Sa shpenzojnë partitë politike për fushatën zgjedhore

Partitë politike konsiderojnë se po bëjnë fushatë solide e nuk po shpenzojnë shumë para për zgjedhjet e 3 nëntorit. LDK -ja del se do t’i shpenzojë 500 mijë euro, “Vetëvendosje”, 252 mijë dhe AKR-ja 120 mijë. PDK-ja dhe AAK-ja thonë se do të deklarohen në fund, por nuk do të tejkalojnë shumat e përcaktuara me ligj.
Valon Tolaj nga AAK-ja i ka thënë Kohavisionit se do të ishte spekulative nëse tani do të deklarohej për shumën, sepse mund të dalin shpenzime të paplanifikuara gjatë fushatës. Por, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të bërë fushatë. Ka nisur tash e një kohë të kërkojë para nga qytetarët.
Deri tashti thonë se kanë mbledhur afro 45 mijë euro, e deri në fund synojnë t’i mbledhin 252 mijë, sa thonë se do t’i shpenzojnë për fushatë.
Por, kjo parti që e konsideron qytetarin e Kosovës si të varfër, thotë se më mirë është të kërkojë në mënyrë të hapur para sesa t’i marrë ato në mënyrë të paligjshme, siç konsideron se po bëjnë partitë e tjera, transmeton KTV.
KQZ-ja ka nxjerrë gjatë verës një vendim, me të cilin kufizon shpenzimet për fushatë, duke specifikuar se subjekti politik mund të shpenzojë 0.5 euro për votues të regjistruar.
Nëse kjo llogaritet me numrin e votuesve, 1 milion e 769 mijë e 320, del se nëse një parti politike kandidon në të gjitha komunat, mund maksimum të shpenzojë 884 mijë e 660 euro.
Megjithëkëtë, bazuar nga zgjedhjet e kaluara partitë politike nuk është se i deklarojnë saktësisht shpenzimet dhe prejardhjen e donacioneve. Por për fushatë partitë shpenzojnë edhe para publike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ndanë atyre të gjithave 0.05 për qind të buxhetit të Kosovës, që i bie afro 800 mijë euro. 10 për qind e kësaj shume ndahet për partitë e sapoformuara. /koha/