Sejdiu: Dialogu, alternativa e vetme për dalje nga kriza

Ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu fajëson pozitën dhe opozitën në vend për situatën aktuale e cila sipas tij po i shkakton dëme vendit. Thotë se alternativa e vetme është dialogu.
Sejdiu, i cili shërbeu si President i Kosovës në periudhën 2006-2010 thotë se Kosovës po i shkaktohen dëme nga situata aktuale në vend.
“Përplasja që vjen në sojin e vet për të kapërcyer thjesht në dëme jashtëzakonisht të ndjeshme për vendin, duke pasur parasysh se kjo gjendje si e tillë nuk është e mirë as për qytetarët e vendit, nuk është e mirë as në vrojtimin ndërkombëtar posaçërisht te miqtë, që i kemi shumë’, the Sejdiu në emisionin ‘Argument Plus’ në RTV21.
Thotë se fajtorë janë edhe pozita, por edhe opozita.
“Në këtë kuadër do të thoja se edhe pozita edhe opozita, sepse që të dy palët janë pjesë e sistemit. Ato ndërtojnë parlament. Ato ndërtojnë strukturat e institucioneve të vendit. Ajo që ka ndodhur, pjesa e përplasjes, sidomos në Parlament, në një formë apo formë tjetër reflektojnë jo ende gatishmërinë e bollshme të dy palëve që të ulen dhe të zgjedhin këtë situatë, apo të kapërcejnë këtë rubikon të formuar kësisoj”, theksoi ai.
Dialogun e sheh si alternativën e vetme.
“Dialogu në këtë situatë dhe në çdo situatë të ngjashme absolutisht e vetmja alternativë”, tha Sejdiu.