Sektori privat i ekonomisë, favorizimet, pagat, të drejtat e punëtorëve…
Nga Sinan Sadiku – Në çdo shtet demokratik me ekonomi të lirë të tregut, bartëse të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit janë ndërmarrjet ekonomike private. Në shtetet e Evropës Perëndimore shteti përmes ligjeve krijon kushte për konkurrencë të lirë dhe të barabartë të ndërmarrjeve, duke i krijuar hapësirë secilit që ka vullnet, aftësi dhe përgatitje profesionale që të themelojë ndërmarrje dhe të pasurohet. Kuptohet të pasurohet duke ju përmbajtur ligjeve, se përndryshe pasojnë sanksionet. Sa ju përket të drejtave të punëtorëve atje ligjet respektohen me përpikëri.
Tek ne sektori privat i ekonomisë ka vepruar në kushtet kur disa ndërmarrje janë favorizuar, qoftë duke ju dhënë tenderë që e kanë mundësuar rritjen dhe pasurimin e shpejtë të tyre, qoftë duke mos i ngarkuar me tatime dhe dogana siç e ka parapa ligji, gjersa ndërmarrjet e tjera janë diskriminuar, nuk u janë dhënë tenderë edhe kur i kanë plotësuar kushtet, janë ngarkuar me tatime të shumta etj.
Dihet janë favorizuar ndërmarrjet e disa politikanëve të lartë ose të familjarëve dhe miqve të tyre dhe ndërmarrjet pronarët e të cilave kanë ditur t`u japin ryshfet politikanëve dhe ti ndajnë fitimet me ta. Prej 1000 ndërmarrjeve më të mëdha në Kosovë, vështirë të gjenden 100 që nuk janë bërë të tilla falë përfitimeve dhe favorizimeve nga buxheti. Thjeshtë nuk janë bërë të mëdha për shkak të punës, por për shkak të përfitimeve të paligjshme dhe të pandershme nga buxheti dhe pasuria e Kosovës. Andaj një pjesë e bosëve të ndërmarrjeve private janë po aq të korruptuar sa edhe një pjesë e peshqve të mëdhenj të politikës.
Shumica prej këtyre ndërmarrjeve punëtorët i paguajnë pak, i detyrojnë të punojnë nga 10 e 12 orë në ditë, nuk ua japin pushimin ditor, javor, vjetor, nuk u sigurojnë kushte të përshtatshme në punë, shpesh nuk ju lëshojnë kontrata të punës etj. Pra nuk zbatohet ligji i punës. Inspektorët e punës nuk e kryejnë punën me të cilën janë të ngarkuar, andaj një numër i madh i punëtorëve punojnë pa kontrata të punës, me orar të zgjatur, punojnë të miturit e rinj në kushte të papërshtatshme, e besa edhe fëmijët.
Çështja më e pakuptimtë është kur dëgjoj të thuhet se ligji i punës nuk zbatohet sepse numri i inspektorëve të punës është i vogël. Këtë e thonë organet shtetërore dhe e besojnë, e përsëritin sindikatat, mjetet e informimit, analistët… Shumë e çuditshme si krijohen mendimet tek ne, si krijohet opinioni pa u lodhë fare për ta vërtetuar gjendjen faktike! Me sa jam i informuar, më i madh është numri i inspektorëve të punës se sa numri i komunave.
Pra nuk është i vogël numri i inspektorëve, por puna që e bëjnë ata ndihet pak, tepër pak. Për ta zbatuar ligjin e punës nuk ka nevojë të rritet numri i inspektorëve, por ka nevojë që inspektorët të veprojnë, që të lejohen dhe të mbështeten ata që donë të punojnë dhe që të kërkohet edhe prej të tjerëve të punojnë. Kur them të lejohen dhe mbështeten ata që donë të punojnë, e kam fjalën që prapa tyre si punonjës të shtetit, si mbrojtës të qëndroj shteti, që të shpërblehen për efektivitet në punë etj. Dihet inspektorët e punës, sikurse edhe inspektorët e fushave të tjera, nuk guxojnë as t`i vizitojnë ndërmarrjet e politikanëve dhe të afërmve të tyre dhe në përgjithësi ndërmarrjet e milionerëve që janë bërë të tillë falë përfitimeve të paligjshme nga buxheti i Kosovës, e të mos flasim për dënime.
Për tu zbatuar ligji i punës nuk duhet të vizitohet secila ndërmarrje dhe të lutet që ta zbatojë ligjin. Mjafton që në një komunë të zbatohen sanksionet ligjore ndaj 10 punëdhënësve që e shkelin ligjin e punës e të tjerët nuk do ta presin dënimin fare. Kjo do të ndodhë vetëm nëse dënimet nuk do jenë selektive, vetëm nëse të gjithë binden se e pret dënimi secilën ndërmarrje që nuk e zbaton ligjin, pa marrë parasysh a është ajo ndërmarrje pronë e politikanit, të afërmit të tij apo e ndonjë qytetari tjetër i cili është i interesuar të punoj ndershëm për të fituar vetë, për të punësuar të tjerë dhe për ta zhvilluar vendin.
Nëse inspektorët punojnë si deri tani, duke e toleruar shkeljen e ligjit kot shtohet numri. Mund t`i bëjmë edhe nga tre inspektorë nëpër komuna, por kjo nuk do të thotë se do të zbatohet ligji. Në shumë pjesë të administratës ka tepricë të të punësuarve dhe shumë herë teprica nuk i sjell vetvetiu rezultatet. Më shpesh ngjan e kundërta.
Kur jemi te pagat dhe raportet midis pagave në sektorin privat dhe publik pa dilemë se ato janë më të larta në sektorin publik. Megjithatë disa ndërmarrje kanë kapacitete që punëtorët ti paguajnë më shumë seç janë duke i paguar aktualisht, por nuk e bëjnë këtë sepse pronarët e tyre mendojnë vetëm për vete dhe nuk mendojnë fare për punëtorët. Andaj disa prej tyre kanë mjete për harxhime përrallore, por nuk kanë për t`i paguar punëtorët. Realisht me mekanizma adekuat duhet të stimulohet zhvillimi i sektorit privat të ekonomisë, sepse vetëm kështu zhvillohet ekonomia, vetëm kështu zhvillohet vendi, vetëm kështu hapen vende të reja të punës. Kjo duhet të bëhet ashtu që t`u mundësohet të gjithëve të punojnë, e jo që disa falë favorizimeve buxhetore të rriten e të tjerat të zvogëlohen.
Nuk mund të presim ta zhvillojnë ekonominë ata që janë mësuar të pasurohen falë favorizimeve buxhetore, ata të cilët falë këtyre favorizimeve për pak vite janë bërë milionerë. Ekonominë do ta zhvillojnë vetëm ato ndërmarrje të cilat janë ngritë falë punës profesionale, falë planifikimit dhe menaxhimit të mirë. Por atyre duhet t`u lejohet të punojnë. Ndërmarrjet e tilla janë të kujdesshme dhe të matura edhe sa ju përket pagave që i marrin pronarët e tyre, edhe sa u përket e shpenzimeve që i bëjnë ata; janë të kujdesshme edhe sa i përket përzgjedhjes dhe aftësimit të të punësuarve dhe e dinë se për të dhënë rezultate punëtorët duhet të paguhen, duhet të jenë të shëndetshëm dhe të stimuluar.
Pra Kosova mund të zhvillohet vetëm nëse një pjesë më e madhe e buxhetit orientohet në zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë, nëse ndalen favorizimet dhe diskriminimet, nëse nxirren ligje të përshtatshme dhe çka është akoma më e rëndësishme nëse zbatohen ato. Alternativë e kësaj është papunësia, varfëria dhe shpërnguljet./rajonipress/


