ARKATANA

Sami Frashëri, dijetar i kalibrit ndërkombëtar

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – Një portret i Sami Frashërit i kornizuar në xham qëndron në hollin e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Pak metra larg tij është hyrja për në amfiteatrin e kësaj godine.

Aty studiuesi Mehdi Polisi ka zgjedhur të flasë për Sami Frashërin në fushën e gjuhësisë, në kuadër të sesionit të ligjëratave që po mbahen në Seminarin XXXI Ndërkombëtar të Gjuhës, të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare.

Ligjëratën e nis duke e bërë të qartë se po flet për një personalitet që të gjithë e njohin, pasi, sipas tij, ndonëse kanë kaluar afro 110 vjet nga vdekja, ai vazhdon të jetë prezent në kujtesën e secilit që sadopak është i lidhur me letrat, për shkak të punës së tij vëllimore e pa dyshim shumë cilësore të Samiut.

Kur ka studiuar për Samiun, Polisi ka gjetur se ata që deri tash janë marrë me veprën e figurës poliedrike shqiptare takohen në një pikë të thonë se Sami Frashëri është dijetar i madh, dijetar i kalibrit ndërkombëtar. Për këtë, sipas tij, kanë plotësisht të drejtë.

Polisi ka thënë se të shkruash gjithë ato vepra – mbi 65 vepra, disa me më shumë vëllime, ose shprehur me faqe, mbi 20 mijë faqe, pa llogaritur veprat e tij në dorëshkrim dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta e revista të shumta të kohës, me tema nga më të ndryshmet dhe në gjuhë të ndryshme: shqip, turqisht, arabisht, frëngjisht, greqisht, persisht etj. për një periudhë 32-33-vjeçare – është pa diskutim punë e madhe, punë që vetëm mendja e ndritur e Samiut ka mundur ta bëjë.

“Enciklopedia e tij historike e gjeografike e njohur si ‘Kamus al-a’lam’, me rreth 4.500 faqe të formatit të madh, është thesar diturish dhe autori i saj, Sami Frashëri, e ka shkruar këtë vepër vetë, pa bashkëpunëtor, pa koantor (e dihet se enciklopeditë shkruhen zakonisht nga shumë autorë”, ka thënë Polisi.

Në këtë ligjëratë ai nuk është marrë me “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhetë”, të cilën e ka cilësuar si kryevepër të veprave shqip, ku Samiu jep mendime për shpëtimin e mëmëdheut. Por si studiues i veprës origjinale të Samiut, Polisi thotë të ketë vënë re të dy gjëra. “Së pari se të gjitha veprat dhe punimet e tij, edhe pse janë shkruar para një shekulli, janë punuar e shkruar në atë mënyrë që janë thuajse në përputhje me kriteret e sotme shkencore, që do të thotë se Samiu ka njohur shumë mirë teknikën dhe metodologjinë e punës shkencore”, ka thënë Polisi, teksa ka folur edhe për karakteristikën e dytë.

“Temat që trajton Samiu nuk janë tema të zgjedhura rastësisht, domethënë se ato kanë një pikësynim, gjë që tregon se Samiu ka ndjekur në vazhdimësi dhe me kujdes jetën e shoqërisë përgjithësisht”.

Sipas Polisit, edhe shtrirja e Samiut në gjuhësi ka një pikësynim qoftë politik, qoftë shkencor.

“Ai në shumë punime të tij kur dëshiron ta vërë në dukje rëndësinë e gjuhës shkruan: ‘Kombet ndahen në gjuhët, një komb që humbet gjuhën e vet është i humbur e i harruar që me të humburit të gjuhës së tij është i humbur edhe ai vetë’”.

Polisi ka gjetur se pikëpamjet për gjuhën në përgjithësi, si dukuri shoqërore me rëndësi dhe për shumë gjuhë veç e veç (për shqipen, turqishten, arabishten, persishten, frëngjishten, latinishten, greqishten etj.), Samiu i kishte shprehur qysh në fillim të veprimtarisë së tij në gazeta e revista të kohës, në parathëniet e fjalorëve të tij të mirënjohur, në enciklopedinë e tij 6-vëllimore, “Kamus al-a’lam”, në polemika e debate që ka zhvilluar ai për probleme të ndryshme gjuhësore etj.

Osmanologu Mehdi Polisi ka përkthyer në shqip veprën “Lisan” (Gjuha) të Sami Frashërit, e cila nuk ka qenë e njohur për lexuesin shqiptar, deri në vitin 2001, kur u botua për herë të parë në tërësi. Libri ishte botuar për herë të parë në vitin 1886, në serinë “Biblioteka e xhepit” në osmanishte, ndërsa në faqet e para të veprës Samiu shkruan për rëndësinë e madhe që ka gjuhësia jo vetëm si shkencë që merret me çështjet gjuhësore, por edhe si një shkencë që ka lidhje të ngushtë me historinë. Ai vë në pah edhe lidhjet e saj me gjeologjinë dhe antropologjinë.

“Samiu u përpoq t’i japë përgjigje edhe çështjes së ndryshimit dhe dallimit mes njeriut e shtazëve të tjera lidhur me të folurit dhe mendimin. Sipas tij, fjala shoqërohet me kuptimin (pra me mendimin) dhe vetëm në këtë rast ajo bëhet mjet komunikimi midis njerëzve”, ka thënë Polisi, teksa sjell argumentin e Samiut për këtë, bazuar në pyetjen nëse mund t’i thuhet folës edhe papagallit. “Mjerisht jo, nuk mund t’i themi. Të folurit nuk përbëhet vetëm nga shqiptimi i atyre zërave, e madje, as nga shqiptimi i fjalëve të plota e të përsosura. Të folurit do të thotë të shprehësh qëllimin dhe të kuptosh qëllimin, që shprehet me fjalë dhe fjali, të formuara me zëra të artikuluar”, ka cituar Samiun studiuesi.

ARKATANA

Vend të rëndësishëm në veprën e Samiut “Gjuha”, ka thënë Polisi, zë edhe çështja e shfaqjes së gjuhës e mënyrës së lindjes së gjuhës, përcaktimi i emrave dhe shfaqja e fjalëve dhe gjendja e zanafillës së gjuhës.

“Mendimet e të lashtëve se ‘gjuha është shfaqur menjëherë dhe në formë të përsosur’ së bashku me njeriun e parë, ose se ‘gjuha është më e vjetër se vetë njeriu’ për gjuhëtarin tonë të madh, Sami Frashëri, janë të papranueshme”, ka thënë Polisi. “Shkenca, thotë Samiu, ka treguar në mënyrë të qartë se në shfaqjen e parë njeriu ka qenë në një shkallë të ulët zhvillimi, por, me kalimin e kohës, ka përparuar shkallë-shkallë”, ka shtuar ai. Polisi ka bindjen se pikëpamjet e Samiut lidhur me mënyrën e lindjes së gjuhës janë plotësisht të drejta.

Një problem tjetër, të cilit Samiu është përpjekur t’i japë përgjigje është edhe problemi i origjinës së përbashkët të gjuhëve.

“Samiu pranon se nga gjuhët e botës ka gjuhë të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën, pra kanë një burim të lashtë të përbashkët. Kjo lidhje, sipas tij, është më lehtë për t’u kuptuar. Por ka edhe gjuhë që nuk burojnë nga e njëjta gjuhë, por, megjithatë edhe midis tyre ka një lidhje, e cila, sipas Samiut, mund të vërehet vetëm nga specialisti i gjuhësisë”, ka thënë Polisi.

Në librin “Gjuha” është trajtuar dhe çështja e jetës së gjuhës. Polisi gjen se Samiu gjuhën e konsideron si një organizëm të gjallë që lind, zhvillohet dhe vdes.

“Ky koncept i tij i mbështetur në pikëpamjet e natyralistëve në gjuhësinë tonë të sotme konsiderohet i gabueshëm. Megjithatë, mendimet e tij për lindjen, zhvillimin dhe zhdukjen e gjuhës, Samiu i arsyeton me shumë shembuj që sjell për zhdukjen e shumë gjuhëve në të kaluarën, duke marrë si dëshmi fatin e latinishtes”, ka thënë Polisi.

Shumë mendime do të jepte Sami Frashëri edhe sa i përket alfabetit të gjuhës, thotë Polisi, teksa shton se ai shkruan edhe për ndërtimin e fjalëve, fjalive, shenjave të pikësimit, përdorimi i tyre sipas rregullave gramatikore etj.

“Sipas tij, alfabeti të jetë sa më praktik, më i thjeshtë, t’i përgjigjet gjuhës përkatëse”.

Sami Frashërin e shqetësonte së tepërmi mënyra e të mësuarit të nxënësve nëpër shkolla. Sipas Polisit, mënyra e mësimdhënies dhe përgatitja e teksteve shkollore për Samiun ishte e vjetruar dhe tani e tejkaluar.

“Për t’u dalë në ndihmë nxënësve që ‘jo të mundohen shumë e të fitojnë pak’, Samiu, duke shfrytëzuar sigurisht tekstet shkollore të përgatitura në Evropë dhe përvojën e tij personale, do të nisë hartimin dhe botimin e serisë së veprave didaktike, të teksteve shkollore”, ka treguar Polisi, teksa ka zënë në gojë veprat “Abetare e gjuhësë shqip”, “Dheshkronjë” dhe “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”.

“Këto tekste Samiu ynë i bëri në kohën e duhur, në kohën kur shqiptarët dhe shkolla shqipe kishin nevojë më së shumti për to”.

Polisi e ka përfunduar fjalën e tij, duke thënë se Sami Frashëri pikëpamjet e veta për gjuhën shqipe, të cilën e kishte gjuhë amtare, i ka shfaqur gati në të gjitha shkrimet e tij si në gjuhën shqipe, si në gjuhën turke, greke etj.

“Gjuha shqipe nuk është një degë me gjuhët latine, greke e sllave, porse është një degë e drejtpërdrejtë e familjes së vjetër të gjuhëve ariane”, citon Polisi një konkluzion të atdhetarit Sami Frashëri, me të cilën ai mëtonte të dëshmonte se dilema për prejardhjen e popullit shqiptar është e zgjidhur.(koha)