Sabri Fejzullahu flet për 47 vitet e tij në skenë

Intervistë: Sabriu flet për 47 vitet e tij në skenë, për fitoren e Shpend Ahmetit, për luftën… Këngëtari Sabri Fejzullahu, në një intervistë për Express, flet për karrierën muzikore, miqtë, familjen… Flet për fitoren e Shpend Ahmetit, djalit të mikut të tij të ngushtë, Ali Ahmetit.
Edhe kur është i lodhur, i dremitur Sabriu Fejzullahu çlodhet para publikut të tij.
Kështu së paku thotë ai në një intervistë për Express. Shumë këngë, të gjitha të interpretuar me një emocion të paparë nga ai, e bën atë njërin prej këngëtarëve më të veçantë që publiku shqiptarë e dëgjon pa u mërzitur.
Shumë dashuri, shumë këngë ka dhënë Sabriu për publikun kurse sot thotë se kjo dashuri po i shpërblehet, sepse tani atë po e donë më tërë zemrën 10 nipat dhe mbesat e tij.
Në këtë intervistë, Sabriu zbulon sekretin e tij kur kishte filluar të këndojë në koshin e drithit si shtatë vjeçar në shtëpinë e tij, për zgjedhjen e Shpend Ahmetit kryetar të Prishtinës, për të cilin i mbushen sytë lot për shkak të miqësisë së tij me babin e tij Ali Ahmeti, për të cilin thotë se asnjëherë nuk e shikojë të pa buzëqeshur gjatë gjithë jetës se tij.
Sabriu në këto 47 vjet e ka marrë epitetin e këngëtarit “avangardë” kosovarë, sepse qysh herët dëgjojë Beatles, Toto Kotunjo, Adriano Celentano nga të cilët u frymëzua, e Rolling Stones. Ai ishte i pari që solli frymën e muzikës moderne në Kosovë.
E bëri këtë për të ecur me kohën, siç thotë ai, “për të mos i ruajtur delet dhe buallicat”.
Për më shumë lexoni intervistën e gjatë në Express të njeriut që për 47 vjeç qëndrojë në skenë pa u lëkundur duke derdhur djersë në çdo pore të trupit të tij për publikun, pa dashurinë e të cilit ai nuk do të ishte sot këngëtarë.
Express: A mund të na tregoni se ku dhe në cilin vend keni kënduar për herë të parë, si profesionalisht ashtu edhe në mënyrë amatore?
Sabriu: Në vitin 1912, hahahaha. Këngën e parë e kam këndu për Radio Televizionin e Prishtinës në vitin 1967, profesionalisht po mendojë, me orkestrën e madhe simfonike. Ajo këngë quhej “Tash jo”. Kjo është kënga e parë profesionalisht. Ndërkaq kam filluar që të këndojë që në klasën e parë fillore. Por, flasim sinqerisht kam kënduar në kosh të kallamboqit (misrit) kur isha fëmijë. E kemi pasur një kosh me misër apo me kallamboq në oborr të shtëpisë. Unë futesha aty sepse me vinte marre me m’pa miqtë, mysafirët duke kënduar aty dhe këndoja. Kryesisht këndoja këngë që i kam dëgjuar nëpër radio, pra këngë që i kanë kënduar të tjerët. Pastaj kur u bëra në moshën e adoleshencës në vitin 1964 fillova të këndojë atë çka këndonin Beatles, Rolling Stones. Fillova me ecë me kohën që nga atëherë.
Express: Realisht ju njiheni si njëri prej këngëtarëve që keni kënduar kryesisht muzikë moderne që nga fillimet e karrierës suaj?
Sabriu: Këtë e dinë të tjerët, unë nuk e di. Por, ashtu sikurse të gjithë artistët frymëzohen prej dikujt edhe unë i kam marrë si mostër ata, pra Beatles dhe pastaj pak më vonë, viteve 65-66 kam filluar që ta dëgjojë shumë “kanzonën” (këngën) italiane. Psh Adriano Celentano, Giani Morandin, Minën, Don Bakin pastaj Tom Jones, Toto Kotunjo, BJ e kështu me radhë, e që ka qenë avangardë në atë kohë. Por, natyrisht unë kam kënduar shqip, se i babës Hazir e i nënës Zyhraje, por intencat e mija ishin që mos të mbes gjithmonë bari i deleve. Unë kam lindur në Prishtinë. Familja e ime është që 200 vite në Prishtinë po kemi pasur dele, lopë e buallica dhe unë nuk kam pas qejf të mbes vetëm çoban nëpër Dragodan, në Buçincë dhe Karabela duke i ruajt lopët dhe delet. Pra nuk kisha dëshirë që t’i ruaj delet dhe lopët dhe kisha dëshirë që të ecë me kohën, me civilizimin dhe kisha dëshirë që të marrë gjithçka ishte e mirë si shqiptarë natyrisht.
Express: Kush e zbuloi talentin tënd? Kujt i falënderoheni që e zbulojë këtë talent që e nxori prej koshit të drithit në skenë?
Sabriu: Unë studioja për aktor në vitin 1967. Profesori i jonë i nderuar Akil Koci, i cili na ligjëronte muzikën, sepse ne përpos lendeve profesionale që kishim, interpretimin, diksionin, lëvizjen skenike, historinë e artit, historinë e letërsisë shqipe pjesën e parë dhe të dytë, kishim edhe lëndën e muzikës. Aty me dëgjojë duke kënduar në korridor. Unë atëherë për rininë e Prishtinës isha shumë i njohur sepse kam qenë njëri prej themeluesve të parë të grupit orkestral vokalo – instrumental, “Edisonët” , kështu quheshim në atë kohë, bashkë me Shpend Bajramin, Bujko Gami djali i Malo Gamit, Hilmi Statovci, Adnan Sylejmani dhe unë si solist vokal. Dmth unë këndoja nëpër këto ballo që mbaheshin në Prishtinë tek kjo ndërtesa e ish UNMIK-ut, por atëherë ishte e armatës jugosllave në të cilën ishte një pishinë dhe unë këndoja me grupin aty. Unë të premteve dhe të shtunave kam kënduar aty gjithmonë për rininë në vitet 64, 65, 66. Pra, jam themeluesi i parë i grupit vokalo instrumental ndër shqiptarët edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.
Express: Mandej keni marrë pjesë dhe jeni shpërblyer disa herë në “Akorde të Kosovës”?
Sabriu: Po në vitin 1967 fillova menjëherë në Akordet e Kosovës. Në vitin 1967 e zura vendin e dytë me “Dhimbtë krenare” me muzikë dhe orkestrim të Tomor Berishës dhe teksti i Ruzhdi Fejzullahut, vëllait tim të ndjerë. Pastaj nga ai vit unë fillova të marrë pjesë dhe që nga ajo kohë jam shpërblyer 18 herë me shpërblime nga “Akordet e Kosovës”, kryesisht shpërblime të publikut. Në atë periudhë kam punuar këngët e njohura, hite si; “Pranvera në Prishtinë”, “Të fala nga Prishtina”, “Digju digju shpirti i imë”, “Buzë liqenit”, etj, pra 18 herë.
Express: Njiheni si një këngëtarë që e përjetoni në një mënyrë të veçantë interpretimin e këngëve?
Sabriu: Çdo kush e interpreton në mënyrën e vet këngën. Mua aktrimi me ka ndihmuar shumë që ta përjetojë në këtë mënyrë dhe ti jap secilës fjalë kuptimin e saj. Si aktorë profesorët me kanë mësuar si duhet interpretuar një rol, një karakter. Pastaj unë e kam shkëputur atë ndjenjë. P.sh nëse ka qenë teksti “bie shi” unë e kam thënë me një nostalgji ndryshe “shiu” sepse kur bie shi nuk mundet të thotë njeriu duke buzëqeshur sepse njeriu e do shiun pak por jo aq shumë sepse është i ftohtë. Por, këndojë me emocion sepse e kam pasion këngën dhe e këndojë më shpirt.
Express: Cilat janë debatet më të shpeshta që bëni në familje, a flisni për muzikën?
Sabriu: Ju sigurojë se asnjëherë për muzikë nuk flasim, kurrë hiç. Sepse më lodhet r shpirti nëse bisedojë për muzikën. Ndonjëherë bisedojë për kompozitorët, për tekstshkruesit por për muzikën, për këngët e mija që unë i bëj asnjëherë në jetë. Madje nuk kam dëshirë që t’i dëgjojë ato, madje kurrë nuk kam dëshirë që t’a shikojë dhe dëgjojë vetën në televizion. Nuk e di pse por ndonjëherë i gjej 100 gabime dhe mandej nuk më pëlqen vetja.
Express: Jeni artistë, por pak keni folur për atë se si e keni përjetuar vitet e luftës?
Sabriu: Si çdo shqiptarë. Nuk besojë që ka qenë ndonjë shqiptar në këtë rruzull tokësor, sidomos ne në Kosovë, që se ka përjetuar nga shpirti këtë katastrofë, këtë tragjedi dhe gjenocid që është bërë ndaj popullit shqiptarë, fëmijëve, pleqve dhe grave. Edhe unë si gjithë të tjerët e kam përjetuar me lot dhe me dënesë. Po e lidhi këtë me muzikën. Kompozitori Edmond Zhulali e bëri një këngë që kishte tekstin kështu: “Jam Kosova e shqiptarisë, 100 vjet po i thërras burrnisë, por liri askush s’po me jep, tym e flakë po me shkon kjo jetë”, e të cilën e këndonte Arif Vlladi. Kur e dëgjoja këtë këngë, si gjithë shqiptarët edhe tani po me qohen rrëqethjet dhe mua me shkonin lotët rreke, gruas Nerës po ashtu dhe kur ne qanim atëherë qante edhe Ermali me Bulzën sepse u alarmonin me gjendjen tonë. Pastaj me kujtohet edhe kënga e Leonora Jakupi, prapë e kompozuar nga Edmond Zhulali që me ka shti të qajë me lot ditë e natë sa herë ka dal në televizionin e Shqipërisë. Por, mos të flasim edhe për këto skenat tjera, për gjakderdhjet, për masakrat, mos të flasim për ato xhenaze kur i kanë rreshtuar policia serbe, ata të vdekur, ato kufoma këta kriminel. Kurrë në jetë këtë s’e harrojë por nuk kam qejf shpesh ta kujtojë.
Express: Pas luftës ju ishit hyrë edhe në politikë, ku ishit zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës…
Sabriu: Jo unë nuk u futa në politikë. Unë isha lëndë e parë e demokracisë d.m.th që mua me bëri nder Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sepse me mori dhe me bëri deputet të parlamentit të parë, të pranuar ndërkombëtarisht në historinë e popullit shqiptarë të Kosovës. Ndjenjë më të madhe dhe diçka më të madhe dhe më sublime nuk ka për arsye se unë tani kam 10 nipa dhe mbesa dhe kur po i shohin fotografitë të vegjlit po thonë ‘gjyshi çka është kjo, pse je këtu, etj’, kurse unë po mundohem t’i shpjegojë që unë kam qenë deputet i parlamentit të parë. PDK më bëri nderin më të madh që me emërojë për deputet në një mandatë katër vjeçar.
Express: Po si i shihni sot politikën dhe zgjedhjet. Madje, djali i shokut të juaj më të ngushtë Ali Ahmetit, Shpendi e mposhti liderin e LDK-së në Prishtinë pas 14 viteve pushtet të kësaj partie?
Sabriu: Shumë mirë është. Si nuk me ka gëzuar ky fakt. Me ka gëzuar sepse është një diçka e re dhe ka ardhur një djalë i ri që është shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e ka vizionin e tij. Ai ka fituar, e kanë votuar njerëzit dhe unë e duartrokas. Unë e admirojë Shpendin edhe vëllanë e tij Melosin. Unë Ali Ahmetin, babin e tyre e kam pasur mik të shpirtit. Unë kam luajtur me dhjeta e dhjeta role, mos të flasim për emisione televizive më të. Unë Lulen, nënën e Shpendit e kam shoqe këtu e 40 e sa vite. Pastaj edhe fëmijët tonë, sidomos Armendi dhe Adelina të parët, janë rritur me Melosin dhe me Shpendin dhe i dëshirojë shumë sukses dhe vetëm le të ecën përpara. Jo vetëm që e kam njohur por kemi qenë miq familjarë. Aliun e kam pasur si vëlla e përtej vëllait. Çdo të mirë dhe të keqe e kam ndarë më të. Ka qenë një njeriu me një buzëqeshje shumë të madhe. Një njeri me një shpirt shumë të bardhë që e ka dashur shumë jetën. Kurrë në jetë nuk e kam parë atë njeri dikush të mrrolur, gjithmonë duke buzëqeshur por jeta është e këtillë.
Express: Kur Shpendi është hyrë në politikë, Aliu ka qenë gjallë. Çfarë ju thoshte ai për hyrjen e tij në politikë?
Sabriu: E di që nëse do të ishte gjallë do të ishte gëzuar shumë për Shpendin. E di që do të kishte thënë po ashtu se gabojë që hyri në politikë. Sepse kur ishte kjo Fryma e Re, që e themeloje Shpendi me zotin Dedën, ai me tha që Sabri ata e kanë formu një parti. I thashë si me humor se kur të mbajnë koncerte nëpër fushata elektorale le të me thërrasin sepse vi me këndu. Por me tha, jo nuk bën sepse ti je në PDK. I thashë nuk ka lidhje sepse ne jemi njerëz dhe kjo nuk ka aspak lidhje. Por, me tha se ‘që nuk po kam qejf që është hyrë por megjithatë e do politikën. Ka shumë prirje në politikë dhe e do atë por po me dhimbet sepse nuk është koha’. Por, ma lejoni nëse bon një mesazh ku djali i imë Armendi që me ka shkruar nga Anglia, para dy dite për fitoren e Shpendit kështu: “Babi fitorja e Shpendit mundet vetëm pozitive me qenë pas sa kohë të udhëhequr prej njerëzve të tjerë. Koha është për ndryshim dhe Isa me gjithë bagazhin intelektual që e ka mbas vetit megjithatë e nënçmojë fuqinë e sovranit me komentin e fitores ‘me duar në xhepa’ dhe harrojë se vija në mes të arrogancës dhe konfidencës është e hollë”. Pra kështu me ka shkruar dhe me ka pëlqyer çka ka shkru Armendi sepse ai është shkolluar jashtë dhe e respektojë këtë çka ka shkru.
Express: Ta lëmë politikën. Ju jeni një këngëtarë që shumicën e kohës e kaloni në aeroplan për shkak të angazhimeve të juaja të mëdha duke kënduar në diasporë. Sa po ju lodhin këto udhëtime sepse tashmë jeni plakur paksa?
Sabriu: Lodhem shumë për arsye se gjithmonë jam në udhëtime në fund të javës, gjithmonë jashtë. Shpesh shkojë i dërmuar dhe i lodhur në sallë, por në momentin që e shoh sallën plot dhe publikun që me pret me ovacione, sepse unë mundohet krejt shpirtin ta jap për shkak se për ta ekzistojë, për ta punojë, për ta porosisë këngë të reja tek kompozitorët dhe orkestruesit dhe tekstshkruesit, në atë moment e harrojë lodhjen në sekondë. Është çudi! Mundohem gjithmonë që të jap motiv edhe tek të tjerët sidomos me kolegët kur takohemi ato ditë të diela në aeroport ku me thonë se ti je motivi dhe edhe pse jemi të dërmuar e të lodhur kur të shohim ty e harrojmë atë. Me thonë “ti na jep impuls, si me thonë të kemi medikament për çlodhje’. Pra, kur me shohin mua në mëngjes përshëndetëm me ta i buzëqeshur dhe me çmojnë dhe vlerësojnë shumë. Kjo për shkak se i dua, i çmoj dhe i vlerësojë edhe unë shumë.
Express: Ju përpos që jeni artist që i përjetoni gjërat me shpirt. Thuhet se jeni po i dhënë edhe pas natyrës, natyrës së virgjër, jo natyrës me ndërtime? Prej kur keni qenë i vogël keni qenë kështu?
Sabriu: Jo, por kohëve të fundit po. Nuk e durojë zhurmën, nuk e dua mermerin, gjërat e betonuara, ndërtesat e larta, ndërtesat me hekur me xhama shumë që janë – ato janë të bukura natyrisht por unë nuk i dua. Unë e dua vetëm natyrën, i dua drunjtë, ujin dhe cicërimën e zogjve, pra vetëm natyrën.
Express: Çka bëni gjatë kohës kur rrini në natyrë, lexoni…
Sabriu: Lexojë gjithçka. Jam i pasionuar pas leximit. Unë jam njeriu i vetëm që çdo mëngjes kur zgjohem i blejë 5 gazetat tona. Kështu e kam. Gjithmonë lexoj libra të ndryshëm në vazhdim pas leximit të gazetave. Por, me vjen keq se nuk me del kohë shumë tani për shkak se merrem shumë me nipa, me mbesa, me nipat e mbesat e vëllait, nipat e mbesat motrave dhe djemtë e vëllezërve, të dajallarëve, të mbarë farefisit.
Express: Sa po ju donë si gjysh?
Sabriu: Me donë shumë sepse unë i dua. Nuk kishte më mirë në jetë se më i dashtë dhe më të dashtë të tjerët. Shumë ishte gjë e madhe. Këtë po e përjetojë dhe po e shoh gjithmonë këto vitet e fundit.
Express: A do të kishit veçuar ndonjërin nga nipat, mbesat , edhe pse është e vështirë kjo?
Sabriu: I kam dhjetë. E dua Stinën edhe Erën, Stina është e Bulzës kurse Era është e Ermalit dhe ka ardhur në jetë që tri javë, e ruajt i madhi Zot. Ua ruajt të gjithë gjyshërve dhe gjysheve në rruzullin tokësorë nipat dhe mbesat. Mirëpo, për Artin e Ermalit çmendem. Nuk e di , jam i sëmurë pas tij. E çuditshme është se Arti nuk këndon, madje lidhje me muzikë nuk ka për të kënduar. Kjo është çudi, nuk e di pse?
Express: Ermali ka shkuar rrugës së juaj si këngëtarë. Sa e kaloni kohën më të pasi që ai është në Kosovë për momentin dhe sigurisht takoheni më shumë më të?
Sabriu: Ermali ka qenë më së shumti afër meje në familje, por Ermali tani ka krijuar familjen e tij, i ka tre fëmijë, jeton në shtëpinë e tij. Takohemi, për të mos gënjyer, çdo të tretën apo katërtën ditë, ndonjëherë shkon një javë. Dëgjohemi me telefon shpesh, kryesisht e thirr mamin e vet Nerën por edhe mua, pak më rrallë. Për mua nuk ka gjë, sepse jam mashkull dhe e kuptojë por për nënat është pak më vështirë. Por, çdo gjysh ka nevojë për nipërit dhe mbesat tona por tashmë jeta është e këtillë sepse të gjithë duhet të vrapojmë pas punëve dhe gjithë rinia përfshirë edhe nuset e juaja dhe ne, gjyshërit, ngelemi vet, jo pse fëmijët donë, por jeta është e këtillë sepse jemi në shekullin 21.
Express: Jeni që 47 në skenë në bazë të llogarive të mija. A jeni ndjerë ndonjëherë ngushtë, a ka ndodhur që ndokush ndonjëherë me ja vra këngën?
Sabriu: Ka shumë momente që jam ndjerë keq. Në lidhje me këngën me kujtohet në vitin 1993, muzika e lehtë ajo muzika zbavitëse që këndoja unë nuk u dëgjonte fare sepse Kosova ishte në okupim e sipër. Një koleg i imi, me emrin Ejup Rexha, këndonte këngë popullore dhe shkonte të këndonte nëpër dasma. Unë këndoja nëpër dasma bashkë me Naim Abazin dhe Mihrije Brahën dhe ata me kanë marrë mua. Ata për mua janë njerëz shumë të mëdhenj, miq shumë të mirë dhe koleg të çmuar që unë i respektojë shumë. Ky Ejup Rexha me tha bëhu gati diku në orën 5 pasdite do të vijë para dere të marrë dhe të shkojmë në një dasmë. Me tha “sa i kërkon”, i thashë “50 marka” sa për ta siguruar bukën edhe pse isha emër dhe mbiemër i madh i muzikës por që kjo kënga e ime nuk dëgjohej, dëgjohej kënga tjetër. Ishte një radio që quhej “Radio Selavi” që funksiononte e në të cilën lansohej një muzikë tjetër. Nuk erdhi të me merr, edhe pse prita tri orë para dyerve të shtëpisë sime. Nuk erdhi! Por, më e zeza të nesërmen shkova të shtëpia e tij dhe i thashë: ‘Ejup kam pritur të shtëpia për tri orë’ kurse unë isha më i moshuar se ai dhe me vjen keq, por edhe emër më shumë se ai. Ai me tha: ‘Aiii nuk me ke ra në mend, çka këndon ti, ato këngë nuk i donë njerëzit sepse njerëzit donë me kërcy me u kënaq’. Devre dyja, në vitin 2000, në një ekip unë Sinan Vllasaliu, Adelina Ismajli, etj shkuam bashkë me Eurokoha në një koncert në Londër dhe në tërë Europën. Shkuam në Londër dhe e shoh në sallën prej 2000-3000 njerëzish, e shoh Ejupin ulur edhe nuk munda, sepse jam artist e ndjejë edhe të mirën edhe të keqen, sepse unë e përjetojë edhe një fjalë kur me thotë dikush ‘bravo për këngën’ gëzohem më shpirt, por nëse me lëndon në shpirt sikur ai atëherë i them pse “s’ke pas të drejtë”. Atëherë në sallë thashë: “Zonja dhe zotërinj të nderuar, me falni”, ai aty ishte me bashkëshorten e tij që kam shumë respekt edhe për të edhe për bashkëshorten, “ky zotëriu këtu që është i ulur (kinse s’po ja di emrin edhe pse e kisha të mahallës) ky i vetëquajturi këngëtarë” edhe e shpjegova rastin dhe mandej thashë se “a po e sheh gjithë këta njerëz se çka po bëjnë pas vogëlsisë sime si këngëtarë me këto ovacione. Në fund i thashë: “Tjera herë mos ma vrajë këngën mua as askujt mos ma lëndo zemrën, zemrën ta hongsha”. I thashë që nga viti 1967 këndojë profesionalisht andaj mos ma vrajë zemrën, pra ky ka qenë një rast por ka edhe X raste të tjera.
Express: Pas luftës u panë shumë përçarje në estradë, apo gjithmonë ka qenë e përqarë estrada?
Sabriu: Gjithmonë ka qenë estrada e përçarë. Ekzistojnë xhelozi në estradë por për të mirë besojë. Nuk kam dëshirë të flas për gjëra të këqija por çdo këngëtarë në këtë botë e ka publikun e vet.
Express: Zakonisht kur këndoni me kënd jeni bashkë më shumë. Me cilët kënaqeni më shumë?
Sabriu: Kur jam me Sinan Vllasaliun, me Genta Ismajlin, me Adelina Ismajlin, kur jam edhe më të tjerë, ndoshta e harrova ndokë, por me kënaqet shpirti. Sepse e njohim njëri – tjetrin dhe jemi koxha vite në skenë dhe dimë gjithçka për njëri-tjetrin, si të kënaqemi me barsoleta, e kështu.
Express: A ka ndodhur ndonjëherë që ju t’ia ndryshoni kahen këngës, kur publiku ka qenë i mërzitur?
Sabriu: Po ka raste kur kam filluar me ndonjë baladë duke menduar që e kënaqa, por kur e kam pa që publiku kanë filluar dalëngadalë me dalë, me e ndezë një cigare jashtë sallës jam kthy nga orkestra dhe e kam bo diçka ritmike dhe mandej tërë salla janë disponuar. Njerëzit kanë dëshirë të argëtohen, njerëzit kur e dëgjojnë muzikën në koncert kanë dëshirë të argëtohen, kurse baladat janë për televizione. Në koncert balada nuk funksionon, për shkak se po flasim për diasporën dhe ata janë mjaft të mërzitur dhe kur këndon atë e kaplon edhe një merzi. Pse? Ai dëshiron të këndon diçka për dashurinë për jetën.
Express: Deri kur do të këndoni?
Sabriu: Nuk e di. Sa të me lejojë i madhi Zot, por më së shumti sa të me dëgjojnë publiku. A e di si është? Mos me pas publikë, nëse nuk me donë mua publiku nuk me merr askush për të kënduar as për sytë e zi që i kam as pse këndojë që disa vite. Për atë i falënderohem publikut, atyre për të cilët mundohem ta lë shpirtin nëpërmes interpretimit të këngëve. Pra, publikut që ata po me mbajnë mua dhe organizatorët po me thërrasin. Unë do të këndojë derisa me duan dhe atë ditë kur nuk me duan ose atë ditë kur i madhi Zot do të më dërgojë një sëmundje atëherë do ta lë.
Express: Ka thashetheme se keni filluar që të shurdhoheni. A është e vërtetë?
Sabriu: Po, me veshin e majtë dëgjoj katastrofë. Që një vit, shumë pak edhe në biseda duhet të koncentrohem që të dëgjojë mirë. Sepse 47 vjet kam qëndruar afër autopralantëve dhe me janë shurdhuar. Të marrësh me mend që para 47 viteve teknika në Kosovë për të kënduar, fonia, ka qenë katastrofale dhe gjithmonë më shumë zhurmë. Veshë janë këta. Kështu timpani, doktor Arben Qosja, me ka thënë se toni i bas binës së veshit të majtë me është shurdhuar. Shyqyr zot tani janë kufjet dhe kur hy në studio për të incizuar i vë ato dhe e dëgjojë vetën përndryshe kështu duhet të me flasin më me zë të lartë sepse po dëgjoj më pak me veshin e majtë.
Express: Por, prapë se prapë ju po gjeni energji për të bërë këngë të reja. Realizoni për çdo vit nga 18 këngë. Nga ju vinë tërë këto energji?
Sabriu: Po, për këtë e falënderojë shumë, nga shpirti produksionin tim Emra Com dhe producentin tim z. Emrush Thaçi. Çdo këngë ai e paguan. Çdo orkestrim, çdo tekstshkrues, çdo videoklip dhe unë nuk marrë asnjë gjë nga kjo. Unë marrë vetëm jashtë kur dal për të kënduar. Ai përkujdeset. Që dy vite ai mi sjell këngët dhe me thotë e kam porositur një këngë të Virusi ose të Adrian Hila apo dikush tjetër dhe me thotë ta marrë dhe këtë duhet ta këndosh, sepse e kam porositur për shpirt tëndin. Pra, unë e bëj një album dhe tetë këngë të tjera brenda një viti. Shumë janë këto, por pse e bëj këtë, sepse për të dashur njerëzit për të dëgjuar duhet të punosh. Nëse nuk ecë me kohën koha të shkelë, nëse një vit e gjysmë, dy nuk e editon një këngë harroje që do të kthehesh furishëm në publik.
Express: Për fund të kthehemi edhe njëherë tek jeta private, kryesisht bashkëshortore. Që sa vite je i bashkuar me Nerën?
Sabriu: Me Nerën jam i martuar që 27 vite me të cilën e kam Bulzën dhe Ermalin. E kam edhe një martesë të parë me të cilën kam dy fëmijë: Armendin dhe Adelinën të cilët jetojnë në Londër. Armendi dhe Adelina kanë nga tre fëmijë, kurse Ermali ka tre kurse Bulza një pra 10. Por, fëmijët e mijë, të katërtit janë të lidhur shpirtërisht, si mishi me thu. Meritore për këtë është vetëm Nera. Ajo mi ka mbajtur si një nënë e mirë, si një grua e mirë që e ruan bashkëshortësinë e vet, e ruan respektin tim dhe dashurinë time që kam për të. Ajo e ka madhëruar vetën me kujdesin e saj për Armendin dhe Adelinën. Me besoni se sa kanë qenë të vegjël, Bulza dhe Ermali ajo 100 për qind është kujdesur edhe për Armendin dhe Adelinën. Për këtë këta sot frymojnë si një, si me qenë të një nëne dhe të një babai. Po t’i pyesësh ata, ata do të thënë se po “të ekzistonte çmimi Nobel për njerëzimin, për njeriun, ja japim Nerës, për kulturën, për respektin, etj. Kjo shihet kur Armendi vjen në Kosovë ku ne kënaqemi. Sivjet ka qëndruar më shumë dhe jemi kënaqur së bashku, por Adelina vjen çdo të dytin vit por ndonjëherë ajo shkon për pushime ndokund pastaj shkaku i punës por që kur vjen është festë e vërtetë sepse mblidhemi të gjithë, Ermali me Arianën, Armendi me Milin, Adelina me Visarin dhe Bulza me Vetonin dhe s’bashku kënaqemi deri në mëngjes.
Express: Si do ta përfundosh këtë intervistë?
Sabriu: Do të kisha dëshirë që të merrja këshilla nga njerëzit, sepse unë jam punëtor dhe dëshirojë që t’ja plotësojë atyre këshillat e që janë më sovranët në jetën time publike. Le t’me thonë ata çfarë të duan unë bëj ashtu si thuan. Vetëm do i kisha falënderuar për vite të tëra, pra që 47 vjet, që asnjëherë nuk e munguan dashurinë ndaj këngës sime dhe ndaj meje të cilën mundohem tre-fish t’ua kthejë nëpërmes interpretimit dhe shpirtit tim ky që jam. Por, do të dëshiroja një urim për këtë Vit të Ri, që do të vije 2014 , që të kenë shëndet paqe dhe t’ju prijë e mbara familjarisht dhe t’i përmbushin synimet e tyre në jetë me një këngë që tani për tani është shumë duke u dëgjuar dhe mban titullin “Goditje në zemër”.