Selmanaj: Në planin e BE-së nuk është referencë Kushtetuta e Kosovës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, duke folur për planin e Bashkimit Evropian (BE), për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka thënë se për herë të parë nuk është referencë Kushtetuta e Kosovës.
“Ky është dokumenti i vetëm ndoshta ose ndër më të rrallët në raport me Serbinë që për herë të parë nuk janë referencë në asnjë paragrafë Ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Por, analisti Dardan Gashi i është kundërpërgjigjur se kjo nuk është e vërtetë pasi sipas tij, në planin evropian flitet për njohjen e integritetit territorial dhe për njohjen e ligjshmërive.
Po ashtu, Selmanaj ka thënë se LDK-ja është kundër mënyrës se si është menaxhuar procesi i dialogut nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, Selmanaj ka deklaruar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se, sipas tij, nuk janë kundër formimit të tij.
Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, ka renditur përfitimet që ka Kosova nga marrëveshja me Serbinë në bazë të planit evropian.
Sipas tij, në planin evropian ka një sërë kriteresh që Shtetet e Bashkuara mendojnë se janë shumë në interes të Kosovës, dhe se kjo paraqet ujdinë më të mirë që është e mundur në këtë moment, për ta çuar përpara çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Aty janë një varg gjërash që ne mendojmë se janë shumë në interes të Kosovës: referenca për paprekshmërinë e kufijve, respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen e pakicave kombëtare, pajtimin për të zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, zotimet se palët do t’i njohin dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e veturave, vulat doganore, që do të udhëhiqen nga parimet, siç janë sovraniteti dhe barazia e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta për vetëvendosje, mbrojtja e të drejtave të njeriut, mosmarrëveshjet do të zgjidhen me mjete paqësore, e jo përmes kërcënimeve apo përdorimit të forcës”, ka treguar ambasadori Hovenier, gjatë intervistës në Dukagjini.