RCCOLA

Selam prej Tirane

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – A ka pasur nevojë që kryeministri Hashim Thaçi nga Tirana të porositë se “taksa për çimenton e importuar do të jetë çështje e tejkaluar”? Ishte ky mesazh për ministren Mimoza Kusari-Lila, apo për t’ia bërë qejfin Sali Berishës?

Disa media raportuan se çështja e çimentos e dërgoi kryeministrin Hashim Thaçi në Tiranë. Ndonëse nuk u dhanë shumë detaje për atë që është biseduar gjatë një dreke pune me nikoqirin e tij, kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, por Thaci dërgoi mesazhe të qarta për kabinetin tij qeveritar. “ Flas me besim të plotë se çështja e taksës për çimento do të jetë çështje e tejkaluar”, ka premtuar kryeministri.

Në këtë mënyrë ndoshta ia ka plotësuar një kërkesë nikoqirit të tij, por në të njëjtën kohë ministres Mimoza Kusari- Lila sikur ia ka sugjeruar se zbatimi i ligjit nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë.

Sado që kryeministri nuk ka përmendur afate se kur do të jetë e harruar taksa për çimenton e importuar, kjo ishte hera e parë që ai flet për problemin që tensionoj raportet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Këtë nuk e bëri as në momentet kur ministrja tha se për vendimet që merr ka besimin e kryeministrit, por as kur nisën akuza të rënda ndaj saj, madje duke pohuar se krejt kësaj pune i vjen era korrupsion. Ministrja nuk kishte asnjë argat që të bindë opinionin se ka vepruar drejt, pos kompanisë “Sharrcem” dhe Odës Amerikane në Kosovë.

Deklaratat e kryeministrit në Tiranë sërish ka lënë dilemën për arsyen e nxjerrjes së vendimit për aplikimin e taksës 35 për qind ndaj çimentos së importuar dhe ligjshmërisë së tij. Nëse është respektuar ligji, atëherë kryeministri nuk guxon të dalë mbi ligjin dhe të insistoj që taksa të harrohet. Madje, nikoqirit është dashur t’i tregoj se çfarë thonë ligjet në Kosovë dhe për domosdoshmërinë e zbatimit të tyre. Ndërkaq, nëse ministrja ka punuar kokë më vete dhe për interesa të një kompanie, reagimi është dashur të ndodhë në Prishtinë. Dhe krejt në fund, për shkak të ndjeshmërisë së këtij vendimi çështja nuk është dashur të mbetet e mbyllur vetëm në zyrat e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, por paraprakisht të shqyrtohej në nivele edhe më të larta. Pa marrë parasysh se ministrja për këtë çështje ka kompetenca të plota ligjore.

Nëse me kujdes lexohet Ligji për Masat Mbrojtëse në Importe, del se vendimi për taksën e çimentos ishte i drejtë. Për më shumë këtë e forcojnë edhe kritikuesit e tij kur thonë se pse masat të këtilla nuk po aplikohen edhe ndaj produkteve të tjera të importuara, të cilat po rrezikojnë prodhimin vendorë- si disa materiale për ndërtimtari, apo pemët e perimet. Në rrethana të këtilla vetvetiu paraqitet dilema se pse insistohet aq shumë që të suspendohet një vendim që qenka i ligjshëm. A është ky presion që të veprohet në margjinat e këtij ligji, përkatësisht që të mbyllen sytë përballë një zhvillimi që është i padrejtë në raport me ndonjë prodhues të vendit.

Ndërkaq, ministrja Mimoza Kusari – Lila nuk bëri gabim pse insistoj për zbatimin ligjit, por me rastin e marrjes së vendimit nuk ka pasur parasysh disa momente që nuk janë pjesë e ligjit, por e ambientit për zbatimin e tij. Në rend të parë atë e dëmtoi ndërlidhja e problemit me presionin që erdhi nga Oda Amerikane në Kosovë dhe dyshimet e ngritura se njerëzit nga ky institucion janë pjesë e menaxhmentit të prodhuesit të vetëm të çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit, pastaj fakti se ky prodhues nuk mund të përmbushë as gjysmën e nevojave të tregut të vendit dhe se pak para vendosjes së taksës ka ngritur çmimin e çimentos, me qëllim të rritjes së profitabilitetit.

Uji Dea

Presionin edhe më shumë e rriti deklarata nga Zyra e BE-së në Prishtinë se vendimi qenka në kundërshtim me rregullat e CEFTA-s, pastaj vlerësimi i Autoritetit të Konkurrencës se vendimi ka çrregulluar gjendjen në treg dhe gjetjet e Doganës së Kosovës se “Sharrcemi” po kontrabandën çimento nga Maqedonia. Që të gjitha këto janë sikur qojnë kah konstatimi se ligji në këtë rast është përdorë për të mbrojtur pozitën në treg të prodhuesit kosovar të çimentos.

E, a duhet të mbrohet “Sharrcemi” ? Fillimisht duhet pasur parasysh se fjala është për një prodhues nga Kosova, pa marrë parasysh se prej nga vijnë pronarët e tij. Kjo fabrikë është privatizuar përmes një procesi të dyshimtë, i cili ende është nën hetime, por që vazhdon të jetë nën monitorimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit. Së fundit hetimet duhet të dëshmojnë për rregullshmërinë e tërë procesit dhe pa marrë parasysh gjetjet, ato tash nuk duhet të paragjykohen, e as të ndikojnë në zhvillimet aktuale.

Gabimi më i madh bëhet kur thuhet se ajo është fabrikë e grekëve, kazakëve…,etj. Kushtetuta e Kosovës, por edhe të gjitha ligjet pronën dhe pronarin e trajtojnë në mënyrë të njëjtë. Njësoj edhe pronarët që erdhën përmes procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore duhet të zbatojnë të gjitha ligjet vendore dhe të paguajnë taksa e tatime njësoj sikur obliguesit vendorë.

Njëri prej arsyetimeve për aplikimin e ngarkesës për çimenton importuar është edhe pamundësia e “Sharrcemit” që me çmimin aktual të mbuloj koston e prodhimit. Konkurrenca nga Shqipëria vjen me çmim 12 euro më të ulët për një tonelatë se sa çmimi i prodhuesit vendorë. “Sharrcemi” pamundësinë për të përballuar këtë konkurrencë e arsyeton me teknologjinë e vjetruar, me obligimi për investimin e 35 milionë eurove, të cilat i ka marrë me kontratën e privatizimit, se duhet të paguaj ish-punëtorët dhe me çmimet e karburanteve . Asnjëri prej këtyre problemeve nuk janë të datës së re, pos çmimeve të derivateve, të cilat janë çështje e tregjeve globale, me të cilat përballen edhe prodhuesit e tjerë të çimentos kudo në botë.

Do të thotë se pronarët aktual të fabrikës në Han të Elezit këtë gjendje e kanë ditur edhe kur kanë vendosur që ta blejnë ate. Për më shumë, ata kontrollojnë gati tërë tregun e rajonit dhe realisht se është dashur të dijnë se cila është fuqia konkurruese e “Sharrcemit”. Prandaj, arsyetimi se çimentoja këto prodhohet me kosto më të lartë nuk është dashur të shërbej si bazë për vendimin e MTI-së. Kosova është deklaruar për treg të hapur dhe të konkurrencës së lirë, prandaj këtë duhet ta përkrahë dhe ta nxisë me tërë mekanizmin ligjor dhe institucional që ka. Këtë konkurrencë duhet ta pranoj edhe “Sharrcemi”, pa marrë parasysh se do ta ketë vështirë t’i kthej investimet.

Ndërhyrjet eventuale që mund të vijnë nga institucionet qeveritare ka rrezik që të dobësojnë këtë konkurrencë dhe në fund koston e paguan konsumatori. Çimentoja nga importi tash duhet të jetë 35 për qind më e lartë, pa marrë parasysh se prodhuesi vendorë nuk ka kapacitete ta mbuloj tregun. Kjo sjell para rrezikut tjetër- që të ketë mungesë të këtij artikulli në treg , dhe kur bie oferta, atëherë çmimet fluturojnë. Por, edhe në kohën kur importi i çimentos së lirë nga Shqipëria është dhjetëfishuar, kurse çmimi në treg nuk ka rënë, MTI-ja dhe Administrata Tatimore e Kosovës është dashur të fusin në lojë inspeksionin dhe të kontrollojnë financat e importuesve.

Të merret tatimi për fitimet e krijuara nga kjo diferencë e çmimit. Në këtë mënyrë mund të funksionoj tregu edhe pas heqjes eventuale të vendimit për taksën. Por, fillimisht të gjitha veprimet duhet të koordinohen ndërmjet agjencive qeveritare, dhe në këtë rast nuk do të kishte nevojë për presione nga “Sharrcemi” e as për selame nga Tirana.