Sejdiu i përgjigjet ambasadorit amerikan

Pas debatit të së mërkurës, në Kuvendin e Kosovës, rreth demarkacionit ku Ambasadori i SHBA’ve Greg Delawie ka thënë se kufijtë që Komisioni Shtetëror i ka shënuar me Malin e Zi, janë të njëjtë me ata që Kosova i ka dorëzuar te EuroGeographics në vitin 2007 gjatë përgatitjeve për pavarësinë, ka reguar ish-Presidenti Fatmir Sejdiu.
Ai ka thënë se nga pala kosovare nuk është kërkuar asnjë hartë përvec hartave për komunat e reja që kanë dalë nga pakoja e Ahtisaarit.
Ja çfarë ka shkruar Sejdiu.
Të dashur miq,
Tema e demarkacionit e kufirit me Malin e Zi, me peshën dhe ndjesinë e vet, ka rritur në shkallë të lartë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmoi edhe debati i mbajtur në Prishtinë më 3 gusht, lidhur më këtë temë, përkundër faktit se ishte jo pak i vonuar. Në të u paraqiten për opinionin publik elemente dhe fakte të reja, për të cilat institucionet e vendit do duhet të kishin vëmendje dhe kujdes duke i trajtuar në mënyre serioze, pa u nxituar dhe pa kapërcyer hapësirën e e përgjegjësisë që kanë për të marrë vendime bazuar në dokumentat kryesorë shtetërorë të dhe në dobi të qytetarëve të saj.
Pos tjerash, gjatë debatit është përmendur Pakoja e Ahtisaarit dhe referenca e saj për këtë çështje, duke iu referuar kufinjëve të Kosovës deri në fund të vitit 1988. Kjo nënkupton, pa asnjë dilemë, pacenueshmërinë e kufinjëve të Kosovës, të cilët brenda territorit të saj përfshijnë pikat kyçe për të cilat është ngritur debati.
Si President i vendit në vitet 2006- 2010, periudhë kohore kjo kur edhe janë zhvilluar bisedimet, gjatë të cilit proces në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufinjtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues.
Dihet botëisht se nuk ka pasur harta të tjera nga ato qe kanë përshkruar kufinjtë e Kosovës, të cilët kanë qenë të sanksionuar edhe me Kushtetutën e vendit.
Nga Ekipi i Ahtisaarit, e di se janë kërkuar kufinjtë e komunave të Kosoves, në pjesë të hapësirave, në të cilat janë formuar komunat e reja me shumicë serbe.
Këto komuna të reja të formuara më vonë nuk lidhen me hapësirat dhe brezin kufitar me Malin e Zi, për të cilin po bisedohet.
Janë momente tepër jetike për shtetin dhe shoqërinë tonë që kjo çështje të trajtohet dhe zgjidhet me urti, duke u mbeshtetur në faktet e qëndueshme, shumë prej të cilave qytetarët e Kosovës kishin rastin t’i shohin gjatë debatit që u zhvillua më 3 gusht në Prishtinë.
Karshi kësaj, gjuajtja e mbrëmshme e ndërtesës së Kuvendit të Republikës, është absolutisht e paparanueshme dhe e pajustifikueshme. Është tepër me urgjencë që organet e hetuesisë sa më parë të gjejnë akterët e këtij veprimi kriminal dhe të tillët të vëhen para drejtësisë.
Është në përgjegjësinë i institucioneve të vendit dhe gjithë spektrit politik të tij – pozitë dhe opozitë të angazhohen për ç’tensionimin e kësaj situate në të cilën gjendet vendi dhe po kështu të ulen me përkushtim për të trajtuar problemet që i ka vendi.
Rruga e dialogut është e paalternativë.