ARKATANA

Sejdiu: Ideja e Thaçit për kufijtë nxit tension

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit. Sipas tij, është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për çështjen e kufijve është një aventurë e rrezikshme për vendin, që nxit edhe tension në vend. Kështu ka vlerësuar deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës Korab Sejdiu në një intervistë për gazetën “Zërin”, ku ka thënë që asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese. Sejdiu me këtë rast ka thënë që zgjidhja e vetme për Kosovën janë zgjedhjet e parakohshme dhe krijimi i një qeverie legjitime. E vetmja mënyrë që mund të arrihet kjo, sipas tij, është përmes bashkimit të LDK-së dhe Vetëvendosjes në një koalicion parazgjedhor. Deputeti Sejdiu në mes të tjerash ka folur edhe për Gjykatën Speciale, me ç’rast ka konsideruar që vonesa e funksionalizimit të këtij organi po bëhet për shkaqe politike.

Serbia po organizon ndarjen e Kosovës

Fundamenti

Zëri: Javët e fundit presidenti Hashim Thaçi ka ngritur një alarm në vend, ku ka paralajmëruar se në kuadër të dialogut me Serbinë do të diskutohet edhe për korrigjim të kufijve, konkretisht për bashkimin e Luginës me Kosovën. Si e shihni ju një gjë të tillë?

Sejdiu: Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një mori deklaratash skandaloze të bëra nga presidenti Thaçi e veçanërisht kohëve të fundit, duke përfshirë këtu edhe atë lidhur me nevojën për korrigjim të kufijve. Nuk është e qartë pse presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë, që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe atë pak shtetësi që jemi munduar ta ndërtojmë këtë dekadën e fundit. Është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese dhe çfarëdo marrëveshjeje që mund të ketë nënshkruar ose që mund ta nënshkruajë presidenti Thaçi e cila ka objekt ndryshimin e kufijve nënkupton shkelje serioze të Kushtetutës nga presidenti. Prandaj ekziston nevoja urgjente që Kuvendi ta mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, duke përfshirë edhe një platformë të qartë për bisedime, por vetëm pas organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, që do të rezultonin me përfaqësim legjitim politik të qytetarëve.