Fundamenti

Sanksionet amerikane, shuplakë e fortë për zyrtarët kosovarë

/ 7 minuta lexim

Pas politikanëve, të futen në listën e zezë edhe gjyqtarët e prokurorët.

“Vetëm politika amerikane mund t’i zmbrapsë këta institucionalistët tanë nga disa punë subjektive e të pakujdesshme, me të cilat vetëm dëme u kanë sjellë qytetarëve. E sigurt që do të ndërmerrnin masa ndaj sjelljes së tyre, meqë mjaft kohë është pritur nga veprimtaria e tyre, por kot. Nuk e kanë udhëhequr këtë vend sipas nevojës, kushteve dhe mundësive që i kanë pasur. Nuk kanë mundur nga pangopësia e tyre dhe klanit”, u shpreh Shefki Shkodra për “Kosova Sot”

SHBA-ja ka paralajmëruar pushtetarët e Kosovës se ata do të jenë të detyruar që të ndërmarrin veprime që janë si një masë sanksionuese më e rëndë për politikën e çoroditur, duke vendosur që të mos japë viza për asnjë zyrtar shtetëror të Kosovës. Por, nga njohësit e kësaj fushe vlerësohet se në listën e zezë SHBA-ja duhet që të fusë sa më parë edhe prokurorët e gjyqtarët që po tallen me ligjin, njëjtë siç pati ndodhur me kryeprokurorin e Shqipërisë, Adriatik Llalla. Sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, vlerësohet se edhe gjyqtarët e prokurorët, pas politikanëve, duhet të jenë në listën që duhet refuzuar vizat, sepse ata po e shkatërrojnë edhe këtë pak shtet që ka mbetur nga shteti që e themeluan miqtë tanë – SHBA-ja dhe BE-ja. Deputeti i dikurshëm Adem Salihaj, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se sanksionet e SHBA-së ndaj zyrtarëve të lartë të Kosovës do të ndikojnë në vetëdijësimin e tyre. “Këto sanksione do t’i shtyjnë ata që ta rishikojnë qëndrimin e tyre lidhur me shumë çështje aktuale politike. Por, këto sanksione si dhe masa të tjera do të ndikonin edhe te zyrtarë të tjerë, jo vetëm tek ata të pushtetit dhe të opozitës, por edhe te prokurorët dhe gjykatësit, të cilët nuk po e bëjnë aspak punën e tyre si duhet”, u shpreh ai.

Të ndiqet shembulli i Shqipërisë

Analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se me aleatin kryesor duhet gjithmonë marrëveshje për çdo punë me rëndësi . “Asnjëherë nuk e kanë shtruar problemin e zhvillimit ekonomik dhe punësimit në mënyrën më serioze. Shumica e të rinjve dhe kuadrit të nevojshëm për vendin kanë ikur në botën e jashtme dhe vazhdojnë në mënyra të ndryshme edhe më tutje që sa më shpejt të braktisin këtë vend. Shkaktarët kryesorë janë politikanët me politikën e tyre sui generis, si ka hyrë kjo shprehje në fjalorin e politikës te na”, u shpreh ai. Edhe analisti politik Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ende është e paqartë dhe jo saktësisht se çka ka ndodhur me çështjen e vizës për kryeministrin Haradinaj dhe liderëve politikë të Republikës së Kosovës nga SHBA-ja, por refuzimi i vizave për pushtetarët e Kosovës nuk mund të jetë i pabesueshëm, sepse të gjithë janë liderë plaçkitës dhe shkelësit e rregullave demokratike dhe janë jashtë politikës së SHBA-së dhe të BE-së, me bandat e tyre kriminale të mafisë oligarkike. “Besoj se një sanksionim do t’i presë edhe liderët politikë, siç iu dha dënimi atyre të Shqipërisë, ku është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një ish-Prokuror i Përgjithshëm vihet nën hetim për akuzën e rëndë të pastrimit të parave dhe i sekuestrohet pasuria. Akuza në fjalë ishte pothuajse e paralajmëruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit kur e motivoi futjen e familjes Llalla në listën e saj të zezë, duke mos i lejuar të udhëtojnë drejt SHBA, kjo po ndodh tani edhe me liderët politikë kosovarë, me pretendimin për përfshirje në raste të mëdha korrupsioni gjatë kohës që janë në këtë detyrë”, shpjegoi më tej ai.

Putinizmi dhe serbofilët

Njohësi i kësaj fushe Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është për keqardhje nëse Qeveria amerikane nuk i jep vizë kryeministrit, vetëm për shkak të taksës ndaj prodhimeve të Serbisë. “Kjo është një dëshmi konkrete që pushtetin në SHBA e kanë kapur amerikanët putinistë e serbofilë. Derisa Amerika të mos çlirohet nga ata bastardë, ne nuk kemi pse të mashtrojmë veten se Amerika qenkësh partnere e mike e Kosovës. Kreu amerikan tani është pro Serbisë, prandaj duhet edhe ne ta kopjojmë Trump-in – “Kosova first”, u shpreh ai.

Hidromorava

Kosova sui generis

“Shumëçka në Kosovë është sui generis. Veç planifikimeve të tyre për përfitime, asnjë premtim nuk është përmbushur në shtrirje më të gjerë. Bisedimet në Bruksel me Serbinë, gjithnjë kanë qenë jotransparente. Për këto as sot nuk e di opinioni i qytetarëve. Që të gjitha benificionet i kanë mbajtur për vete. Për këta ka mjete financiare në çdo moment e për çdo gjë, po për segmente të tjera nuk premton buxheti. Të mos flasim për jetën e argatëve dhe të gjithë atyre të punësuarve në sektorin privat. Është vërtet për të ardhur shumë keq. Por ja, politika dhe institucionalistët nuk çajnë kokën për këtë çështje. Ligji nuk respektohet. Gjyqi dhe Prokuroria janë nën thundrën e këtyre sundimtarëve. Prandaj, s’do mend se edhe amerikanët dhe evropianët e kanë të qartë se, kush është fajtori në këtë vend. Madje, më duket shumë e vonshme t’u tërhiqet vërejtja, madje të futen në listën e zezë. Të mos u lejohet të lëvizin kah dëshirojnë, e as nëpër vende të tjera”, tha Shkodra.

Qytetarët mirëpresin sanksionet amerikane ndaj politikanëve kosovarë

Edhe qytetarët e anketuar e kanë mirëpritur ndalimin e vizave të SHBA-së ndaj politikanëve tanë. Sipas qytetarëve, në listën e zezë SHBA-ja duhet që t’i fusë sa më parë edhe prokurorët e gjyqtarët që po tallën me ligjin, njëjtë siç pati ndodhur me kryeprokurorin e Shqipërisë, Adriatik Llalla. Qytetari nga komuna e Podujevës Nebih Begolli, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se duhet të jem realist dhe e them haptazi se e kam mirëpritur një veprim të tillë të Qeverisë së SHBA-së. “Pushtetarët tanë nuk kanë qenë në nivel të seriozitetit të detyrës kur e kanë refuzuar kërkesën e SHBA-së për sanksionet ndaj Serbisë. Andaj, edhe e kam pritur një veprim të tillë të miqve tanë që janë edhe aleati ynë më i madh. Po në këtë listë duhet futur edhe bartësit e funksioneve kryesore të sistemit të drejtësisë”, ka theksuar ai.

Edhe qytetari nga Prishtina Naim Berisha, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se e përkrah në tërësi vendimin e Qeverisë së SHBA-së për mosdhënie të vizave zyrtarëve tanë më të lartë shtetërorë. “Mirëpo, unë konsideroj se në radhë të parë në këtë listë të zezë të SHBA-së para politikanëve duhet që të jenë prokurorët dhe gjyqtarët tanë që e prishën sistemin e drejtësisë në Kosovën e pasluftës, pasi janë ata që po tallen me ligjin, njëjtë siç pati ndodhur me kryeprokurorin e Shqipërisë , Adriatik Llalla, ka vlerësuar Berisha

(Kosova Sot)