Sejdiu në Konferencën e Ambasadorëve: Kosova ka ecur shumë me njohjet

Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka mbajtur fjalim mbi njohjen diplomatike të Kosovës, në Konferencën e Katërt të Ambasadorëve, që po mbahet në Prishtinë, ku ka vlerësuar punën e ministrisë dhe shërbimit të jashtëm në proceset e Kosovës si shtet i ri.
Ish-Presidenti Sejdiu, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve falënderoi Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe ambasadat për punën e tyre në përfaqësimin e denjë të Kosovës dhe për angazhimin e pandalur për numrin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
“Dua ta falënderoj ministrinë e Jashtme dhe shërbimin e jashtëm të Kosovës që me punën e tyre të përditshme po e përfaqësojnë Kosovën denjësisht nëpër botë. Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e rajonale janë arritje të mëdha për Kosovën për një kohë kaq të shkurtër dhe rrethanat e vështira që ka pasur”, ka thënë ish-Presidenti Sejdiu në Konferencën e Ambasadorëve.
Sejdiu foli për përvojën e tij në përgatitjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, hapjen e misioneve të para diplomatike dhee angazhimin rreth njohjeve të para për Republikën e Kosovën./indeksonline/