Sara e Fehmi Fetahu me Vali Ranch sollën edhe një copë Zvicër në Kosovë

Kompleksi, Vali Ranch (me një sipërfaqe prej 60′ 000 mijë metra katror e 60 të punësuar), ku Ismet Rashiti , gazetar dhe veprimtar nga mërgata u emërua drejtor ekzekutiv, sapo hapi sezonin turistik me një solemnitet rasti, ku merrnin pjesë mysafirë të shumtë në krye me kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi.
I filluar para pak vite më parë, kompleksi “Vali Ranch”, në Perlepnicë të Gjilanit, me të madhe po kompletohet duke fituar pamjen e një qyteze të vogël atraktive turistike. Edhe kësaj pranvere, aty pos kalërimit, lojës së golfit, parkut fantastik e tre restoranteve brilante, vizitori sheh sesi makinat e mëdha gumzhojnë në zgjerimin e sipërfaqes së këtij kompleksi që të kujton atraksionet me interesnte turistike të një vendi të zhvilluar perëndimor. Me një fjalë “Vali Ranch” çdo vit bënë ndryshime duke u dhënë vizitorëve të shumtë. mundësi më të mëdha për të shijuar ambientet e kësaj qendre rekreative turistike.
Ngjashëm ishte edhe të dielën, më 31 mars, kur përmes një manifestimi rasti u hap sezoni pranveror turistik në kompleksin Vali Ranch. Që në fillim mysafirët e shumtë, të prirë nga kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, i përshëndeti, pronari Fehmi Fatahu, i cili pasi foli për objektivat e projektit të tij, i cili ka për qëllim që një pjesë të Kosovës ta bëjë edhe më të bukur e interesante edhe për turistët vendas e të jashtëm, bëri edhe promovimin e Ismet Rashitit , veprimtar i dhe gazetar i dalluar në mërgatën shqiptare në Zvicër, në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Vali Ranchit .
Më pastaj përshëndetën Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryetari i KK të Gjilanit, Qemajl Mustafa, deputeti i Kosovës Hydajt Hyseni, e të tjerë të cilët vlerësuan lartë kontributin e bashkatdhetarit tonë Fehmi Fetahu, i cili bashkë me të shoqen e tij Saren bënë që sot Përlpnica të bëhet jo vetëm një atrakcion turistik, por edhe një qendër joshëse edhe për mysafirë të jashtëm, ngjashëm me shumë pika tjera turistike në Perëndim.
Në fjalën e tij të promovimit, drejtori porsazgjedhur, Ismet Rashiti , pasi u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve në gjirin e kësaj pike turistike të quajtur Vali Ranch, përkujtoi thënien e Bekonit se: «Nuk është më i miri ai afarist që më së shumti punon, por ai i cili ju mundëson të tjerëve që me sukses të punojnë»., duke shtuar se : Vali Ranch është bërë një pikë shumë e rëndësishme dhe atraktive për qytetarët e Kosovës në përgjithësi dhe të Anamoravës në veçanti dhe se ky kompleks turistik tashmë është afirmuar në hapësirën mbarë kombëtare shqiptare, ndaj edhe nuk mungojnë vizitorë të shumtë edhe nga Shqipëria e Maqedonia e të mos flasim nga mërgata jonë e mrekullueshme dhe e lidhur shumë me Atdheun e tyre. Pasi përmendi kontributin e jashtëzakonshëm e human të qiftit Sara e Fehmi Fetahu, ai përkujtoi se në kuadër të këtij kompleksi ekzistojnë tri restorante të filluar nga «Vali Ranch», «Stek Haus» dhe «Erotika» me portën triumfale, «lumin e jetës» siç e quajmë simbolikisht këtë ujë që ka sjellë jetë në këtë maje kodre dhe kupolën e bardhë që i ngjason plisit tradicional shqiptar. Kompleksi Vali Rench ka të punësuar më se 60 punëtorë të profileve të ndryshme. Vetëm brenda «Erotikës» në te dy katet ka një kapacitet prej 260 vendesh. Shumë herë më tepër kapacitet kanë terasat e mrekullueshme të shtrira përballë tri restoranteve. Këtu përgatiten për mrekulli të gjitha llojet e ushqimeve nga kuzhinier profesionistë. Po ashtu «Vali Ranch» ka një bodrum të verës shumë të pasur me verë të kuqe dhe të bardhë, kryesisht italiane dhe franceze.
Dy stalla kuajsh të mirëmbajtura sipas normave evropiane
Vali Ranch ka 60′ 000 mijë metra katror për rekreacion. Pastaj ka dy stalla kuajsh të ngritura dhe të mirëmbajtura sipas normave evropiane. Në këto hapësira kalërojnë më se 35 kuaj të tipave të ndryshëm. Pastaj shumë interesante janë Lamat dhe Alpakat me prejardhje nga Amerika Jugore të cilat ju takojnë familjes së deveve të «botës së re». Në zemër të këtij kompleksi ka një kopsht të mrekullueshëm përplot lodra dhe lojëra për fëmijë si dhe organizime tjera si shëtitje me pajton dhe mundësi tjera të shumta për ç’lodhje për kalimin e ditëve të vikendit në hapësirat e Valit Ranch.
Më tej Ismet Rashit , foli edhe për disa risi dhe aktivitete që do të zhvillohen në kuadër të këtij kompleksi , siç janë: organizimi i konferencave të të gjitha niveleve, simpoziumeve, orëve letrare, hapjen e ekspozitave, promovimin e librave, organizimin e koktejeve, tryeza debatesh të të gjitha natyrave. Gjithashtu, në Vali Ranch, mund të priten delegacione e personalitete brenda dhe jashtë vendit tonë. Me një fjalë VALI RANCH është në dispozicion të plotë për çdo gjë që festohet, gëzohet e jetohet për të gjithë qytetarët e lirë të shtetit tonë.
Kush janë Sara dhe Fehmi Fetahi ?
Ismet Rashiti, një pjesëe tëe fjalës së tij ia kushtoj edhe pronarëve të këtij kompleksi turistik: Vali Ranch është pronë private e Sara dhe Fehmi Fetahit, por gjithsesi është pasuri nacionale e Kosovës dhe në shërbim të plotë të gjithë qytetarëve të saj për sot e mot. Moto e Valit Ranch është : «Vali Ranch është shtëpia ime!» dhe «Ta bëjmë gjithë Kosovën të bukur si në Vali Ranch!» Pas luftës në Kosovë, Sara dhe Fehmi Fetahi do t’i kthehen Përlepnicës, në këto maja kodrash, dikur shkrumb për një pikë ujë, për t’a sjellë gjallërinë, freskinë dhe jetën normale. Jo rastësisht ne e kemi quajtur këtë ujë këtu «lumi jetës». Fehmniu bashkë me bashkëshorten Sarën, vunë themele të forta, për të mos u shkulur ma kurrë nga ky vend. Themelojnë Valin Ranch, duke sjellë kështu një copë Zvicër në Kosovën e pasluftës. Sot «Vali Ranch» sa vjen e lëshon shtat në këto maja kodrash, duke marrë konturat e një qyteze të vogël si ato mbi majat e larta të alpeve zvicerane. Bashkë me këto ndërtime dhe me hapjen e vendeve të punës, Sara dhe Fehmi Fetahu kanë sjellë kulturën e punës, respektin për njeriun, për traditën, për shtetin. E shihni, jo rastësisht në majat e kodrës së Përlepnicës janë ngritur e valëviten flamujt e shteteve dhe popujve që janë bashkuar në familjen e madhe. Kjo vërtetë është një simbolikë e mirë se me afarist të suksesshëm si Sara dhe Fehmi Fetahi, me investimet e tyre dhe të tjerëve si ky, populli shqiptar patjetër do t’i bashkohet me dinjitet dhe me vlera të mirëfillta familjes së madhe evropiane. Afaristë të tillë që vinë nga mërgata jonë, patjetër duhet të mirëpriten e përkrahen nga të gjithë qytetarët, në radhë të parë nga institucionet tona kompetente. E lus Zotin që investitorët serioz dhe të suksesshëm si Sara dhe Fehmi Fetahi, por edhe të gjithë mërgimtarët tanë të mos shikohen në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast vetëm nga prizmi i interesit personal. Kudo që janë shqiptarët të jenë një e të pandarë dhe bashkërisht të përpiqemi për ndërtimin e një shteti të fortë, demokratik me ekonomi të zhvilluar e afarist të kalibrit si Sara dhe Fehmi Fatahu.
Pse shumë nisma të tilla të investimeve nuk realizohen në Kosovë
Duke qenë shteti me institucione serioze, profesionale dhe me një ekonomi të zhvilluar të gjithë kem mundësi të jetojmë të lumtur e me dinjitet. Tek e fundit vetëm kështu ka kuptim të plotë liria dhe pavarësia e vendit tonë për të cilin janë sakrifikuar gjenerata të tëra. Tani e kemi një obligim shumë më të madh dhe ky është krejt në dorën tonë: Që gjeneratave të reja të mos iu lëmë një shtet të dështuar të korruptuar dhe të papërfillshëm në mesin e popujve e vendeve të civilizuara. Shembulli më i mirë se çka mund të bëj një afaristë i sukseshëm dhe një patriot i devotshëm për vendin e tij është edhe qifti Sara dhe Fehmi Fetahi. Dihet që qifti Fetahi, bën jetë shumë të mirë dhe e ka biznesin e saj shumë të sukseshëm e të sigurt në Zvicër. Ndaj sigurisht që ky investim kaq i madh nuk do të ishte bërë, sikur familja Fetahi të mos e kishte dashur këtë vend dhe popullin e vet me shpirt e me zemër. E të tillë afaristë ka shumë në Kosovë, por edhe më shumë ka që kanë dëshirë të investojnë sikur këtu të gjejnë një përkrahje shumë më të madhe morale e institucionale. Fatkeqësisht ka edhe raste që shumë që nisma të tilla të investimeve nuk realizohen për shkaqe burokratike, xhelozie e interesa personale. Le të shpresojmë që sa më shpejt të kaloi ky «fruth» pa lënë pasoja të pashërueshme!
Kjo që po shohim sot dhe objektivat që ka Vali Ranch në të ardhmen, dëshmojnë se Sara dhe Fehmi Fetahi, moto në jetën e tyre të kanë thënien e Tagorës : « O Atdhe, dua që të adhuroj me punë! » Dhe krejt në fund sërish tek motoja « Vali Ranch është shtëpia ime», pra Vali Ranch është shtëpia e secilit dhe e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht pikëpamjeve politike apo përkatësive partiake, regjionale a fetare. Dera shpirti, mendja edhe zemra e Valit Ranch do të jenë gjithmonë të hapura për të gjithë qytetarët që të gëzojnë, festojë e ta shijojnë jetën ashtu siç duhet të shijohet jeta në një vend të lirë, të pavarur e sovran ! , përfundoi Ismet Rashiti fjalën e tij.
Më pastaj mysafirët bënë një shëtitje në ambientet e bukura të këtij kompleksi ku edhe u shtrua një apero. Do veçuar se në këtë ambient ku merrnin pjesëe edhe familja e gjerë Fetahu nga Përlepnica e Zvicra, se gëzimin më të madh e ndanin vet prindërit e kësaj familje, që lindën fëmijë të vyeshëm e të dijshëm që kudo që shkojnë nuk e harrojnë vendlindjen e tyre, duke shndërruar atë në saje të mundit e të djersës në një parajsë në tokën e të parëve.(tung.ch)