Eko Higjiena

“Scholz e ka bërë të qartë çfarë do”- Gjermania e rezervuar për vizitën e 5-shes në Kosovë e Serbi

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Rinisja e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian asnjëherë s’ka qenë më e vështirë. Ngjarja e ndodhur në Banjskë, ku një grup paramilitarësh të armatosur deri në dhëmbë sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku, ka stepur Kosovën. Kosova e cila vazhdo të jetë ende nën sanksione të BE-së po kërkon ndëshkim të Serbisë si përgjegjëse për sulmin e 24 shtatorit.

Besnik Velija

Duke parë një komplikim të tillë të situatës dhe deklarime nga Kosova se “s’mund të vazhdohet puna si më herët” , më 21 tetor shtetet perëndimore me qëllim të lëvizjes përpara të gjërave, do të çojnë në Kosovë dhe Serbi emisarët e tyre.

Emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai sllovak Miroslav Lajcak në këtë udhëtim të tyre drejt Prishtinës dhe Beogradit do të shoqërohen nga këshilltarët e Scholz, presidentit Macron dhe kryeministres italiane Meloni.

Por cili është synimi kryesor i kësaj vizitë të Escobar, Lajcak, dhe këshilltarëve Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Talo?

Lidhur me këtë në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Qeveria Federale e Gjermanisë. Një zëdhënës i Qeverisë Gjermane ka thënë se s’mund të ndajnë informacione dhe s’mund parashikojnë për atë se çfarë do të bisedohet gjatë takimeve në Prishtinë dhe Beograd.

Megjithatë ky zëdhënës ka theksuar se kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka bërë të qartë se çfarë pret nga Serbia dhe Kosova gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në kryeqytetin shqiptar.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se ne nuk mund të parashikojmë përmbajtjen e bisedimeve të mundshme. Vetë kancelari e bëri shumë të qartë se çfarë pret nga Serbia dhe Kosova”, ka thënë ky zëdhënës i Qeverisë gjermane, duke referuar tek deklarata e Scholz e bërë në Tiranë gjatë Samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz në fjalën e tij në Tiranë kishte shprehur qëndrimin e qartë të Gjermanisë dhe shteteve të tjera anëtare që konsiderojnë se është e papranueshme ajo që kishte ndodhur më 24 shtator në Banjskë dhe kishte bërë thirrje për hetim intensitv dhe mbështetje të hetimeve që po bën Kosova. Scholz gjithashtu kishte thënë se do të ishte mirë nëse Serbia do të bashkëpunonte në këtë çështje me institucionet e Kosovës.

“Ne dënojmë me të vërtetë sulmin ndaj policisë dhe të gjithë aktivitetet që kemi parë në Kosovë duke sulmuar njerëzit dhe institucionet. Kjo është diçka e papranueshme dhe kemi qenë të qartë si BE dhe si Gjermani. Gjithashtu kërkojmë për një hetim intensiv dhe kërkojmë pjesëmarrje në këtë dhe të mbështesin hetimet që bëhen nga autoritetet e Kosovës që mendoj se është esenciale dhe mendoj që do të ishte shumë mirë nëse do të ndodhte që autoritetet e Serbisë do të bashkëpunonin me autoritetet e Kosovës”, kishte thënë kancelari gjerman.

Eco Higjiena

Kancelari gjerman kishte bërë të qartë se Gjermania është duke punuar edhe në çështjen e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, duke specifikuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Mendoj se ka shumë marrëveshje që janë arritur tashmë dhe në kohët e fundit kemi pasur një marrëveshje që është bazuar në kritere për bashkëpunim që bazohen shumë në eksperiencën tonë si Gjermani kur kemi qenë të ndarë, por që ndihmon për të bërë jetën më të lehtë për njerëzit dhe bizneset dhe për gjerat që janë praktike për përditshmërinë. Mendoj se kjo është e njëjta rrugë që duhet të zgjedhim këtu dhe shansi është tani për ta arritur këtë. Dhe ne vazhdojmë të punojmë në këtë. Gjithashtu në implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në të kaluarën dhe tani, gjithashtu Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës dhe bashkëpunimin e tyre dhe për çështje si këto”, kishte shtuar kreu i Qeverisë Gjermane.

Kancelari gjerman kishte potencuar se ka një vullnet strikt të Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zgjidhur konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për të hapur rrugën përpara për të dy shtetet.

Në takimin e fundit që është zhvilluar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 14 shtator ecja përpara e dialogut ka ngecur tek plani i sekuencimit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur propozimin e tij për atë se si duhet të implementohet Marrëveshja e Ohrit, sipas BE-së edhe Serbia ka pasur një plan, ndërkohë që Brukseli zyrtar duke parë situatën ka dalë me një propozim për implementim paralel të Marrëveshjes Bazike.

Sipas këtij propozimi të BE-së, Kosova duhet të fillojë me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërkohë që Serbia nuk do të insistonte në përdorimin e asteriskut apo fusnotës por as pjesëmarrjes së UNMIK-ut në forume ndërkombëtare.

Kryeministri Albin Kurti pas këtij takimi në Bruksel ishte shfaqur jashtëzakonisht i tensionuar duke drejtuar akuza ndaj emisarit sllovak, Miroslav Lajcak se është bërë palë me Serbinë dhe se po rehabiliton kërkesat e Beogradit në dialog.

Kurti në konferencë për media kishte bërë të ditur se ka bërë një propozim të tij për atë se si duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit ndërkohë që thoshte se Serbia kishte shkuar në takim pa kurrfarë propozimi.

Presidentja Vjosa Osmani ka një kohë që flet për Asociacionin dhe thekson se Kosova duhet të hartojë statutin dhe të koordinohet për secilën shkronjë bashkë me amerikanët. Osmani e ka arsyetuar këtë qëndrim të saj, duke thënë se Kosova ka pajtim me SHBA-në sa i përket parimeve për statutin e Asocaicionit, gjë që ende s’e ka arritur me BE-në.

“Arsyeja pse unë e shoh rolin e Shteteve të Bashkuara kyç në këtë proces, është për shkak se me SHBA-të kemi dakordim të plotë për katër parimet: Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2015-ës, Letra e Mogherinit dhe Op/Ed-i amerikan nga Escobar. Me BE-në akoma nuk kemi një dakordim të tillë, po flas për ndërmjetësit”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti vazhdon të thotë se Serbia dëshiron një Kosovë jofunskionale përmes Asociacionit. Zëvëndësja e Kurtit, kryediplomatja Gërvalla ndërkohë thotë se Asociacioni ka vdekur. /GazetaExpress/