RCCOLA

Salihu: Në Preshevë do të instalojmë një qeverisje të bazuar në transparencë

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Sami Salihu kryetar i kuvendit komunal të komunës së Preshevës në një intervistë për Titulli.com.

Ai theksoi se mes tjerash edhe planet për rritjen e transparencës në institucionin vendimmarrës lokal por ka plane edhe për funksionalizimin e ueb-faqes në të cilën kuvendi do ta ketë hapësirën e sajë të veçantë.

Salihu tha gjithashtu se ekzistojnë ballafaqimet politike por se duhet të angazhohen që këto të jenë në suaza të normales.

Pas një procesi të stërzgjatur jeni zgjedhur kryetarë i kuvendit komunal në komunën e Preshevës sa do të jetë e vështirë për ju përballja me një opozitë me përvojë në qeverisjen lokale?

Salihu: Pas zgjedhjeve të 24 dhjetorit të vitit 2017 është formuar një shumicë e re, shumicë e cila përbëhet nga Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Reforma PDSH si dhe dy përfaqësues të listës serbe. Realisht është një shumicë e ngushtë prej 20 këshilltarëve ku përballë kemi një opozitë të konsoliduar. Kjo legjislaturë nuk do të jetë e lehtë në kuptimin e zhvillimeve politike gjë që edhe po dëshmohet me debatet e ashpra në kuvendin komunal por unë si kryetarë i kuvendit komunal do të mundohem që të jem në krye të detyrës dhe të i kuptoj kërkesat dhe ankesat e opozitës por edhe si pushtet duhet të kemi gjithë gatishmërinë që të i shtyjmë proceset përpara për të cilat edhe jemi zotuar. Besoj se përtej programeve do instalojmë një qeverisje të mirëfilltë duke u bazuar tek transparenca.

Pas marrjes së postit të kryetarit të kuvendit komunal keni ftuar këshilltarët për bashkëpunim dhe qasje gjithëpërfshirëse për të punuar në interes të reformimit të politikës qeverisëse në vend. Çka nënkupton kjo sipas jush dhe si do të ndihmoni që qytetarët ti realizojnë të drejtat e tyre përmes parlamentit lokal?

Salihu: Besoj se kemi nevojë për një bashkëpunim më të zgjeruar në mënyrë që mos të kemi pengesë por të kemi ndihmesë në realizimin e disa reformave serioze. Kërkesat në drejtimet politike do të jenë më të peshuara nëse do të kemi konsensus politik në kërkesat kundrejt qeverisë siç është ajo e rikthimit të gjykatës themelore në komunën e Preshevës, hapjen e kufirit Miratoc-Llojan, përfshirjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore, tekstet shkollore si dhe një sërë problematikash tjera.

Transparenca e kuvendit komunal sipas analizave të bëra nuk është në nivel të kënaqshëm. A keni plan të përmirësoni këtë qasje kur do të filloni?

Salihu: Unë nuk ndaj mendimin e njëjtë se mungon transparenca në komunën e Preshevës nëse ka diçka që është shumë transparente atëherë është kuvendi komunal. Ku seancat e kuvendit komunal monitorohen edhe drejtpërdrejt nga televizionet lokale. Ajo që është si pengesë është mungesa e ueb-sajtit të komunës por që besoj se brenda një kohe shumë të shkurtër do e kemi edhe ueb-sajtin ku kuvendi komunal do të ketë edhe hapësirën e sajë të veçantë.

KKVITI

Vendimet e kuvendit komunal, rezultati i votimit gjatë seancave të kaluara, propozimet e ndryshme të këshilltarëve, rendi i ditës janë pjesë e transparencës kur do të filloni publikimin e këtyre të dhënave në veb-faqe të komunës?

Salihu: Me hapjen e ueb-sajtit të komunës, kuvendi komunal do të ketë edhe hapësirën e sajë të veçantë ku do të bëhet edhe paraqitja e të gjitha dokumentacioneve dhe vendimeve që kalon kuvendi komunal. Sa i përket kuvendit komunal nuk i ka munguar ndonjëherë transparenca dhe as nuk do të i mungoj ne do të jemi gjithnjë të hapur, vendimet janë vendime publike të cilat shpallen në gazetën zyrtare.

Për çdo seancë mbahet procesverbal, a ka mundësi teknike që kuvendi komunal të publikojë transkriptën e diskutimeve dhe kjo do të bëjë kuvendin më transparent ndaj qytetarëve?

Salihu: Kjo nuk është diçka e pa arritshme, por ideja është që ne si kuvend komunal do të i publikojmë të gjitha vendimet dhe dokumentacionet të i publikojmë në ueb-faqen e komunës ku edhe do të jetë pjesa e incizimit të seancave të kuvendit komunal. Kjo do të bëhet për ti mundësuar të gjithë të interesuarve për të ndjekur seancat e kuvendit komunal dhe të shohin realisht punën e sajë.

Sa do të merren parasysh propozimet e këshilltarëve të cilët nuk i takojnë pozitës qeverisëse?

Salihu: Çdo këshilltarë e ka të drejtën e barabartë në bazë të rregullores, statutit dhe ligjit mbi administrimin lokal. Pyetjet e këshilltarëve adresohen në drejtim të sekretarisë së kuvendit komunal dhe pastaj sekretaria i dërgon drejt administratës. Ne e kemi obligim ligjorë që të i përgjigjemi çdo pyetje të këshilltarëve apo çdo lloj interesimi të cilën ata e paraqesin.

Si i vlerësoni diskutimet e ashpra në kuvendin komunal i kontribuon ky lloj i debatit një parlamentarizmi të mirë?

Salihu: Ka tension në kuvendin komunal dhe është normale deri diku që ballafaqimet politike të kenë tension përplasje por duhet të angazhohemi që këto të jenë në suaza të normales. Unë si kryetarë i kuvendit do të mundohem të komunikojë edhe me opozitën. Unë jam munduar që nga fillimi të krijojë një standard komunikimi në veçanti para seancave të kuvendit komunal të ftoj kryetarët e grupeve të këshilltarëve që të diskutojmë mbi rendin e ditës në mënyrë që seanca të kalojë pakë më lehtë. Nuk është se ka një gatishmëri të opozitës që të krijoj një bashkëpunim, deri diku edhe i mirëkuptoj por kjo nuk do të thotë që edhe vullneti i shumicës të mungoj.