Së shpejti shujta ditore për nxënësit e Gjilanit

Gjilan – Komuna e Gjilanit së shpejti do të filloj me pilot-projektin e shujtave për nxënësit, ku fillimisht do të aplikohet në shkollën “Selami Hallaqi”, “Musa Zajmi” dhe “Abaz Ajeti”, ndërkaq hapi tjetër është mësimi – qëndrimi tërë ditor në shkolla.

“Bazuar në të dhëna dhe vlerësimet e ndryshme dhe në konsultim edhe me drejtorët e shkollave dhe me mësimdhënësit, mendojmë se kjo formë do të jetë një avancim tutje dhe një përgatitje më e lartë e nxënësve në fusha të ndryshme, që do t’u mundësoj atyre të jenë në të ardhmen një fuqi e suksesit dhe me nivel më të lartë profesional. Këto veprime do të japin rezultate dhe sukses në vitet e ardhshme”, ka thënë drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, gjatë konferencës së sotme për media.

Gagica pohoi se resori që udhëheq ai, ka arritur realizimin e të gjitha objektivave deri në këtë fazë, sikur që ka realizuar projekte të ndryshme, ka përgatitur regjistrimin e nxënësve në të gjitha nivelet e shkollimit dhe njëkohësisht ka bërë edhe pranimin e mësimdhënësve të rinjë në punë, konform kërkesave dhe obligimit ligjor që ka.

“Procesi i mësimit për vitin shkollor 2018/2019, ka filluar me kohë në të gjitha shkollat, ku janë bërë edhe regjistrimet e fëmijëve në nivele të ndryshme edukative dhe arsimore, sikur që kemi bërë edhe pranimin e kuadrit arsimor për vende pune përmes procedurave të rekrutimit”, tha ai.

“Në institucionet parashkollore me qëndrim ditor këtë vit janë pranuar 423 fëmijë nga mosha nëntë muajsh e deri në gjashtë vjet, 1250 nxënës janë regjistruar në klasën e parë, 1594 nxënës në klasat e dhjeta dhe personeli profesional në të gjitha komunitetet kanë përmbushur të gjitha obligimet dhe procedurat profesionale e administrative, që më tre shtator të filloj mësimi i rregullt në të gjitha shkollat”, ka thënë drejtori Gagica.

I pari i Arsimit në Gjilan ka njoftuar se këtë vit ka filluar projekti i evidentimit të vijueshmërisë së mësimdhënësve, ndërkaq është bërë dezinsektimi dhe dezinfektimi i hapësirave dhe në raste të veçanta edhe deratizimi, për të krijuar kushte më të mira për nxënësit dhe personelin e shkollës për ambient të pastër dhe të përshtatshëm për punë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).