Seancat “jo tërheqëse”: Mungon Opozita, mungon edhe një pjesë e Pozitës

Është mbajtur seanca e rregullt në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa pjesëmarrjen e opozitës dhe me një numër jo të konsiderueshëm deputetësh të koalicionit qeverisës.
Kjo sipas analistëve vlerësohet se si një neglizhencë e deputetëve që mbështesin qeverisë ndaj pjesëmarrjes në mbledhjet e Kuvendit.
Përveç kësaj, sipas njohësit të çështjeve politike Dren Ajeti, ndonëse duket se Kuvendi ka kaluar bllokadën, kriza parlamentare vazhdon së ekzistuari.
“Mospjesëmarrja e opozitës në mbledhjet e seancave plenare dhe të komisioneve parlamentare, parlamentarizmin në Kosovë e bën gjysmak. Ndër qëllimet kryesore të krijimit të parlamenteve ka qenë dhe është diskutimi i grupeve të ndryshme politike për të nxjerrë rezultatet më të mira. Ligjet bëhen më të mira kur ka një debat të gjerë mbi to dhe monitorimi i ligjeve apo marrja në pyetje e ekzekutivit është më i plotë dhe i analizuar nga këndvështrime të ndryshme, kur në të marrin pjesë edhe partitë që nuk mbajnë qeverinë (opozita)”, vlerëson Ajeti.
Sipas tij, megjithëse koalicioni qeverisës aktualisht mban 2/3 e ulëseve në Kuvend, pushteti legjislativ fiton kuptim vetëm me pjesëmarrjen e të gjithë partive.
Madje ai konsideron se mospjesëmarrja e disa deputetëve të Pozitës vjen edhe si rrjedhojë e mungesës së Opozitës.
“Me numrin aktual që mban koalicioni qeverisës, teorikisht do të ishte e lehtë shtyrja e çdo procesi përpara. Por praktika na mëson dhe së fundmi edhe seancat e fundit të Kuvendit, se deputetët që mbështesin qeverinë po tregojnë një neglizhencë ndaj pjesëmarrjes në mbledhjet e Kuvendit, si shkak mungesa e opozitës”, vlerësoi Ajeti.
Për të tejkaluar këtë situatë sipas tij, politikbërësit dhe sidomos liderët politikë duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët dialoguese për të mos penguar proceset integruese të vendit.
“Për fajin e inateve që kanë ndërmjet vete apo për shkak pikëpamjeve të ndryshme se si duhet drejtuar shtetin, ata duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Një shembull: përderisa Kroacia gjeti një gjuhë të përbashkët mes të gjitha forcave politike, nga hyrja në fuqi e MSA-së në vitin 2005 kaluan vetëm 8 vite derisa u anëtarësua në BE (01.07.2013). Shqipëria në anën tjetër, nga bllokadat politike që pëson thuajse në baza ditore, ka filluar së zbatuari MSA-në në vitin 2009, porse anëtarësimi i saj në BE duket ende shumë larg”, shtoi tutje njohësi i kësaj fushe, Ajeti.
Ndryshe, seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi që nuk ka pasur deputetë të mjaftueshëm në sallë. Në sesionin e pasdites kanë mbetur në sallë vetëm 57 deputetë. /Telegrafi/