuk reaguat?
M. Selmani: T’ju them të drejtën nuk kam dëshirë të merrem me çështje të imta. Esenca për mua si deputete në dy mandate është që të punoj për të përmirësuar jetën e qetarëve. Është çështje më shumë e këtij grupi joformal dhe më të thënë të drejtën nuk merrem shumë me këtë çështje. Ajo është e drejtë autoriale e një webfaqeje. Nuk është e drejtë e imja. Unë e kam parë atë anketë se cila është politikania më e bukur. E thash edhe më herët, ne s’jemi për sfilatë të modës, por jemi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për t’i zgjidhur problemet e shumta të tyre.

Express: Cili është vlerësimi juaj për deputetët e këtij mandati?
M. Selmani: Unë jam deputete në mandatin e dytë dhe deputetët e kësaj legjislature janë ata që kanë ardhur me votën e qytetarëve. Esenca është që subjektet politike të shtinë në lista njerëz që përfaqësojnë denjësisht votën e qytetarit. Nga shumë analiza të OJQ’ve të ndryshme thuhet se kjo legjislaturë është me deputetë jokualitativ, ai është mendim i tyre, por janë votuesit që do të ndëshkojnë ose do t’iu japin përsëri mandatin në zgjedhjet e ardhshme.

Express: A do të duhej të shkarkohej ndonjë Ministër për skandalet që kanë ndodhur në Qeveri?
M. Selmani: Shumë skandale kanë ndodhur, po e them shumë hapur, mirëpo, çështja e shkuarjes së Ministrave nga posti i Ministrit është e drejtë e Kryeministrit. Për mua një person mund të quhet i korruptuar nëse skandalet dhe aferat e tij nxjerrën, hetohen, gjykohen dhe vendoset me një vendim të plotfuqishëm. Përgjegjësia morale mbetet çështja e secilit dhe do të duhej të ishte normë në politikë. Po e them hapur se është dashur të shkojnë Ministra për çështje të skandaleve që kanë ndodhur brenda Ministrive të tyre. Nuk do të flas me emra. Nëse ju kujtohet në kohën e UNMIK’ut Fatmir Rexhepi, edhe pse s’ka pasur përgjegjësi, ka dhënë dorëheqje morale. Dhe, nëse të ndodh ndonjë skandal brenda Ministrisë që e drejton normalisht se do të duhej të jepte dorëheqje secili Ministër.

Express: A prisni ta kaloni pragun zgjedhor?
M. Selmani: Nuk diskutoj për prag. Po e them se AKR do të kthehet në kuotat ku ka qenë në vitin 2007. Me emra nuk do të flas. Janë emra të rinj, të shkolluar, figura të reja dhe nga strukturat e partisë. Në zgjedhjet e këtij viti keni pa zonjën Mimoza Kusari, Agim Bahtirin.

Express: Me cilën parti do të bëni koalicion pas zgjedhjeve?
M. Selmani: AKR është parti liberale e qendrës së djathtë dhe mund të bashkëpunojmë me ato parti të cilat kanë synim zhvillimin ekomomik të Kosovës. Do të bëjmë koalicion me atë parti e cila i vendos njerëzit më të mirë në Qeveri që kanë vullnet me i shty proceset përpara. Kosova gjendet në një gjendje shumë të keqe ekonomike.

Express: Por, kur e ka sjell Kosovën në këtë gjendje të keqe ekonomike?
M. Selmani: Kosova ende në periudhën e tranzicionit dhe janë politikat jo të mirëfillta në fushën e zhvillimit ekonomik.

Express: Çka ka bërë AKR qe tri vite në Qeveri qe s’ka ndryshuar asgjë në këtë aspekt?
M. Selmani: AKR ka ndryshuar shumëçka. z. Pacolli ka qenë bartës i ndryshimeve edhe në kohën e opozitës, edhe në pozitë. Nga pozicioni i Zëvendëskryeministrit të Parë ka sjell një numër të madhe të njohjeve, ku me atë numër të madh të njohjeve e ka forcuar shtetin e Kosovës. Nuk e ka forcuar AKR’në, ndërsa e ka forcu shtetin e Kosovës. Zonja Kusari-Lila e ka ranguar Kosovën në top agjendat e të bërit biznes në Bankën Botërore. Ndërsa, z. Makolli ka një bashkëpunim dhe një regjistrim të diasporës, e cila e ka mbajtur Kosovën para luftës, gjatë luftës, dhe pas luftës. z. Fadil Ismajli është duke punuar që të jetë një Ministër që t’i ndryshoi politikat zhvillimore. Tash, besoj se në këtë periudhë kohore që ka mbetur AKR del nga Qeveria me Ministrat të suksesshëm që kanë punuar në procesin e ndryshimeve pozitive.

Express: A do të kandidoni përsëri për deputete?
M. Selmani: Më mirë kjo pyetje do të duhej t’i bëhej elektoratit tim. Po, unë do të kandidoj përsëri për deputete. Besoj se gjatë dy mandateve kam dhënë shumë dhe e kam arsyetuar votën që ma kanë dhënë qytetarët e Kosovës.