Sali Berisha: As me LVAN-in, as me PDK-në, por me Kosovën!

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njëherësh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në emisionin “Info-Box” të Radio Dukagjinit, ka theksuar se dëshira dhe urimi i tij vëllazëror është që t’i jepet sa më parë fundi bllokadës institucionale në Kosovë.
“Kjo që po ndodh është në interesin më të keq të Kosovës. Ndaj, uroj dhe dëshiroj që sa më shpejt të konstituohen institucionet, dhe që qeverisja në Prishtinë të marre kursin e saj normal”, ka deklaruar Berisha, transmeton Telegrafi.
Ish kryeministri i Shqipërisë ka thënë se nuk din raste të vonimit të konstituimit të institucioneve, në vende të pavarura dhe me një popullsi homogjene, siç është rasti i Kosovës.
“Kosova, pavarësisht problemeve që i ka patur, çdo herë i ka zgjidhur në mënyrë demokratike dhe me marrëveshje. Besoj se edhe kësaj here do të ndodh e njëjta”, ka deklaruar ai.
I pyetur se cilit krah i mban anën (Bllokut LVAN apo Partisë Demokratike të Kosovës – PDK), Berisha ka thënë se “unë e kam të pamundur të pozicionohem me njërën apo tjetrën palë”.
“Unë gjithnjë jam me Kosovën”, tha ai.
Ndryshe, Kosova tash e pesë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit, po ballafaqohet me një bllokadë institucionale në mungesë të kompromisit të subjekteve politike për t’i krijuar institucionet. /Radio Dukagjini/Telegrafi/