Salihi: Jam gati, Skënderbeu më i mirë i mundshëm!

/ 3 minuta lexim

Trajneri Mirel Josa është qetësuar disi. Sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Hamdi Salihi, autori i pesë golave në kualifikueset e Championsit, do të jetë gati për ndeshjen e nesërme në “Elbasan Arena”, e para në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Shkodrani ka ndjekur një procedurë rikuperimi me serben që përdor metoda speciale dhe që njihet në gjithë Botën, ndaj ka arritur të sfidojë edhe kohën.

Ai u dëmtua në javën e dytë të kampionatit, kur po luante ndaj skuadrës së zemrës, Vllaznisë, në Pukë. Tashmë i është bashkuar grupit kuqebardhë në stërvitje dhe pret të japë kontributin e vet ndaj Beshiktashit, një kundërshtar mjaft i vështirë. “Prej të hënës e kam filluar stërvitjen me ekipin. Mund të them se nuk ndiej shqetësime, por nuk jam në 100% të mundësive. Duhet të shohim stërvitjen e fundit, një ditë para ndeshjes me Beshiktashin, për të parë si do të jetë gjendja ime, transmeton telesport.
Bashkë me stafin mjekësor dhe trajnerin Josa do të marrin një vendim të drejtë e professional, por pozitive është që gjërat po shkojnë më mire se e kasha menduar. Iu nënshtrova për 3-4 ditë një terapie në Beograd, te një mjeke që përdor disa metoda speciale dhe që njihet në gjithë Botën. Kam rikuperuar muskujt, por kjo s’do të thotë se kam garanci 100%. Më duhet të tregohem shumë i kujdesshëm,” – thotë Salihi në lidhje me situatën e tij shëndetësore pas dëmtimit.

UBT

Luan apo jo vetë, Salihi është i përqendruar shpirtërisht te sfida me Beshiktashin. Përballë gjigantëve turq, sipas sulmuesit të spikatur shkodran, Skënderbeu do të bëjë më të mirën. “Natyrisht, në letër nuk jemi ne favoritët. Dihet se çfarë potenciali, financiar dhe lojtarë e staf teknik, ka Beshiktashi. Po ashtu, futbolli turk është shumë përpara nesh. Ky është vlerësim real i kundërshtarit, por jo kapitullim pa hyrë në fushë.
Madje, as inferioritet nuk duhet të shfaqim, qoftë edhe në mendjet tona, në ndeshjen e së enjtes. Ajo që më pëlqen te Skënderbeu është se pas atyre ndeshjeve kualifikuese që kemi bërë në Champions, kisha frikë se futbollistët mund ta ulnin pak ritmin. E vëreteta është se skuadra ka vetëm rritje dhe nga ndeshja në ndeshje po paraqitet gjithnjë e më mirë. Gjendja aktuale e Skënderbeut është më e mira e mundshme. Fakti që nuk kemi shumë presion përsa i përket renditjes mund të na ndihmojë të luajmë më lirshëm.

Tashmë jemi në një garë ku të gjitha skuadrat pjesëmarrëse nuk vijnë si vizitore. Çdo pikë e marrë në grup e ndihmon shumë klubin, pasi i rritet koefiçenti në renditjen e UEFA-s, sikurse nga ana financiare çdo rezultat pozitiv mund të na ndihmojë. Për mua do të ishte diçka shumë e bukur nëse do të luaja në këtë ndeshje historike, akoma më bukur nëse shënoj gol në sfidën e parë të një skuadre shqiptare në Ligën e Europës.”