Sadri Ferati: PDK s’mund të ndërtojë institucione me 37 deputetë

Deputeti i LDK’së, Sadri Ferati ka thënë po presin nga Gjykata Kushtetuese legjitimimin e vullnetit të shumicës së deputetëve të cilët kanë marrë vendim për votimin e Kryetarit të Kuvendit. Ai ka thënë se PDK e ka kuptuar se me 37 deputetë s’ndërtohet as Qeveria e as Parlamenti. Në një intervistë për Express, Ferati ka folur edhe për zgjedhjet në LDK dhe aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës.
Express: Cilat janë pritjet e LDK’së sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës?
S. Ferati: Siç dihet edhe materia që i është dërguar Gjykatës Kushtetuese lidhet ngushtë me një çështje se çka nënkuptohet me Grupin më të madh parlamentar. Ne mendojmë se e drejta e deputetëve për të formuar grup parlamentar është e pakontestueshme dhe është e definuar edhe në Kushtetutë edhe në Ligje. Mendojmë se tani vullneti i deputetëve është treguar dhe koalicioni dhe deputetët individualisht nga lista e LDK’së, Aleancës dhe NISMËS e kanë formuar një grup parlamentar. Ne presim që pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese do të vijë në shprehje edhe ky vullnet me çka kënaqet parimi bazë i demokracisë që shumica vendos. Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është obligativ dhe unë mendoj se duhet ta zbatojnë të gjithë pa kontestime.
Express: Ka pasur komente edhe prej zyrtarëve të PDK’së se koalicioni i ardhshëm do të jetë mes Partisë së Isa Mustafës dhe me atë të Hashim Thaçit?
S. Ferati: Nuk kam asnjë informacion s’e është diskutuar në këtë drejtim. Përkundrazi, kemi me dhjetëra deklarata të zyrtarëve të lartë të LDK’së se koalicioni që është përcaktuar LDK është me AAK’në dhe NISMËN. Nuk e kam idenë se kah ka dal kjo ide e PDK’së. Mirëpo, PDK një diçka e ka kuptuar se 37 deputetë nuk është shumicë dhe nuk mund të ndërtojë institucione. As kur lidhet me Parlamentin dhe Kryetarin dhe as me kabinetin qeveritar. Deklaratat që tani sillen që të formohet një qeveri gjithëpërfshirëse janë vetëm dëshira, ndërsa, për koalicion unë nuk kam asnjë informacion tjetër.
Express: A kanë nisur diskutimet për ndarjen e posteve qeveritare apo marrëveshje ka mbetur ende e papërfunduar?
S. Ferati: Realisht, ende s’është diskutuar për ndarjen e posteve qeveritare dhe posteve tjera institucionale. Tani po presim një qartësim sepse edhe ndërprerja e diskutimeve me Vetëvendosjen ka ndodhur pikërisht të dihet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj të shkohet në detajet tjera. Për të mos pasur dy herë punë ne jemi duke pritur qartësimin e procedurave dhe pastaj definimi i marrëveshjes. Mbetet të shihet se a do të ketë marrëveshje përfundimtare me Vetëvendosjen që ajo të jetë pjesë e marrjes së përgjegjësive në ndërtimin e Qeverisë.
Express: Praktikisht, ende besoni në një marrëveshje për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen?
S. Ferati: Po, bashkëqeverisja me VV është e dëshirueshme. Realisht, përfshirja e Vetëvendosjes në Qeveri e rrit numrin e deputetëve të koalicionit dhe e rrit stabilitetin sepse nuk duhet të lihet qeverisja në vullnetin e katër-pesë deputetëve. Pasi gjithmonë mund të gjinden katër-pesë deputetë që mendojnë ndryshe. Në procese të rëndësishme çfarë pritet të përballen Qeveria dhe Parlamenti nuk duhet të mbesin në varshmëri të katër-pesë deputetëve. Është e dëshirueshme që qeverisja të ndërtohet me më shumë se 65 deputetë sa ishte votimi i fundit për Kryetar të Parlamentit.
Express: Sivjet parashihet të mbahen zgjedhjet në LDK. Ka pasur edhe disa emra të mundshëm për Kryetar të LDK’së. A mund të jetë përsëri Kryetari aktual Isa Mustafa udhëheqës i partisë tuaj?
S. Ferati: Së pari, nëse shikohet mandati katërvjeçar, këtë vit, në nëntor mbushen katër vite me çka preferohet që të mbahen zgjedhjet partiake. Por, unë nuk besoj se derisa zgjat çështje e ndërtimit të institucioneve që LDK do të mund të merret paralelisht edhe me atë proces. Pra, duhet të përfundojë procesi i ndërtimit të institucioneve e pastaj a do të mbahen në tetor apo vitin e ardhshëm mbetet me pa. Teorikisht, secili anëtar e qytetar mund të jetë kandidat për Kryetar të LDK’së. Mirëpo, mbetet të shihet edhe bilancet e suksesit, pastaj edhe lodhjet e ndryshme, pastaj projektimet janë disa faktor që ndikojnë para se të dalin dhe të nominohet. Deri më tash çka është thënë është mendim individual. Nuk po besoj se deri tash në LDK kemi një kandidaturë të formësuar që është shtrirë nëpër struktura dhe degë.
Express: Si e shihni aksionin e sotëm të policisë së Kosovës e cila ka arrestuar 40 persona të dyshuar për vepra terroriste? Është veprim i duhur apo është dashur që të ketë parandalim, edukim dhe pastaj veprime?
S. Ferati: Nuk kam informacione të sakta se cilat janë të dhënat paraprake, por gjithmonë aksionet duhet të jenë të vazhdueshme edhe në parandalim, edhe në veprime konkrete. Forcimi i shtetit është interes të qytetarëve dhe i kontribuon gjithë njerëzve por edhe në interes të partnerëve dhe rendit botëror. Jo vetëm në këtë drejtim, por në përgjithësi, Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimit dhe që të forcohet rendi brenda në shtet dhe sidomos atë çka lidhet me qytetarët. Mendoj se edhe kjo është një mësim se duhet të veprohet mirëpo nuk duhet të jetë ky vetëm një aksion që pret muaj për aksion tjetër. Në përgjithësi, gjithçka që lidhet me zbatimin e ligjit dhe kushtetutës dhe luftës kundër terrorizmit duhet të veprohet dhe të ndërtohen kapacitete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për të mbrojtur Shtetin dhe qytetarët.