Eko Higjiena

Selajdin Abdullahu, njeriu i heshtur i veprave të mëdha

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Vetëm fati deshi që sot të takohemi sërish në liri. Dikur, Selajdinin dhe vëllanë e tij Fazliun i kishin rrëmbyer forcat shtetërore serbe gjatë luftës, duke ua këputur dhunshëm jetën e përditshme dhe duke i futur në errësirën e burgjeve politike. Këtë shkrim ia kushtoj posaçërisht njërit prej pesë vëllezërve Abdullahu, z. Selajdin Abdullahut. Familja Abdullahu, prindërit dhe pesë djemtë, kanë vepruar për vite të tëra në ilegalitet të thellë, të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe lirisë së Kosovës.

Ndër ta ishte edhe Selajdini, i qetë, i urtë, i përkushtuar dhe pa pretendime për lavdi. Njerëz të tillë, që punojnë në heshtje dhe ndërtojnë histori pa kërkuar vëmendje, e dëshmojnë personalitetin e tyre pikërisht përmes veprës. Në këtë radhë të njerëzve të ndritur hyn edhe emri i Selajdin Abdullahut.

Figura të tilla, që kanë vepruar në ilegalen shqiptare, meritojnë të dokumentohen dhe të kujtohen për kontributin e tyre kundër robërisë serbo-sllave.

Aktiviteti i tyre i përhershëm, i vazhdueshëm dhe i rrezikshëm për çlirimin e vendit kontribuoi në krijimin e kushteve për shfaqjen e UÇK-së, e cila në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, sidomos SHBA-në, e bëri të mundur çlirimin e Kosovës.

Selajdini, katër vëllezërit e tij dhe babai i tyre provuan burgjet serbe, qelitë e ftohta dhe torturat çnjerëzore të atij sistemi represiv, përballë hetuesve serbë dhe bashkëpunëtorëve shqipfolës. Aty kuptuan se sa e rëndë ishte të mbaje gjallë idealin e lirisë.

UBT

Teksa pimë kafe me ish-të burgosurin politik z. Selajdin Abdullahu, kujtuam ato kohë të vështira. Ai, njeri i matur dhe i përmbajtur, rrallë fliste për vuajtjet e tij personale, më tepër e shqetëson gjendja politike e sotme shqiptare dhe e ardhmja e vendit. Megjithatë, me shumë përkushtim dhe respekt, ai rrëfeu disa momente nga qëndrimi në burg, rrëfime që të preknin shpirtin dhe të drithëronin trupin.

Selajdini dhe shokët e tij u akuzuan nga ish-Jugosllavia për “veprimtari armiqësore, nacionaliste, irredentiste dhe kundërrevolucionare”, vetëm pse kërkonin lirinë e popullit të tyre. Ai u dënua me shtatë vjet burg. Grupi i tyre vepronte në treshe duke shpërndarë trakte, afishe dhe parulla me përmbajtje “Kosova Republikë”, një slogan që kishte përhapur panik dhe frikë tek aparati shtetëror.

Pavarësisht represionit brutal, dënimeve të larta dhe përpjekjeve të pushtetit serb për ta shuar lëvizjen shqiptare, radhët e të rinjve të përkushtuar vetëm u shtuan, ndërsa vendosmëria për liri u forcua edhe më shumë.

Këta pak rreshta i shkrova me ndjenjën e detyrimit moral për të përkujtuar veprën dhe sakrificën e Selajdin Abdullahut, një njeri që e deshi lirinë e vendit të tij më shumë se qetësinë e vet personale./nijazimusmurati/rajonipress/