Selenko: Jam i impresionuar me arritjet e UBT-së
Prof. dr. Engelbert Selenko, nga Austria, në një intervistë të shkurtër për Informatorin (buletin për ANV-në) ka thënë të jetë i impresionuar për faktin se sa herë që vjen në UBT vëren ndryshime pozitive. Suksesin ia atribuon rektorit të UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, për të cilin thotë se, si i shkolluar në Austri, e ka kuptuar atë që është e mirë në sistemin austriak dhe e ka sjellë brenda shoqërisë kosovare.
UBT: Profesor Selenko, cila është përshtypja juaj për ANV-në?
Profesori Selenko: Kam marrë pjesë rregullisht në këtë organizim dhe organizime të tjera të UBT-së. Ka 15 vjet që vij, ndërsa për çdo vit e shoh një rritje të numrit të studentëve të interesuar. Kemi filluar me 5-8 studentë, kurse sivjet, e kuptova që unë jam vetëm një pjesë e kësaj akademie. Në të njëjtin kohë janë edhe 14 programe të tjera që po organizojnë ligjërata të këtij lloji. Vetëm në programin që po ligjëroj unë gjatë këtyre ditëve janë rreth 80 studentë pjesëmarrës. Studentët e kanë mundësinë që të mësojnë se çfarë është e rëndësishme në jetën e tyre praktike. Përmirësimet më të mëdha që i kam parë në këto 15 vjet dhe gjatë viteve të organizmit të Akademisë, kam vërejtur se UBT-ja shërben si një shembull shumë i mirë për studentët. Përmirësimet më të mëdha i kam vërejtur nga vizitat e realizuara nëpër ndërmarrjet brenda territorit të Kosovës. Në këtë mënyrë shembujt e mirë të planeve dhe aktiviteteve biznesore u prezantohen studentëve, kurse ata marrin ide, shembuj, si dhe mësojnë nga udhëheqësit përkatës për rrugën e zhvillimit të ndërmarrjeve përkatëse. Kjo është mënyra më e mirë që t’ua prezantosh studentëve aspektin praktik, që duhet ta mësojnë gjatë studimeve.
UBT: Po thoni se ndihmojnë shumë vizitat në ndërmarrje, pse?
Profesori Selenko: Është një kombinim mes punës praktike dhe studimeve akademike, sistem ky i ngjashëm me atë në Austri dhe quhet “sistem dual i edukimit”. Në njërën anë, studentët po trajnohen për punë në kompani e në anën tjetër, po e marrin mësimin fillestar nëpër shkolla, universitete dhe nëpër sisteme edukative. Sistemi austriak përdoret nëpër shumë institucione arsimore, në vende të ndryshme të botës, kurse Kosova po e përdorë këtë sistem për më tepër se 15 vjet dhe kjo dëshmon që në disa aspekte, Kosova është në epërsi, krahasuar me disa vende të tjera. Kjo ka shumë lidhshmëri edhe me faktin se rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi i ka mbaruar studimet në Austri. Në këtë mënyrë ai e ka kuptuar atë që është e mirë në sistemin austriak, prandaj e ka sjellë atë brenda shoqërisë kosovare dhe mendoj që në Kosovë ka pasur sukses tashti e 15 vite, që prej kur edhe ekziston UBT-ja.
UBT: A konsideroni se studentët ishin aktiv në ndërvperim brenda ANV-së?
Profesori Selenko: Ideja dhe qëllimi kryesor i kësaj akademie është që të rrisim interesimin e studentëve, në mënyrë që ata të jenë kureshtarë dhe të pyesin sa më shumë. Gjatë studimeve akademike, profesorët dalin përballë studentëve, ligjërojnë për temën që e kanë në plan dhe kalojnë nëpër pikat kryesore që duhet trajtuar. Por, ideja e akademisë është që studentët të bëjnë pyetje për çdo gjë që kanë interesim. E mira e kësaj akademie është që përgjegjësitë akademike të studentëve, thuajse kanë përfunduar, kurse kjo paraqet majën më të lartë të vitit akademik për studentët. Kjo do të thotë që ata nuk janë në fazën stresuese të mësimit dhe përgatitjes për provime. Ata janë më të relaksuar, por edhe më të aftë për të bërë pyetje, sepse kanë njohuri paraprake. Në fillim të kësaj jave, studentët nuk më kanë njohur dhe as unë nuk i kam njohur ata , kurse në fund të javës ata tashmë e dinë se kush jam unë dhe në çfarë lënde mund të më parashtrojnë pyetje. Mund të them se jam i kënaqur me interesimin dhe aktivitetin e tyre gjatë ligjëratave të mia.
UBT: Si jeni pritur nga organizatorët dhe kolegët në UBT?
Profesori Selenko: Para se të vija këtu, i kam parë arritjet e UBT-së dhe jam impresionuar nga ajo që kam parë. Prandaj vendosa që ta mbështes UBT-në gjatë kësaj akademie. Kjo do të thotë që për gjithçka që jam në gjendje të kontribuoj, jam i lumtur ta bëj. UBT-ja më ka pritur shumë mirë, duke përfshirë profesorët, administratën, stafin, si dhe studentët, sepse është një ndjenjë shumë e mirë kur ata e kuptojnë që unë nuk jam ai që i pyes për ta përmbushur një detyrë të provimit. Unë jam këtu për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të studentëve, të cilat janë të lidhura me punën praktike që ata kanë për ta bërë pas studimeve.
Mendoj që kjo akademi është fitimprurëse për të gjithë, kurse personalisht gjatë këtyre ligjëratave të mbajtura në kuadër të ANV-së, jam munduar që t’u shpjegoj studentëve të MBE-së mënyrën e të bërit biznes, duke e përfshirë edhe mënyrën se si bëhen biznes-planet dhe se si të fillohet, gjithmonë duke u nisur nga ideja se çfarë i duhet një vendi, si dhe mënyrën se si të kthehet një ide në aktivitet biznesor, kjo ka kuptim sepse shteti, UBT-ja dhe shoqëria, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Austri dhe në vendet tjera. Shteti dhe shoqëri janë të interesuar që t’i lënë njerëzit e vet të ndërtojnë atë që u duhet, gjithmonë duke e bërë këtë punë në bashkëpunim me të tjerët, çoftë me njerëzit apo edhe vendet tjera, por asnjëherë vetëm./fatbardhë kinina/rajonipress/


