RCCOLA

Selimi, për raportin e Williamsonit: UÇK të trajtohet ndaras

/ 2 minuta lexim

Rexhep Selimi, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe paraqitësi i saj i parë publik, thotë se kjo forcë ushtarake asnjëherë nuk e ka pasur qëllim dhe as aktivitet krimin.

Këto komente deputeti i Vetëvendosjes i ka bërë duke folur në Politiko.net për Raportin e Prokurorit Amerikan Clint Williamson, i cili gjatë javës ka bërë publike të dhënat e para të një hetimi të Task Forcës së BE-së lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

“Krimi është krim kurdo dhe kudo që ka ndodhur. Asnjëherë krimi nuk mund dhe nuk duhet të tentohet të fshihet, por as të implantohet aty ku nuk ekziston”, thotë Selimi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk e ka pasur as qëllim, as planifikim, e as aktivitet asnjëherë asnjë lloj krimi. UÇK duhet të trajtohet ndaras gjithçkaje që s’ka të bëjë me të, ndaras çfarëdo aktiviteti që s’ka të bëjë me qëllimin e saj, e po ashtu ndaras cilitdo individ, qoftë brenda, përreth apo edhe jashtë saj”, ka deklaruar Selimi për Politiko.net.

Clint Williamson ka paralajmëruar se nga të gjeturat e tij do të ketë aktakuzë për drejtues të lartë të UÇK-së. Madje, ka thënë se sikur të kishte një Gjykatë të krijuar, do të ishin në gjendje qysh tash të ngrehin aktakuzat.

RCCOLA

Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale, e cila pritet të vendoset në Holandë, mirëpo deputetët e legjislacionit të ri do të duhet të aprovojnë procedurat për ndryshimin e Kushtetutës lidhur me të njëjtën çështje.

Selimi thotë se Parlamenti i Kosovës e ka bërë një gjë të tillë tashmë.

“Në legjislaturën e kaluar është miratuar themelimi i këtij Tribunali. Ne kemi votuar kundër, por vota jone kundër ka qene e pamjaftueshme për ta parandaluar një gjë të tillë, për shkak se të gjitha subjektet tjera, me përjashtim te disa deputetëve të veçantë, e patën miratuar”, ka thënë Selimi. /Politiko/