UBT

Ruzhdie: Ne shikonim në drejtim të gabuar

/ 6 minuta lexim

Para pak kohësh Salman Rushdie botoi librin e tij të kujtimeve në qendër të të cilit janë vitet e jetës së tij të kaluara nën hijen e Fatwa’s(dënimit me vdekje) të Khomeiny-t (Homeinit). Ramon Schack e intevistoi shkrimtarin për të marrë pikëpamjet e tij mbi raportet e sotshme mes Perëndimit dhe botës islame.

Salman Rushdie, a do të kishit mundur të besonit si student i Cambridge-t i viteve të 1960-a se do ta përjetonit fundamentalizmin religjioz?

Jo, me siguri jo. Shokët e mi dhe unë atëherë ishim të preokupuar me atë se si ta kthenim me kokë poshtë shoqërinë perëndimore. Religjionin e konsideronim të tejkaluar, joekzistent, asesi si forcë politike. Po të kishte menduar dikush në atë kohë të kundërtën, do të ishte dashur të dyshonte në logjikën e tij. Gjenerata ime shikonte atëherë në një drejtim të gabuar.

Të ashtuquajturit gjashtëdhjetetetëshit – do me thënë gjenerata Juaj- kanë sot në duar levat e pushtetit. A jeni i mendimit se sot në aspektin e raporteve politike me botën islame jeni duke shikuar në drejtimin e duhur?

Në pyetjen e Juaj nuk mund të përgjigjesh aq thjesht. Unë mendoj se është e rëndësishme që ne vazhdojmë të jemi të bindur në vlerat tona. Ne jetojmë në një epokë kur parimet bazë të një shoqërie të hapur janë rrezikuar. E drejta e shprehjes së mendimit të lirë nuk guxon të vehet në pyetje. Nëse i kufizojmë këto të drejta, atëhëherë punojmë pikërisht në demontimin e vetë shoqërive tona. Sa i përket qëndrimi tonë ndaj botës islame jam mëse skeptik se a është arritur kulminacioni i konfrontimit mes Perëndimit dhe botës islame. Ana tjetër e medaljes së Pranverës Arabe është salafizmi. Në vendet e përfshira nga revolucioni, kjo formë e islamit është në marshim.

Salafizmi është një ideologji e farkëtuar nga vahabizmi saudit tashmë i përhapur në tërë botën. Arabia Saudite është një shtet me të cilin Perëndimi, i prirë nga SHBA-të, kooperon ngusht. Ish-agjenti i CIA-s, Robert Baer, e cilësonte lidhjen e Washingtonit me Riad-in si “Sleeping with the Devil”(“Fjetje me djallin”). A jeni edhe Ju i këtij mendimi?

Absolutisht. Këtë marrëdhënie e konsideroj si një ndër gabimet më të mëdha të politikës së jashtme të Perëndimit. Falë standardit të lartë të arritur me petro-dollarët tanë, sauditët ia kanë arritur të përhapin një verzion shumë fundamentalist të islamit, i cili më parë në botën islame kishte statusin vetëm të një sekti. Përmes kësaj – përmes përhapjes së formës saudite – është ndryshuar në kuptimin negativ e tërë natyra e islamit.

Si i vlerësoni reagimet e tashme të Perëndimit në lidhje me filmin mbi Muhamed-in?

RCCOLA

I ashtuquajturi filmi mbi Muhamed-in është një pleh. Reagimet e Perëndimit nuk ishin të qarta. Një përgjigje e arsyeshme do të kishte qenë: Amerika nuk është përgjegjëse për çdo gjë që ndodh brenda kufijve të saj. Para së gjithash është gabim që ndaj kësaj të reagohet me dhunë dhe me gjakderdhje. Liria e artit vlen gjithsesi edhe për një film pa shije.

Në botën perëndimore, para së gjithash në Evropë, jemi dëshmitarë të ngritjes së islamofobëve, të partive të djathta populliste të përcjellura edhe me suksese spektakulare në zgjedhje. Si e gjykoni këtë fenomen?

Termin “islamofobi” nuk e pranoj, sepse është një term luftarak, i cili ia kufizon të djathtës të drejtën e shprehjes së lirë të mendimit. Këto grupime ia arritën të ngriten pasiqë partitë e etabluara nuk arritën të reagojnë në masë të duhur ndaj ngritjes politike të islamit, sidomos atëherë kur deri tek kjo erdhi edhe përmes migrimit brenda kufijve të tyre. Elita kulturore dhe politike ishte mësuar për një kohë të gjatë ta injoronte ose ta nënçmonte rrezikun, tamam sipas motos ” Nuk guxon të jetë ajo që s’mund të jetë!”. Këtë e kam përjetuar pjesërisht edhe vetë në vitin 1989. Nuk u kritikuan personat, që patën shqiptuar Fatwa-n kundër meje, por libri im “Vargjet satanike”. Çuditërisht këto deklarime erdhën pjesërisht edhe nga personalitete, të cilët për vite të tëra kishin agjituar kundër ndikimit të kishës në vendet e tyre.

Sa u përket këtyre partive të reja, fenomeni është problematik, nëse drejtohet ndaj muslimanëve si njerëz, nëse shprehet si racizëm dhe armiqësi e bazuar në urrejtje ndaj emigrantëve. Me këtë nuk mbrohen vlerat perëndimore. Përkundrazi, kështu luhet pikërisht me kartën e islamistëve.

Në librin e Juaj të kujtimeve të botuar tash edhe gjermanisht “Joseph Anton” rrëfeni për jetën e Juaj nën Fatwa dhe i ndërlidhni përjetimet e Juaja me konfliktet e mëdha të kohës sonë. Në vitin 1998 u dënuat me vdekje nga Ayatollah Khomeiny; në të njëjtin vit ra Muri i Berlin-it dhe me këtë ju dha fund botës bipolare. Në këtë kohë Ju dhe familja e Juaj u desh të jetonit të fshehur nën kërcënimet me vdekje. A nuk ju tingëllonin si shpoti fjalët e atëhershme të filozofit amerikan Francis Fukuyama, i cili fliste për “fundin e historisë” përkatësisht për atë se demokracia dhe ekonomia e tregut po përhapeshin në tërë globin?

Kur i shikoj shkrimet në ditarin tim të asaj kohe më bëhet e qartë se ishin vitet më të errëta të jetës sime. Isha i ulur në një dhomë të errësuar kur në televizor u shfaqën pamje të rrëzimit të Murit të Berlinit. Njerëzit qeshnin, ishin të gëzuar, bota dukej në rritje, derisa unë, për shkak të një aktgjykimi mesjetar me vdekje më duhej të fshihesha. Shumëkush në Perëndim mendonte asokohe si Fukuyama. Por historia nuk ec petjetër vetëm në mënyrë progresive. Derisa në Berlinin Lindor, në Pragë, në Warshau, në Budapest po ndizeshin sërish dritat pas decenieve në errësirë, Teherani, Kabuli, Bejruti – qytete që vetëm disa vite më parë kishin qenë metropole kozmopolite – po zhyteshin në erësirë. Perëndimi po merrej shumë me veten në atë kohë. Kishte harruar pjesën tjetër të botës. Këto iluzione u zhbënë më vonë në 11shtatorin e 2001-ës.

A jeni optimist sa i përket të ardhmës së Juaj?

A e dini se nuk është shumë e e thjeshtë të jesh optimist në këto kohë? Personalisht i përmbahem asaj që thotë Antonio Gramsci: Unë jam pesimist i arsyes dhe optimist i vullnetit.