Uji Dea

Sekti ideologjik dhe intelektualiteti i munguar

/ 5 minuta lexim

Nga Nexhat Buzuku- Një sekt ideologjik që pasqyron dhe shoqëron në mënyrën më të mjerë e më qyqare për njerëzit, për akëcilën kategori sociale, qoftë ai individ, grup individësh, për arsyet paranojake, frustrimi apo dyshimi patologjik ndaj tjetrës apo tjetrit, paraqet antivlerën dhe karikaturën tipike pseudokulturore dhe nivelin e ulët dhe bastard të komunikimit.

Kjo sjellje, kjo mënyrë e mendimit a e qasjes, e përgojimit a përfoljes sipas modelit më perfid po derdhet nga fjalori degradues e linçues, i veshur me mjerimin kulturor dhe intelektualitetin e munguar, edhe pse e kallaitur në petkun e komunikimit kulturor.

Prandaj, akëcili fjalaman, që cilido x apo y mund ta gjejë veten në këtë qasje socio-psikologjike, duhet t’i interpretojnë drejtë zhvillimet, ngjarjet, botën e jashtme – atë që ndodhë jashtë orbitës së tyre në botën reale, por edhe atë që ndodhë në botën e tyre të brendshme – edhe në lëkundjet psikike, edhe për mungesën e stabilitetit shpirtëror a të humbjes së ekuilibrit psikologjik.

Të tjerët kurrë nuk mund të jenë fajtorë e as bën të atakohen e stigmatizohen me metoda përfide të modelit udbesk për fajet, fobitë, paranojën a rrëmujën personale shpirtërore. Sepse nuk është fajtorë tjetri për dështimin apo frustrimin e dikujt, por është vetvetja.

Themeluesi i psikoanalizës Zigmund Frojdi thoshte se energjia negative e akumuluar brenda vetvetes për shkak të kufizimeve sociale, frustrimit dhe fajit personal, që lidhet me një apo më shumë momente, mund të jetë burim i depresionit. Pra, një fajësi e bërë do jetë nxitës i përhershëm i situatave apo momenteve depresive, herë të heshtura e herë të hapura – të shprehura pse jo edhe me fjalorth, të folur a gjuhë të nivelit të jashtëqitjes fiziologjike.

Andaj, personat me energjinë negative, që Freudi (Frojdi) e quante ESI, manifestohet edhe në dyshime patologjike ndaj gjithçkaje dhe ndaj secilit, edhe në fobinë apo frikën e pabazuar nga tjetri. E depresivi, që herë duket qengj e herë i tërbuar, për çdo gjë që lidhet e ka të bëjë me te, fajin e kërkon te tjetri. Kështu, për dështimet, frustrimet fobinë e paranojën fajtori është tjetri.

E vërteta nuk tundet as lëkundet dot nga gënjeshtra. Ngase fjalët e gjymta të sakatintelektualëve kurrë nuk mund e pasqyrojnë të vërtetën, sepse ajo, e vërteta, duhet të jetë ndërmjetësi dhe ndërlidhja e mendimit me objektin e menduar, i cili është i tillë çfarë është realisht, dhe jo i tillë çfarë e konstruktojmë sipas nevojave destruktive.

UBT

Kurrë më aktuale nuk ka qenë ajo ndarja sociologjike në grupimet “unë” dhe “ai”, “unë” dhe “tjetri”, “ne” dhe “ata”, ose ai që nuk është me mua është kundër meje. Ai i paraprinë kjo prirje me dimensione konfliktualiteti rëshqitjes në grupime të mbyllura kundër njëra-tjetrës, ose sekte, do të tingëllonte më kuptimplotë emërtimi – kasta ideologjike.

Kështu, artificialisht, me ose në mënyrë të pavetëdijshme, krijojnë divergjenca në mes njerëzish dhe diversitete ndërindividuale dhe ndërgrupore, të panatyrshme, artificiale. Në këtë mënyrë po aq pavetëdijshëm po formësohen sekte që manifestojnë e pasqyrojnë mungesën e tolerancës ndaj tjetrit, mospranimin e asaj që quhet hapësira personale, apo ajo zona e ndërmjetme përreth individit, që akëcili dhe secili dëshiron ta ketë personale dhe të mos e ndajë me të tjerët.

Mirëpo, kjo nuk i jep askujt të drejtën ta cenojë hapësirën e tjetrit, në emër të hapësirës së vet. Patjetër në kuptimin dhe interpretimin e hapësirës ekzistenciale, të qenësisë e vetëqenësisë, edhe të kreativitetit dhe kulturës së komunikimit.
…Vetëm mendja shikon dhe dëgjon; gjithë gjërat tjera janë të verbra dhe të shurdhra…(Epichamus, mendimtar, 550 p.e.s.).

Fundja realiteti të cilin po e jetojmë nuk do ishte interesant pa sfida. Ose, “Jeta po provime nuk ia vlen të jetohet” – Socrate.

E në këtë kohë, kur antivlera është shndërruar në vlerë, pseudokultura në kulturë dhe sakatintelektualët në “intelektualë”, kurrë nuk ka qenë më aktuale ajo që kanë thënë latinët se duhet frikësuar prej atij që ka lexuar vetëm një libër.

E, nuk duhet të frikësohemi as të ikim e as të krijojmë armiq ideologjik e politik nga të mençurit, të diturit apo të urtit, por nga broçkullat (pallavrat) e budallenjve, që në mënyrë të rreme e quajnë veten intelektualë, duke menduar se vërtet janë të tillë edhe me apo pa asnjë libër të lexuar.