Fundamenti

Sejdiu: Rugova ua rriti lirinë shpirtërore dhe vepruese shqiptarëve

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Ish-kryetari i LDK-së dhe ish-Presidenti, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur ish-Presidentin Ibrahim Rugova burrështetas që vuri themelet e shtetësisë së Kosovës.Ish-kryetari i LDK-së theksoi se Rugova ishte shpresë për të gjithë.

Shkrimi i plotë i Sejdiut në Facebook:

“Kaluam nëntë vite pa prezencën fizike të Liderit Shpirtëror dhe real të Kosovës, në luftën e saj për Liri dhe Pavarësi, të urtit dhe të guximshmit, Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.

Burrshtetasit që vuri themelet e shtetësisë së Kosovës, njeriut me qëndrueshmërinë dhe forcën e pathyeshme . Njeriu të besës së madhe. Njeriut që ishte shpresë për të gjithë. Njeriut që ishte orë e tyre historike, e udhërrëfimit dhe qëndresës në proceset më të rënda që kapërcyem fundshekullin e kaluar dhe vitet e fillimit të këtij shekulli.

Sot e çdo ditë kemi ndjenjën e dhembjes dhe të pikëllimit të madh për të, por po aq e madhe është edhe ndjenja e krenarisë, se jetuam, dhe ecëm përkrah tij, në Epokën e Tij.

Sot, ne, të gjithë bashkëpunëtorët, e bashkëmendimtarët, të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe miqtë ndërkombëtarë, e ndjejmë thellësisht fuqinë e mendimit dhe të veprës së Presidentit Rugova, duke mësuar përherë nga ajo.

Ai i ndërtoi themelet e shoqërisë dhe të shtetit tonë mbi parimet e mëdha: Liri, Pavarësi, Demokraci.

Presidenti Rugova, lideri i rezistencës aktive, ua rriti lirinë shpirtërore dhe vepruese shqiptarëve duke u shëndrruar kështu vetë në emblemë të lëvizjes së përgjithshme politike dhe të rezistencës të popullit tonë.

Ai ishte njeri që instaloi kulturën politike te shqiptarët, respektin për fjalën dhe mendimin ndryshe, pluaralizmin politik, tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë dhe para së gjithash unitetin veprues të të gjithëve për kauzën e vendit.

Edhe pse në kohë të vështira dhe të panjerëzishme, Presidenti Rugova pa humbur asnjëherë nga vlerat etike dhe humane, duke qenë përherë i njerëzishëm, me urtinë dhe dashurinë e tij, i priu popullit në rrugën nëpër të cilën duhej ecur duke punuar dhe rezistuar.

Dhe padyshim sot mund të themi se : Lëvizja politike për Liri dhe Pavarësi nën drejtimin e Presidentit Rugova u shëndrrua në një model të pakapërcyeshëm dhe unikat për filozofinë e veprimit politik bashkëkohës.

Mobi Casa

Si vizionar i kalibrit unikal, Presidenti Rugova me urtësinë dhe këmbëngulësinë e tij, durimin dhe guximin e tij, arriti të përballojë shumë situata të vështira dhe të ndjeshme.

Ai ishte dhe mbeti i palëkundshëm për Pavarësinë e vendit.

Presidenti Rugova na nxiti që të punonim shumë, për të krijuar miq kudo në botë, për t’i ruajtur miqtë dhe për t’i bërë miq edhe armiqtë.

Kjo filozofi ia hapi dyert në të gjitha zyrat më të njohura të presidentëve, kryeministrave, parlamenteve, në masmedia dhe në institucione ndërkombëtare.

Duke pasur fatin dhe përgjegjësinë e madhe që trashëgova Presidentin Rugova në detyrën e tij, unë kam pasur mundësinë të dëgjoj në zyrën time si President i vendit, por edhe në kryeqendrat e botës fjalët më të zgjedhura për Të, nga diplomatë të shquar botërorë, nga presidentë e kryeministra shtetesh e të cilët takimet me Presidentin Rugova i kujtojnë si ngjarje të shënuara të karrierës së tyre politike.

Fjalë miradie dhe respekti të thellë për të dëgjova në Ëashington, në Bruksel, në Londër, në Berlin, në Paris, në Romë, në Vatikan, në Lindjen e Largët, në qendër të Afrikës, kudo që isha.

Për Kosovën padyshim se ishte një humbje e madhe, ngase Njeriu që e projektoi idenë e Pavarësisë, nuk arriti ta priste atë.

Rugova i priu Kosovës në kohët e saj më të vështira por nuk pati fatin ta priste ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, por Ai pati një ëndërr, pati një qëllim nga i cili nuk hoqi dorë kurrë dhe e dinte se vendi i tij i dashur ishte tashmë gati për t’u bërë shtet i pavarur dhe sovran.

Si një lider vizionar i përmasave të papërsëritshme, me vlerësimet dhe parashikimet, Presidenti Rugova ishte një hap përpara të tjerëve. Ai kishte dhënë shenjat reale të ardhmërisë sonë dhe duke parashikuar dhe vlerësuar këtë të ardhme.

Me vizionin e tij, Presidenti Rugova ishte dhe mbetet përherë frymëzues për ndërtimin e paqes, të shtetit të së drejtës, të shoqërisë së lirë dhe demokratike pa dhunë dhe autoritarizëm; pa përndjekje të njerëzve që mendojnë ndryshe, pa korrupsion dhe kriminalitet; pa vrasje dhe urrejtje.

Edhe sot, në vazhdimësi, ne e shohim sa të domosdoshme janë fjalët, mendimet dhe veprat e Presidentit Rugova për qytetarët e Republikës së Kosovës”, (sic), ka shkruar Sejdiu në Facebook. /Telegrafi/