Sadovina e Jerlive revoltohet në AKP

Gjilan – Me rastin e nxjerrjes në shitje të tokave tona stërgjyshore, komuniteti i fshatit Sadovinë e Jerlive i indinjuar thellë nga ky vendim i Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), pas disa takimeve të mbajtura me bashkëfshatar, ka marrë vendim që tu bej apel të gjitha instancave shtetërore, e në veçanti Bordit të AKP-së që të kenë mirëkuptim dhe të analizohet në detaje pronësia e tokave të ofruara për privatizim në Valën e 60 të privatizimit.
Toka jonë apo siç është bërë në përshkrimin tenderues zonat kadastrale me numër 438/1,67/0 dhe 426/1 të cilat ndodhen në fshatin Sadovinë e Jerlive sipas përshkrimit tuaj, para marrjes në shfrytëzim nga kooperativat e periudhës komuniste, gjatë viteve te 50-ta sigurisht se kanë pasur një pronar dhe sipas nesh pronari i vetëm dhe legjitim është vetë komuniteti i fshatit tonë thuhet në reagimin e banorëve drejtuar AKP-së, raporton rajonipress.
Për të argumentuar këtë duhet tu a bëjmë me dije të gjithëve se pronat në fjale, me po të njëjtat shifra te identifikimit, në asnjë libër kadastral nuk janë të evidentuara siç thuhet në përshkrimin tenderues “Tokat afër fshatit Sadovinë e Jerlive” por me gjuhën e kohës, apo thënë me konkret me gjuhën e pushtuesit tonë shekullor këto ngastra në librat kadastrale janë të evidentuara me emrin “Avdulov Zabran”, çka automatikisht na bëjnë të kuptojmë se këto ngastra janë uzurpuar nga pushteti i atëhershëm pa asnjë kompensim.
Argument tjetër është edhe periudha e fillimit të shekullit XIX, periudha e sundimit Osman, ku dihet nga të parët tonë se që atëherë nuk na ishte uzurpuar prona në fjalë, por kjo pronë bashkë me njerëzit e asaj kohë me stërgjyshet tanë u ofroj strehim dhe ushqim , u ofroi edhe djem të pushkës që të çliroheshim nga sunduesi. Atëbotë nuk u morr në përgjegjësi askush nga ata të cilët sot pretendojnë se janë pronarë të këtyre tokave, por u vunë para litarit dhe u dogjën deri në themel banorët e fshatit tonë pikërisht për faktin se ishin të zotët e këtyre tokave.
E paguam me gjak çmimin e kësaj e toke, na u uzurpua dhunshëm duke zhdukur çdo gjurmë e pronësisë, u dëbuam dhunshëm nga këto toka dhe na u mohua e drejta e pronësisë, e sot kur pretendojmë të jemi të lirë, toka jonë që na ushqeu me bukë, e ne e ujitëm me gjak, po nxirret në shitje duke marrë për bazë dokumentacionin e përpiluar dhe shumë rënd të falsifikuara nga dora e pushtuesit.
Andaj, të nderuara Institucione të Republikës së Kosovës, e në veçanti ju të nderuar anëtarë të Bordit të AKP-së, merrni parasysh shqetësimet tona, keni parasysh shtrembërimet dhe falsifikimet që janë bërë me vite, shqyrtoni kërkesën tonë me kujdes dhe bëni një zgjidhje duke na mundësuar neve si banorë autokton të kësaj toke që të gëzojmë tokat tona. Nuk po kërkojmë lëmoshë edhe pse jemi të dëmtuar por na e mundësoni që ta rikthejmë këtë prone duke e kompensuar materialisht me një çmim të arsyeshëm të tregut, e mos na futni në garë me matrapaz e dallavergji për tokën tonë që na ushqeu me shekuj, për tokën që i dolëm zot duke u përballë edhe me lakun rrëqethës të litarit.
Ne jemi të gatshëm që prapë t`i dalim zot tokës sonë, por shpresojmë t`i zotërojmë me mirëkuptim këto prona, përfundon komunikata për media e dërguar nga këshilli i fshatit Sadovinë./rajonipress/