Hidromorava

Safet Rexhepi dhe 20-vjetori i mbajtjes së kuizit të diturisë…

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Kur e vizituam Gjimnazin e Ri, në Gjilan, atë kohë shkollarët ishin akoma në orët e mësimit. Hymë te Bekim Mustafa, drejtor, i cili na priti mjaft mirë. Pas pak kohe e takuam Safet Rexhepin, profesorin e gjeografisë. Mësuam vetëm fjalë të mira për këtë profesor të kësaj vatre të dijes që ka bërë emër.

Safet Rexhepi ishte e mbeti punëtor modest i punës arsimore. Nuk flet shumë, por rezultatet e punës së tij nuk i mungojnë. Ai nuk lavdërohet dot, por shkollarët e rinj e profesorin e tyre e lavdërojnë. Ata kanë vetëm fjalë miradije. Pse jo? Ai çdo ditë është i tyre. I tyre është në orët mësimore, por i tyre është edhe organizimet e kuizeve të diturisë nga lënda e gjeografisë. Shtuam në fillim: Ai nuk lavdërohet. Ai punon dhe rezultatet nuk i mungojnë. Kur e takuam, ai së shpejti nxori fletoren e na tregoi shënime që i ruan si ditar pune. I ruan ato shënime me xhelozi. Pse jo? Aty ka shënime jo të ngjarjeve të ndryshme, por shënime nga procesi mësimor.

Ato shënime Safeti i ruan kaherë dhe i ruan me xhelozi. Ai, sa herë ka mbajtur gara me shkollarët e gjimnazit, rezultatet e kuizit i ka shënuar në fletoren e tij. I ka shënuar dhe i ka ilustruar me fotografi. “Shih, na tha Safet Rexhepi, – kur ishte Bujar Nevzadi, drejtor i Arsimit në Gjilan, më pati thënë se, këto shënime duhet të ruhen për një kohë pak më vonë. Po i ruaj, se jam në prag të pensionimit, dhe kur do t’më afrohen ditët, do t’ia afroj këto shënime ndonjë botuesi për ta bërë një libër. Pra, me këto shënime do ta bëj një libër. Ia vlen, sepse këtu ka rezultate e suksese të jetës shkollore. Unë nuk kam hezituar të punoj me të rinj, sepse përherë e kam dashur jetën me ditar në dorë, si në Dardanë e në Gjimnazin e Gjilanit.

Pra, sivjet po e shënoj 20-vjetorin e mbajtjes së kuizit të diturisë nga lënda e Gjeografisë në Gjimnazin e Gjilanit. Siç dihet, Aktivi i lëndës së Gjeografisë, nga viti shkollor 1993/1994, në udhëheqjen time kam mbajtur me qindra orë të kuizit të diturisë. Në këtë kuiz janë përfshirë nxënësit e të gjitha drejtimeve të shkollës sonë. Këto janë kuize dhe suksese të punës sime e të shkollarëve tanë”.

ARKATANA

Sa herë vijnë festat e shkollës apo shtetërore, Safet Rexhepi, profesor i gjeografisë nuk i harron rezultatet dhe sukseset e shkollarëve, të cilët janë ndarë të kënaqur tej mase. Por, shpërblimet nuk kanë munguar: me ndonjë libër, atlas e të tjera. Pra, për festat tona, sidomos të sferës së arsimit, ai organizon gara nga lënda e gjeografisë, të cilat gara janë joshëse për shkollarët e rinj. Për këtë aktivitet shembull, ai ka marrë shumë mirënjohje e fletëlavdërata.

Pse jo? Ky pedagog është i tëri i lidhur më shkollën, shkollarët e me organizimet tjera shkollore. Ky profesor vjen nga fshati Pallçishtë i Poshtëm, komuna e Tetovës. Në Gjimnazin “Zenel Hajdini” është punësuar në vitin 1994. Për angazhimin e tij në procesin mësimor është shpërblyer me këto mirënjohje, fletëvdërata. Nga gjimnazi i Gjilanit i ka marrë këto mirënjohje dhe fletëlavdërata: ”Lavdëratë për kl XI-9 për numrin e vogël të mungesave në shkollë, gjatë vitit shkollor 2005-2006; më 12 qershor të vitit 2006 mori një lavdëratë si punëtor i dalluar në kryerjen e detyrave të punës; më 14 maj 2007 mori një mirënjohje për përkushtimin në procesin mësimor dhe organizimin e kuizit na lënda e gjeografisë; më 13 maj 2011është shpërblyer me një mirënjohje për përkushtimin në punë “Qëndrim korrekt në mësim dhe klasë të dalluar”; më 13 maj 2011, ai mori një fletëlavdëratë për organizimin e kuizit të diturisë nga lënda e gjeografisë në nivel të shkollë.

Nga drejtoria e arsimit në vitin 2009-2010 është shpërblyer me nga një libër. Në fund të vitit shkollor 2010-2011 për finalistët e kuizit dhe garuesit tjerë të shkollave fillore, kryetari komunës e shpërbleu me një ekskursion nëpër Kosovë. Në fund i shtuam në” Të lumtë, Safet!”./tefik selimi/rajonipress/