RCCOLA

Selektori Mitat Ferati, optimist në udhëtimin në Greqi me kombëtaren u17 në hendboll

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në prag të grumbullimit të kombëtares U17 në hendboll, Mitat Ferati, përzgjedhës i kësaj kombëtareje ka deklaruar se do të përpiqen që të përgatiten sa më mirë dhe që t’a përfaqësojnë denjësisht Kosovën në Kampionatin e 16-të Mesdhetar që mbahet në Greqi prej 26 shkurtit deri më 5 mars.

Kryetrajneri i Kombëtares U17, Mitat Ferati, më herët ka shpallur listën e lojtareve në të cilat llogaritë. Mesdhetari vlerësohet garë e fortë, ku do të marrin pjesë ekipe si Algjeria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Rumania, Spanja, Tunizia dhe Turqia.

Ferati që ka suksese në Zvicër si trajner, beson se do të bëjnë befasi në ndeshjet që do të zhvillohen në Greqi dhe para kësaj, ai ka thënë se do të përgatiten në Gjakovë. “Kemi lojtare të talentuara, nëntë lojtare janë nga diaspora, por edhe vajzat e Kosovës kanë talent. Në Argos besojmë se gjenerata e U17 do të bëjë befasinë do të përballemi me kombëtare të forta. E dimë se përballë do të kemi superfuqi të hendbollit si Kroacia, Spanja e shtete të tjera, por ne besojmë në forcën tonë, besojmë në cilësinë tonë, kemi përkrahjen e federatës dhe tri herë jemi grumbulluar, kemi bërë planet dhe programin, andaj besojmë në suksesin e ekipeve tona”, ka thënë Mitat Ferati, selektor i Kosovës në hendboll për grupmoshat U17.

Fundamenti

Ai është i bindur se nuk do të ketë pengesa të natyrës së pjesëmarrjes, ngase deri më tashti gjithçka është sqaruar lidhur me këtë çështje dhe asgjë nuk mund t’a pengojë Kosovën që të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe të hendbollit.

Mitat Ferati, përzgjedhës i Kosovës në hendboll për grupmoshat U17, ka thënë se Kosova ka potencial të mjaftueshëm që në një të ardhme të afërt t’i kthejë namin hendbollit, se lojtaret kanë gjatësinë dhe forcën e duhur për t’u përballur me bashkëmoshataret e tyre nga Evropa, por se edhe në këtë drejtim duhet punuar edhe më tepër me qëllim të arritjes së synimeve.

Ndryshe, Mitat Ferati, që është me prejardhje nga Gjilani, por që tash e 30 vite që jeton dhe punon në Zvicër, ku ka arritur suksese të mëdha në hendboll, shprehet se do të donte që pikërisht në Gjilan hendbollit t’i kthehet nami që e kishte dikur. Deri atëherë, është për keqardhje që në këtë grumbullim nuk ka asnjë lojtare nga Gjilani që është ftuar në përfaqësuese e që dikur ishte krejt ndryshe.