RCCOLA

Schindleri kroat: Shpëtoi nga kampi 1000 myslimanë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nedo Galic ka shpëtuar gjatë luftës në Bosnje, afro 1000 boshnjakë nga kampi Heliodrom. Në fund, me gruan e tij dhe me tre fëmijët e vegjël, u largua nga qyteza Ljubuski, sepse nuk donte “të qëndronte me fashistët”.

Ai është si Oskar Schindleri gjerman (kujtojeni filmin “Lista e Schindlerit”), i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtoi qindra hebrenj nga kampet e përqendrimit.
Premiera e filmit dokumentar “Nedo nga Ljubuski”, ka nxitur reagime të mëdha tek kroatët dhe shoqatat e tyre të luftës. Dokumentari i punuar nga Svetlana Broz, paraqet rrëfimin për burrin fisnik, Nedjelko Nedo Galic, i cili si kroat iu kundërvu spastrimit etnik të vitit 1993 në Ljubuski.

Sipas reagimeve të kroatëve, duke penguar premierën e dokumentarit, ata nuk duan ta “kriminalizojnë luftën atdhetare” dhe se “nuk duan të transmetohen të pavërtetat për mbrojtjen e lavdishme kroate”.

Galicit, më 17 tetor 2010, i është ndarë post mortum çmimi “Dusko Kondor” për trimëri qytetare, ndërsa në arsyetimin e vendimit thuhet se Galici, duke parë padrejtësi dhe persekutime ndaj anëtarëve të grupeve të tjera etnike, publikisht protestoi duke thënë: “Njerëzit, kjo është çmenduri, ky është një krim, këtë nuk mund ta bëni”!

RCCOLA

Tutje theksohet se me ftesat mashtruese nga jashtë vendit, të cilat ishin mjetet e vetme të shpëtimit, nga logori Heliodrom ka liruar nga burgu mbi 1000 vetë, shumë nga të cilët nga vdekja e sigurt.

Atëherë kur nga Ljubuski largohen boshnjakët e fundit, ai vendosi të largohet me gruan dhe tre fëmijët e mitur, me këtë arsyetim: “Nuk mund ta mbajë kokën larg nga turpi nëse qëndroj këtu. Nuk dua të rri me fashistët që duan komb të pastër. Le të mbeten këtu, le të jetojnë vetëm, të pastër”.

Autorja Broz ka thënë se reagimet e kroatëve janë rezultat i “frikës për t’u përballur me përgjegjësinë personale për krime”. Në film përmenden krimet e përshkruara, viktimat dhe dëshmitarët, gjë që nuk mund të mohohet. “Është pasqyrë tek e cila – ata që duan ta ndalojnë – nuk duan ta shohin fytyrën e tyre monstruoze, prandaj më me qejf do ta thyejnë”, shton ajo.

“Të gjithë këta njerëz, përveç Nede Galicit, kanë heshtur nga frika më 1993. Këtë mund ta kuptoj, por jo ta arsyetoj. Pyetja ime ndaj atyre qytetarëve është: ku jeni këto ditë? Pse edhe sot heshtni? Nga kush sot keni frikë? Para 19 vitesh krimet ishin të armatosura, ishte luftë, dhe mbase ishin të pafuqishëm ndaj kësaj. A nuk ka ndryshuar asgjë gjatë këtyre viteve? Çka mund të bëjnë ata sot, me çka ju frikojnë që prapë ta ulni kokën para tyre”? /Telegrafi/