Rugova, një prej figurave më të mëdha të shekullit shqiptar

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Me rastin e ditëlindjes së presidentit historik, Ibrahim Rugovës, kryesia e LDK-së të dielën bëri homazhe tek varri i tij si dhe vizitoi familjen e presidentit të ndjerë Rugova.

Vizitë dhe homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova, bëri dhe presidentja e vendit Atifete Jahjaga, e cila vendosi kurora lulesh pranë varrit të ish-presidentit Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se presidenti Rugova kujtohet si një president i suksesshëm, i cili ka dhënë kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës. Ai po ashtu pohoi se LDK do ta vazhdojë rrugën rugoviane, rrugë kjo e cila sipas tij, është e orientuar në ndërtimin e shtetit me një demokraci dhe liri të mirëfilltë.

“Sot po ia bëjmë nderimin presidentit Rugova për ditëlindjen e tij, sepse është 2 dhjetori. Ne dëshirojmë ta përkujtojmë atë si një prej presidentëve më të suksesshëm, si një prej njerëzve, që ka dhënë kontributin më të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të një figure monumentale të shtetit tonë. Me këtë tregojmë që LDK me çdo kusht do të vazhdojë rrugën rugoviane, rrugën e cila është e orientuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës, mbi baza që i ka vu presidenti Ibrahim Rugova, me një demokraci të mirëfilltë dhe mbi një liri të mirëfilltë për të gjithë qytetarët tanë”, pohoi Mustafa.

Hidromorava

Ndërsa Sabri Hamiti tha se ky kujtim lidhet me Rugovën dhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Hamiti pohoi se në piedestalet e figurave të mëdha kulturore dhe politike të këtij shekulli të shqiptarëve, hyn edhe Rugova.

“Rugova është një prej figurave të mëdha që do të kujtohet në këtë qindvjetësh. Sepse është kreatori i pavarësisë së Kosovës, pa të cilin pavarësia e Shqipërisë e 1912 është gjysmake”, tha ai. /kosovapress/