Sanchez në Tiranë, tregon përse Spanja s’e njeh pavarësinë e Kosovës

Spanja edhe një herë rikonfirmon qëndrimin e saj ndaj Kosovës, me një deklaratë të kryeministrit të saj, Pedro Sánchez, të bërë në Tiranë, gjatë vizitës zyrtare të realizuar të hënën.

Pas pritjes zyrtare dhe takimit, në konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, kreu i qeverisë spanjolle rikujtoi se Spanja vazhdon të besojë se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është shkelur e drejta ndërkombëtare.

“Ne mendojmë se është shkelur e drejta ndërkombëtare prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi (të pavarësisë së Kosovës v.j) dhe këtë e themi me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar”, tha Sánchez.

“Pra ky është një opinion yni që nuk e ndajmë të njëjtë me qeverinë shqiptare”.

Megjithatë, ai tha se vendi i tij është pro integrimeve evropiane.

“Por kjo nuk do të thotë që në kuadër të integrimeve në BE, të mos jemi në përkrahje dhe nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar me BE-në”, u shpreh kryeministri i Spanjës.

Ky deklarim i tij erdhi pas pyetjes së gazetarëve drejtuar atij se kur do ta njohë Spanja pavarësinë e Kosovës.

Sidoqoftë, me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi që deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

Kjo përgjigje e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ishte dhënë ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen- A ishte deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?.

GJND-ja kishte vendosur që se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”,kishte lexuar vendimin gjykatësi japonez, Oëada.

Vendimi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur me 17 gusht të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është marrë me një shumicë të bindshme të votave të gjykatësve. 10 gjykatës ishin pro këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër, raporton rtk.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS