RCCOLA

Sejdiu: Lidershipi i LDK-së në amulli

/ 3 minuta lexim

Ish presidenti i Kosovës dhe ish kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes me Serbinë në Kuvendin e Kosovës ka mundur të bëhet pasi të ishin pjekur mirë kushtet, mirëpo e ka mbështetur një ratifikim të tillë.

Duke folur për reagimet që përcollën ratifikimin e marrëveshjes nga Lëvizja Vetëvendosje, Sejdiu në emisionin Target te gazetarit Donat Syla, ka thënë se kundërshtimet duhet të jenë të argumentuara, por ato të përshfaqen brenda institucioneve.

“Nuk preferoj rrugë tjera që institucionet do t’i vendosnin jashtë funksionit. Mendoj se ka qenë një tabllo jo fort e këndshme ajo që kemi parë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, fuqia politike është ajo që determinon zgjidhje të caktuara. “Nuk duhet të përsëritet ajo që ka ndodhur”. “Secili subjekt ka përgjegjësinë e vet se si sillet, pa marrë parasysh se cilat janë ambiciet e tyte”, ka shtuar ai.

Duke folur për qëndrimin e LDK-së në këtë proces, ish udhëheqësi i saj ka thënë kjo parti nuk ishte konsekuente në qëndrimet e saj duke krijuar amulli të përgjithshme te qytetarët.

“Qytetarët nuk e dinin se cili ishte qëndrimi i LDK-së, sepse lidershipi i saj nuk ishte unik në vendime”, ka theksuar ai.

Duke folur për projektligjin për amnistinë i cili pritet të risillet në Kuvend të enjten me disa ndryshime nga ai paraprak, ish presidenti i vendit ka thënë se deputetët duhet të studiojnë mirë atë që do ta votojnë.

KKGJILAN

“Ta analizojnë cdo fjali. Ajo që është prezantuar deri me tash ka krijuar një situatë që mban peng procesin. Analiza do të sjellë edhe vendime të mira. Të shikohet mirë se kush dhe çka do të amnistohet. Këtu nuk ka amnisti ndaj kryesve të krimeve të luftës dhe krimeve tjera ndaj njerëzimit. Amnistia e përgjithshme nuk duhet të ndodh. Partitë është dashur t’u sqarojnë qytetarëve përmbajtjen e projekt ligjit”, ka shtuar ai.

Sa i përket zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, Sejdiu thotë se zgjedhjet në vjeshtën e vonë gjithnjë kanë prodhuar probleme të theksuara dhe mundësi që të abuzohet me votën e qytetarëve.

“Data më e hershme do të ishte më e përshtatshme”.

Sa i përket LDK-së dhe zgjedhjeve të 3 nëntorit, Sejdiu ka thënë se kjo parti duhet të bëjë më shumë nëse do fitoren dhe se ai është i gatshëm të kontribuoj në këtë aspekt.

Sa i përket kandidatëve të kësaj partie për kryetar të komunave, Sejdiu ka theksuar se nuk e di nëse para përzgjedhjes së tyre ka pasur studime dhe analiza.

“Unë e kam takuar dy herë kryetarin Mustafa, mirëpo nuk jam konsultuar rreth kandidatëve edhe pse e njoh mirë strukturën e anëtarësisë së LDK-së”, ka thënë ai, duke shtuar se ai i ka dhënë edhe një ofertë Mustafës, por pa sqaruar më shumë se cila ishte ajo.

Sejdiu nuk i ka fshehur ambiciet për, siç ka thënë ai, rol të përgjegjshëm në LDK, por ka hezituar të thotë se pretendon të rikthehet në postin e kryetarit të partisë. (ORAinfo)