UBT

Scholz shpreson që Serbia të mos e braktisë Këshillin e Evropës kur Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova, së shpejti, do të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kurti i bëri komentet në Berlin, pas takimit të sotëm me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Scholz priti të mërkurën në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit reagoi ndaj paralajmërimeve të Kosovës se do të bëjë përpjekje të anëtarësohet në organizata të reja ndërkombëtare.

“Nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit, edhe ne do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën dhe interesat kombëtare”, tha Vuçiq, transmeton REL.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar.

Kancelari Scholz tha se shpreson se Serbia nuk do të largohet nga ato organizata, ku Kosova do të mund të anëtarësohet.

“Unë dua që Serbia të qëndrojë në Këshillin e Evropës. Kontributi i dhënë atje është i rëndësishëm”, tha Scholz.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

KKVITI

Partneriteti për Paqe, ndërkaq, është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Ndryshe, pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie “të madhe” për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.

Duke folur pas takimit me Kurtin, Scholz tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.

Ai tha se marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen reciproke.

“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e [anëtarësimit në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz.

Kurti, në anën tjetër, tha se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave me Serbinë.

Ai tha se Kosova është “proaktive dhe konstruktive” në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media me kancelarin gjerman.

Kurti e Vuçiq janë takuar sonte në një darkë të përbashkët në Berlin me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. /Telegrafi/