Selektori i Rumanisë: Edhe Kosova i ka shanset e saj të kualifikimit në Euro 2024

Selektori i Rumanisë, Edi Iordănescu ka folur për grupin në të cilin ka përfunduar ekipi i tij, më saktësisht për kundërshtarët me të cilët do të përballen rumunët në kualifikimet e Euro 2024.
Zvicra konsiderohet si favorite e grupit, por trajneri rumun nuk ua mohon mundësitë dhe shanset as Kombëtareve tjera të grupit, shkruan mediumi rumun “sport.ro”, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne nuk mund t’i heqim as Kosovën, Bjellorusinë apo Izraelin nga ekuacioni i kualifikimit. Secili ekip i ka shanset e tij, ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Duhet ta rrisim nivelin tonë. Zvicra është favorite në letër, por mund të them se grupi është mjaft i balancuar. Ne duhet të kemi besim, duhet të synojmë sa më lartë”, deklaroi trajneri i Rumanisë.
Ditë më parë, Federata Rumune e Futbollit nuk siguroi se Kombëtarja e këtij shteti do t’i zhvillojë ndeshjet me Kosovën, për të cilat tha se duhet të konsultohet me Qeverinë e Rumanisë.
Madje, një ish-ministër i jashtëm rumun shkoi edhe më larg, duke thënë se Rumania nuk duhet të luajë me një shtet që s’e njeh, edhe nëse i humb të dyja ndeshjet, 0:3, shkruan “Gazeta Express”.
Rumania dhe Kosova janë pjesë e Grupit I në kualifikimet e Kampionatit Evropian së bashku me Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë e Andorrën.
Ndeshjet do të luhen mes muajve mars dhe nëntor 2023. /Gazeta Express/