Seanca e qetë pa opozitën
Kuvendi i Kosovës, pas gati gjashtë muajve, zhvilloi seancën e parë pa përdorimin e gazit lotsjellës. Kjo pasi opozita nuk ishte e pranishme në vazhdimin e seancës plenare, meqë një numër i madh i deputetëve ishin të përjashtuar nga mbledhja. Ata që nuk e kishin masën e pezullimit, nuk morën pjesë në seancë.
Masa të shumta të sigurisë ishin bërë gati në hyrje të sallës plenare të Kuvendit të Kosovës për të mos lejuar deputetët opozitarë të hyjnë brenda.
Por kësaj radhe sigurimi nuk pati punë, meqë deputetët e opozitës, edhe ata që nuk ishin të përjashtuar, nuk tentuan të marrin pjesë në vazhdimin e seancës së javës që shkoi.
Në rend dite ishte miratimi i disa marrëveshjeve në formë kredie, si dhe disa raporte të komisioneve parlamentare, që kërkonin dy të tretat e votave të deputetëve.
Duke qenë se seanca po zhvillohej normalisht pa u penguar nga opozita, meqë nuk ishin prezentë, shefat e grupeve parlamentare ai i PDK-së, Adem Grabovci, dhe ai i LDK-së Ismet Beqiri, shfrytëzuan këtë “qetësi” dhe morën nënshkrimet e duhura për dy kandidatët për president, Hashim Thaçin e Rafet Ramën.
Grabovci e Beqiri arritën që t’i sigurojnë nënshkrimet për dy kandidatët, derisa menjëherë pas përfundimit të seancës nënshkrimet u deponuan në Kryesinë e Kuvendit, e cila menjëherë thirri mbledhje me shefat e grupeve dhe nënkryetarët për të caktuar seancën në të cilën do të zgjidhet presidenti që do ta pasojë Atifete Jahjagën./zeri/


