Së shpejti falen 680 milion euro borxhe
Ligji për faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset i kanë nga mbarimi i luftës e deri më 2008 do të hyjë në fuqi gjatë muajit gushtë nëse deputetet e Kosovës këtë javë i japin dritën e gjelbër për miratim. Këtë e ka konfirmuar për “ Zërin” Muharrem Shahini nga zyra për informim në Ministrinë e Financave. Sipas tij, Ministria e Financave ka bërë të gjitha përgatitjet, që ligji të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit të deputete të Kosovës.
“Jemi në fazën përgatitore por nuk mund të startojmë se ligji ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ende nuk është votuar nga Kuvendi i Kosovës. Por, prej moment që ligji përfundon në Kuvend ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe do të fillojmë me hyrjen në fuqi të ligjit. Nëse deputete e votojnë këtë javë ligjin atëherë sipas parashikimeve do të hyjë në fuqi prej fillimit të muajit gushtë” ka thënë ai.
Shahini bënë të ditur se kanë përgatitur edhe një fushatë vetëdijësuese, ku sipas tij, qytetarët dhe bizneset do të njoftohen rreth procedurave të faljes së borxheve.
“Ministria e Financave i ka bërë të gjitha përgatitjet edhe për fushatën vetëdijesuese për sensibilizimin e qytetarëve se si do të shkojnë procedurat sa i përket faljes së borxheve, sa kohë duhet të nevojiten për falje pastaj marrëveshjet si do të jenë mes kompanive etj. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të gjithë qytetarët dhe bizneset do të kenë nga një fletushkë me procedurat e faljes” ka thënë ai.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë se qytetarët, të cilët do të fitojnë nga kjo falje duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimit për periudhën 1 janar 2009 më 31 dhjetor 2014. Personat e këtillë përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri në dhjetor 2008 do të përfitojnë me faljen e gjobave interes dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryerjes së borxhit për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Më tutje janë të obliguar të lidhin marrëveshje me institucionet personat fizikë dhe juridikë, marrëveshje me institucione shtetërore ose ndërmarrjet publike për pagesën e borxheve me këste për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.
Ligji për faljen e borxheve në lexim të parë ka kaluar javë më parë, kurse gjatë kësaj jave pritet që të futet në procedurë për votim edhe për lexim të dytë.
Besa Gaxherri deputet nga rradhet e LDK-së ka thënë se këtë javë pritet që deputetet e Kuvendit të miratojnë ligjin për faljen e borxheve.
“Gjatë rendit të ditës të kësaj jave pritet që deputetet të votojnë ligjin për faljen e borxheve pasi që javën e kaluar ky ligj nuk është miratuar në mungesë të korumit. Këtë jave do të miratohet ky ligj, pasi që deputete kanë deklaruar se do të votojnë” ka thënë ajo.
Edhe partitë opozitare kanë ndërruar qëndrimin sa i përket votimit të ligjit për faljen e borxheve. Edhe pas kundërshtimeve të shumta kanë vendosur që të përkrahin miratimin për faljen e borxheve.
Bali Muharremaj deputet nga rradhët e AAK-së ka thënë si grup Parlamentarë kanë kërkuar që ligji të jetë vetëm për personave fizikë, por jo në përgjithësi. “ Ne kemi pas qëndrimin tonë se ligji duhet të votohet veç nëse ju falen njerëzve fizikë që në të vërtet kanë nevojë e jo për të gjithë. Por edhe përkundër kësaj ne do të përkrahim ligjin dhe besoj se do të kalojë” ka thënë ai. Edhe nga lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se do të votojnë faljen e borxheve.
Ndërsa në anën tjetër përfaqësues të kompanive kanë thënë se nuk kanë marr ndonjë njoftim nga ana e Qeverisë për procedurat e faljes.
Adriatik Satavilevci zëdhënës i Doganës ka thënë se janë duke e pritur miratimin e ligjit që të fillojnë me procedurat e faljes së borxheve./zeri/


