UBT

Salih Hasani sjell perspektiva të reja në librin “Joga dhe Sporti”

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në qytetin e Gjilanit, një ngjarje kulturore e veçantë mblodhi të mërkurën dashamirës të sportit dhe të literaturës në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli”, ku u promovua libri “Joga dhe Sporti”, një vepër që sjell në dritë përvojën dhe mendimet e një prej figurave më të njohura të sportit gjilanas, Salih Hasani.

Ky libër është pritur me interes të madh, duke ofruar një perspektivë të re mbi lidhjen mes trupit dhe mendjes përmes sportit dhe jogës.

Në fjalën e tij gjatë promovimit, drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, Kushtrim Zeqiri, theksoi se Salih Hasani është një figurë me një vizion të madh që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin gjilanas, veçanërisht në frymëzimin e të rinjve për t’u marrë me karate.

“Libri sjell në fokus dy tema kyçe: harmoninë e trupit dhe harmoninë e mendjes” tha Zeqiri, duke nënvizuar se kjo vepër pasqyron gjithë jetën dhe punën e autorit dhe mund të konsiderohet si një gur themel për sportin e jogës dhe karatesë.

Raif Musa, instruktor i karatesë dhe anëtar i këshillit redaktues të librit, vlerësoi se ky libër shkon përtej kufijve lokalë, duke sjellë në vëmendje një praktikë që ende nuk është shumë e njohur në Kosovë, megjithëse ka një numër të madh ndjekësish.

Ai theksoi se Salih Hasani, me përkushtimin e tij të palodhur, ka krijuar një libër të veçantë, një pasqyrim të karakterit të tij të jashtëzakonshëm.

Hidromorava

Ish-karateisti Hazir Mustafa, një ndër nxënësit e parë të trajnerit Hasani, evokoi kujtime nga themelimi i Klubit të Karatesë “Zenel Hajdini” në Gjilan dhe deri në vitet e nëntëdhjeta, kur klubi mori emrin Drita.

Mustafa theksoi se Hasani meriton të nderohet dhe të çmohet për kontributin e tij të madh.

Ismet Bunjaku, një tjetër ish-nxënës i trajnerit, përmendi se që në atë kohë Hasani kishte përfshirë jogën në stërvitje dhe diskutoi rëndësinë e saj, ndërsa Arsim Ibrahimi, kryetar i KK Drita, foli për periudhën pas pranimit të karatesë kosovare në WKF, duke theksuar se Gjilani është një qytet që ka arritur të korrë suksese të mëdha në skenën botërore të karatesë.

Në fjalën e tij, autori Salih Hasani përshkroi historinë e karatesë në Gjilan që nga themelimi i klubit të parë në vitin 1974, duke theksuar lidhjen e ngushtë mes përgatitjes fizike dhe asaj mendore, një lidhje që, sipas tij, kuptohet më së miri përmes praktikës së jogës dhe leximin e këtij libri.

Përveçse ishte një nga themeluesit e Klubit të Karatesë “Zenel Hajdini”, Salih Hasani kishte nisur të merrej me karate që nga vitet ’70 dhe më vonë emigroi në Gjermani, ku punoi me mjeshtra të karatesë nga e gjithë bota, duke e shpalosur ekspertizën e tij në seminare dhe ngjarje të ndryshme ndërkombëtare.

Poashtu, pritet që së shpejti të botohet edhe libri i dytë nga Salih Hasani./rajonipress/