UBT

Schwabe: Disa shtete po duan ta lidhin anëtarësimin e Kosovës në KiE me dialogun, unë jam kundër

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Deputeti socialdemokrat, Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe njëherësh kryetar i Grupit parlamentar më të madh i përbërë nga 148 deputetë socialistë, demokratë dhe të gjelbër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, theksoi se votimi me shumicë dërmuese i rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ishte një hap i rëndësishëm.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ai theksoi se për anëtarësimin përfundimtar duhet të votojë Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Schwabe theksoi se dy të tretat janë siguruar, por tani duhet parë nëse do të vije deri te votimi në Komitetin Ministror të KiE-së më 16 maj.

Eurodeputeti gjerman konsideron se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerë në vete dhe nuk ka të bëjë fare me çështjen e dialogut.

Radio Kosova: Zoti Schwabe, të martën, Kosova bëri një hap tjetër në rrugën drejt Këshillit të Evropës. Asambleja Parlamentare me shumicë dërmuese, votoi rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Zoti Schwabe, çfarë domethënie ka kjo për Kosovën?

Frank Schwabe: Ashtu siç kemi thënë, kjo do të thotë, se kemi bërë një hap të rëndësishëm, por siç dihet për anëtarësimin përfundimtar, duhet të votojë Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Ne, si deputetë, vetëm kemi dhënë mendimin tonë me një shumicë dërmuese që votoi pro. Nevojiteshin dy të tretat, por në fund rezultoi se kishim tri të katërtat e votave të deputetëve të pranishëm. Ky fakt duhet të ketë ndikim edhe te Komiteti i Ministrave dhe nëse Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, atëherë vendi do t’i nënshtrohet procedurave të monitorimit. Kjo do të thotë se të gjitha çështjet që lidhen me funksionimin e demokracisë, shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, do të mbikëqyren në mënyrë strikte dhe për këto çështje do të bëhen vlerësime, ashtu siç ndodh me të gjitha vendet anëtare. Pra, Kosova dëshiron gjithsesi të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe me anëtarësim vijnë edhe përgjegjësitë që merr mbi vete dhe natyrisht kritikat për çështjet e përmendura, por kjo nënkuptohet.

Radio Kosova: Për pranimin e Kosovës, janë të nevojshme votat e dy të tretave të Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës. Shpresoni që edhe faza e fundit e procesit të anëtarësimit do të përmbyllet me sukses? Thënë më mirë, a jeni optimist zoti Schwabe?

Frank Schwabe: Dy të tretat, mendoj se tashmë janë siguruar. Do të ketë dy të tretat e votave edhe në Komitetin e Ministrave. Dy të tretat kanë qenë të siguruara edhe më parë, por duhet parë nëse do të vije deri te votimi, nëse anëtarësimi do të vihet në rend dite për votim, pasi ka disa shtete që janë të përfshira në bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duan që Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, ta përdorin si mjet në bisedime dhe për këtë, unë jam kritik, pasi konsideroj se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është vlerë në vete dhe nuk ka të bëjë fare me çështjen e dialogut. Bisedimet, siç dihet bëhen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e vendeve të Kuntit dhe kjo nuk është fare çështje e Këshillit të Evropës. Prandaj, për arsyet që përmenda, nuk është e sigurt nëse do të vihet në votim. Sidoqoftë, ne kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm përpara.

RCCOLA

Radio Kosova: Patëm një element të ri gjatë votimit. Deputetë të vendeve, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si deputetët grekë e rumunë, i dhanë mbështetje me votën e tyre anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion. Si e patë ju këtë element?

Frank Schwabe: Mendoj se ky ishte një rast, që disa shtete ta rimendojnë rolin e tyre. Mosnjohja nga këto vende, shpesh lidhet me konfliktet e brendshme dhe frikën që kanë nga tendencat për humbjen e ndonjë pjese të vendit të tyre. Kam përshtypjen se tani kjo frikë ka rënë në planë të dytë, duke i dhënë më shumë rëndësi faktit se gati dy milionë njerëz po bëhen pjesë e mburojës së konventave evropiane që pikërëndesë kanë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për më tepër, ka një gjykatë evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që sjell aktgjykime finale, e të cilës mund t’i drejtohet çdo njeri në rastet kur mendon se i është bërë padrejtësi, qoftë edhe nga vetë shteti. Tani kur Kosova është e gatshme të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, kam përshtypjen se shumë shtete mosnjohëse e shohin me sy të mirë këtë vullnet dhe mendoj se kjo ka ndikuar që të kishte votim edhe nga radhët e deputetëve të shteteve mosnjohëse.

Radio Kosova: Deri më 16 maj kur pritet vendimi përfundimtar ka mbetur gati një muaj. Çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës ndërkohë? A ka ndonjë detyrë shtesë që duhet ta përmbushë?

Frank Schwabe: Ka një vetangazhim dhe vetëdetyrim që ka marrë përsipër përmes një letre të nënshkruar nga kryeministri dhe të tjerët. Rasti i Manastirit të Deçanit tashmë është zgjidhur dhe është dëshmi se Kosova jo vetëm di të bëjë premtime, por edhe i mban ato. Është bërë një hap i rëndësishëm, sepse problemi nuk ka qenë i lehtë të merrte zgjidhje. Tani shtrohet çështja e besueshmërisë nëse Kosova do të zbatojë edhe detyrimet e tjera që ka marrë përsipër në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ajo që tani mund të bëhet në këto katër javë të mbetura është marrja e mbështetjes, që do të ishte ndihmesë e madhe. Dhe kjo çështje tani i takon vetëm Kosovës. Nuk bëhet fjalë për çfarë do qoftë dialogu me Serbinë, apo nëse ai do të ishte i suksesshëm apo i pasuksesshëm, por bëhet fjalë për gjëra që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kërkojnë, si për shembull nëse mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të minoriteteve mund të dokumentohet me hapa praktikë. Sa më shumë dhe në mënyrë sa më substanciale zbatohen zotimet e bëra, aq më mirë. Përndryshe, gjatë kësaj periudhe kohore, do të ketë bisedime me kryeqytetet e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës dhe me shtete anëtare të KUINT-it, ku do të marrë pjesë dhe të shohim e bëjmë, por jam krejt optimist.

Radio Kosova: Serbia ishte kundër, ndonëse shumë deputetë folën se me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, do të forcohet edhe ruajtja dhe respektimi i të drejtave të minoriteteve, me theks të veçantë të minoritetit serb. Në fakt, çfarë përfitime do të ketë minoriteti serb dhe të tjerët pas vendimit përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës?

Frank Schwabe: Çështja e mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve ka rëndësi qendrore në Këshillin e Evropës pasi gjithmonë janë shkaktuar konflikte për këto çështje. Në përgjithësi, monitorimi i të drejtave të minoriteteve i forcon ato gjithmonë, sepse përmes raporteve që përpilohen, vihen në dukje problemet ekzistuese në fushat e caktuara për të marrë më pas zgjidhje ashtu siç e pamë edhe në rastin e Manastirit të Deçanit. Mendoj se kur në rastet e tilla si në rastin e Manastirit të Deçanit, tregohet mirëkuptim i ndërsjellë me ndihmën e Këshillit të Evropës, atëherë anëtarësimi i Kosovë në KiE është shumë i dobishëm edhe për serbët.

Radio Kosova: Shumë vëzhgues që ndoqën debatin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thonë se vendimi mes tjerash ishte edhe një shuplakë ndaj boshtit Vuçiq – Putin. Ju si e komentoni këtë?

Frank Schwabe: Nuk ishte qëllimi ky. Qëllimi është fuqizimi i Këshillit të Evropës dhe të tregohej se ata që besojnë në vlerat e këtij institucioni, përkrahen. Në Ballkan për shembull, aktualisht problematike është çështja e martesave të së njëjtës gjini dhe temave të ngjashme. Në këtë pikë, ne konsiderojmë se Kosova ka bërë përparime të dukshme dhe domethënëse për dallim nga shtetet tjera të rajonit, dhe kjo nuk është çështje e lehtë të arrihet për një qeveri. Kjo nga ana jonë vlerësohet dhe çmohet, por që me siguri Putinit nuk i pëlqen. Në anën tjetër, vendimi i Asamblesë Parlamentare, nuk duhet parë nga ai kënd, sepse nuk është çështje e gjeopolikës, por çështje e Këshillit të Evropës, sepse ne duam zhvillimin e mëtejmë të demokracisë, ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe që ato të mbrohen nga shteti ligjor. Prandaj, të gjitha ato shtete që duan këto parime, siç i duam ne, janë të ftuar përzemërsisht dhe të mirëseardhur të na bashkohen për të punuar së bashku. Kosova e dëshiron këtë, është zotuar për këtë, ka marrë angazhime për këtë, ka bërë hapat e parë në rastin e Manastirit të Deçanit dhe ne besojmë se së bashku me Këshillin e Evropës do të bëjmë edhe hapat e tjerë, pavarësisht dhe pa ndonjë ndikim nga raportet e saj me Serbinë.