Hidromorava

Salih Salihu, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Vitisë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Salih Salihu është kandidati i VV i cili do të garojë në zgjedhjet e nëntorit për kryetar të Komunës së Vitisë.

Të premten Qendra e Lëvizjes VV në Viti mbajti konferencë për media me ç’rast u fol për zgjedhjet e brendshme në këtë qendër si dhe u shpall kandidati i Lëvizjes VV për kryetar të Komunës së Vitisë, i dalë pikërisht nga këto zgjedhje.

Gjatë tërë ditës së martë, aktivistët e Lëvizjes VV në 15 Pika të Komunës së Vitisë, kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune. Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur ditën e martë, pastaj është pritur 24 orë dhe pranë Komisionit Zgjedhorë ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë.
“Ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të statutit dhe rregullores për zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VV. Nisur nga ky konstatim, sot shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidatin për kryetar komune në Viti, profesor Salih Salihun, i cili ka fituar 98.00 % të votave. I urojmë profesor Salih Salihut suksese ne zgjedhjet lokale te cilat do te mbahen më 3 nëntor”, tha Osman Mustafa nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës së Lëvizjes VV në Viti.

Kurse kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë, Salih Salihu, i cili iu shprehi mirënjohje dhe i falënderoi aktivistët e VV në Viti për besimin që ia dhanë tha se dua të ju siguroj që energjia dhe potenciali im politik e profesional do të jenë plotësisht në funksion të arritjes së fitores së 3 nëntorit, e cila do të shënojë fundin e një periudhe të gjatë të keqqeverisjes dhe fillimin e mbarë të një qeverisje të bazuar në vullnetin dhe interesat e qytetarëve të Vitisë, tha ndër të tjera Salihu.

Fundamenti

Duke folur për prioritetet që ka për zhvillimin e komunës së Vitisë, Salih Salihu, tha se së bashkë me aktivistët e Lëvizjes VV do të lidhë kontratë me qytetarët e Vitisë, për një qeverisje që ka prioritet zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë, e jo për një qeverisje që lë anash këtë sektor. “Një qeverisje që bujqësinë e trajton si mundësi zhvillimi ekonomik dhe rritje të prodhimit e punësimit. Qeverisje që do të ofrojë mbështetje profesionale për bujqit, blegtorët dhe pemëtarët, dhe që do të krijojë klimë favorizuese për investitorët vendorë e të diasporës në fushën e biznesit, prodhimit dhe industrisë ushqimore përpunuese”, tha ndër të tjera Salihu.

Kryetari i Lëvizjes VV, Albin Kurti, përgëzoi Qendrën e Vitisë që kanë zgjedhur kandidatin e duhur, në vendin dhe kohën e duhur.“Salih Salihu, ka studiuar dhe ka doktoruar në Universitetin e Vjenës në Austri. Ai është profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës dhe njëkohësisht ka një fermë bujqësore në Komunën e Vitisë. Ka mbajtur ligjërata në universitete të ndryshme, si dhe ka shumë punime shkencore të botuara në revista të ndryshme. Pra, ai është njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur” tha Kurti.

Duke folur për mungesën e zhvillimit ekonomik në Viti, Kurti shtoi se Vitia, jo vetëm që është karakterizuar nga keqqeverisja dhe mungesa e politikave për zhvillim ekonomik dhe social, për këtu kemi edhe shansin e humbur. “Vitia ka shumë tokë pjellore, dhe bujqësia sikurse lavërtaria dhe perimtaria do të mund të zhvilloheshin shumë më tepër, mirëpo këto fusha nuk e kanë pas përkrahjen e duhur as nga institucionet lokale, as nga ato qendrore. Njësoj si në të gjithë Kosovën, edhe në Viti ka ndodhur deindustrializimi përmes privatizimit, me ç’rast bujqësia e zejtaria janë zëvendësuar me tregti që kryesisht është e bazuar në import. Fabrika “Vinex” në Viti, që ka prodhuar bulona, gjilpëra, madje edhe armatura, prej 500 punëtorëve sa i kishte dikur, tash nuk i ka as 50”, u shpreh Kurti.

Ai përmendi edhe problemet politike të kësaj komune, si decentralizmin me baza etnike përmes të cilit u krijua Komuna e Kllokotit e u përgjysmua Vitia, dhe problemin në fshatin Debëlldeh lidhur me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë./rajonipress/