Rugova: Ndarje të Kosovës -Jo, këmbim territoresh – Po!

Propozimi ynë për protektorat është thjeshtë një mjet politik për të arritur deri te pavarësia. Edhe për këtë ka mirëkuptim, por për këtë duhet të vendos OKB-ja, me ndërmjetësimin e Unionit Evropian, SHBA-ve. Nëse dëshironi të përgjigjem edhe më drejtpërdrejt mund të them se çështja jonë është e hapur, po diskutohen të gjitha aspektet.
Të nderuar lexues të gazetës “Zëri”
Nga sot, portali, www.zeri.info, do nis një rubrikë të re “Arkiv-Histori”, ku për qëllim do të ketë të rikthejë për ju shkrimet të cilat janë botuar në revistën dhe gazetën “Zëri”, për dekada me radhë.
Kjo natyrisht përfshinë edhe periudhën e para luftës, ku revista javore “Zëri” ishte një ndër mediumet dhe zërat më të fuqishëm në Kosovë.
Publikimet do të jenë të rregullta dhe do të përfshijnë Intervista, editoriale, rrëfime dhe lajme nga të gjitha sferat nga disa prej intelektualëve dhe gazetarëve më të mëdhenj që kishte Kosova.
Arkiv- Viti 1994: Intervistë me Presidentin e atëhershëm të Kosovës, tashmë të ndjerin, Dr. Ibrahim Rugova e botuar në “Zërin” javorë të asaj kohe.
Rugova: Ndarje të Kosovës -Jo, këmbim territoresh – Po!
Presidenti i Kosovës, pas turneut diplomatik nëpër qendrat kryesore e evropiane dhe takimeve me Zhipenë, Hogun, Mokun, dhe Andreatën, në intervistën dhënë “Zërit”, flet për reagimet e diplomacive euro-perëndimore në idetë për pavarësi të Kosovës dhe protektorat të OKB-së mbi Kosovën, për shkaqet pse nuk mund të pranohet ndarja e Kosovës dhe pse ekziston ideja për këmbimin e territoreve, për mundësinë e organizimit të bisedave sekrete shqiptaro-serbe.
Zëri: Takimi i juaj me ministrin e jashtëm francez, Zhipe, ishte takimi më i rëndësishëm që patët vitin e kaluar. Për ç’arsye Parisi po tregon një gatishmëri të posaçme karshi problemit të Kosovës ( të mos harrojmë që ambasadori francez, mase, kryeson për Kosovën në kuadër të Konferencës së Gjenevës) dhe a do të thotë kjo që Franca po përgatitet të jetë ndërmjetësuese midis Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e problemit të Kosovës?
Rugova: Franca në përgjithësi po tregon një angazhim më të madh sa i përket zgjidhjes së çështjeve në Ballkan dhe në ish jugosllavi, e ky angazhim kohëve të fundit lidhet edhe me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Mund të them se në Francë ka ndryshuar opinioni intelektual, i cili këtu ka një rol të madh dhe ndikon edhe në qarqet më të larta politike.
Nuk mund të lëmë anash edhe faktin që qeveria e djathtë e zotit Baladyr, e cila u formua pas zgjedhjeve në vitin e kaluar ka një qëndrim më real ndaj çështjes së Kosovës. Më në fund Franca si një nga shtetet më të rëndësishme të unionit evropian dëshiron të jetë prezentë, qoftë si ndërmjetësuese qoftë si shtet që ka ndikim në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Franca është anëtare e përhershme e këshillit të sigurimit të OKB-së dhe bashkë me Gjermaninë përbën bazën e Unionit Evropian.
Në asamblenë ( parlamentin) francez ekziston edhe një grup me emrin Francë-Kosovë qe udhëhiqet nga një deputet, gjë që vërteton interesimet franceze për Kosovën. Të përfundoj Franca mund të jetë ndërmjetësuese, natyrisht në kuadër të një politike të përbashkët të unionit evropian.
Zëri: Në bisedë me Zhipenë, por edhe me Hogun ( sekretarin e shtetit britanik), Mokun ( ministrin e jashtëm austriak) dhe Andreatën ( ministrin e jashtëm italianë), siç shihet edhe nga raportet gazetareske, keni insistuar në Pavarësinë e Kosovës. Si reagohet në qarqet e larta diplomatike në kërkesën tuaj?Si e shohin Zhipe, Hogu, Moku dhe Andreata zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Si vlerësohet propozimi juaj i kompromisit për protektorat të OKB- së mbi Kosovën?
Rugova: Në të gjitha takimet ka mirëkuptim për deklarimin tonë. Sa i përket idesë për pavarësi dhe neutralitet, atyre kjo u duket mjaftë interesante.
Propozimi ynë për protektorat është thjeshtë një mjet politik për të arritur deri te pavarësia. Edhe për këtë ka mirëkuptim, por për këtë duhet të vendos OKB-ja, me ndërmjetësimin e Unionit Evropian, SHBA-ve. Nëse dëshironi të përgjigjem edhe më drejtpërdrejt mund të them se çështja jonë është e hapur, po diskutohen të gjitha aspektet.
Diskutohet për statusin të cilin e ka pasur Kosova në ish Jugosllavi, pastaj për realitetin politik, për të kaluarën historike, për strukturën etnike etj.
Zëri: Një nga kërkesat tuaja me gjasë ka qenë që sanksionet e OKB-së kundër Serbisë të mos abrogohen pa zgjedhjen e çështjes së Kosovës. Çfarë mendimi kanë ministrat Zhipe dhe Hog për këtë çështje?
Rugova: Në lidhje me planin paqësorë gjermano-francez, ne kemi shprehur mendimin tonë që pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk duhet të abrogohen sanksionet.
Francezët dhe gjermanët pajtohen se Kosova është një nga çështjet kyçe por siç po shihet plani Zhipe-Kinkel, sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë sukses sepse atë nuk po e përkrahin Anglia, SHBA-të dhe disa vende të tjera evropiane.
Zëri: Disa ditë pas takimit me ju në Londër, sekretari Britanik Hog në Shkup deklaroi se nuk është kontestues integriteti territorial i Serbisë dhe se Kosova duhet të fitoj një lloj autonomie. Madje, nëse kihet parasysh edhe një deklaratë e mëhershme e Ouenit, nuk mund të parashihet autonomia e plotë ( maksimale) për Kosovën sepse, kur dihet struktura etnike e Kosovës, në atë mënyrë do të përgatitej shkëputja e Kosovës?
Rugova: Deklarata e Hogut mund të jetë një deklaratë Ad-hok. Hogu e di shumë mirë problemin e Kosovës. Sa i përket Ouenit, ne i kemi thënë që nuk mund të bëhen paralelizma midis Kninit dhe Kosovës. Në përgjithësi, këto deklarata nuk duhet të merren si shumë tragjike. Megjithatë, me Ouenin, isha pajtuar që struktura etnike e Kosovës kërkon një status të posaçëm për Kosovë.
Zëri: Nëse lëmë anash projektet për autonomi të Kninit dhe Kosovës ( me të cilat nuk është i kënaqur askush), nuk janë të rralla edhe idetë për ndarjen e krahinës midis serbëve dhe kroatëve (përmendet që edhe vet Oueni përkrahë këtë ide) dhe të Kosovës midis serbëve dhe shqipëtarëve. Dihet se edhe ish presidenti jugosllav, Qosiq ishte ithtarë i kësaj ideje. Ç’mendoni ju për këtë ide?
Rugova: Ideja për ndarjen e Kosovës ka dalë para dy vitesh prej opozitës serbe. Zyrtarisht, ky koncepcion është paraqitur nga presidenti jugosllav, Qosiq.
Unë mendoj se ndarja e Kosovës, është e pamundshme, sepse jashtë pjesës shqiptare do të mbeteshin afro 1 milion shqiptar.
Qëllimi kryesorë i kësaj ideje është që të detronizohet ideja për pavarësi të Kosovës apo për diçka tjetër. Edhe në konferencën paqësore të Versajës (1919) kq qenë prezentë kjo ide, që pastaj e tërë Kosova të mbetet nën Serbi.
Prapa propozimeve serbe qëndron interesimi bazik për resurset natyrore ndërsa kur është fjala për kanastiret dhe trashëgimin kulturore, ne garantojmë që atë do të ruhen nga ne. Më në fund edhe Izraeli kohëve të fundit po dëshmon se ” e drejta historike”, gjithnjë e më pak po merret si argument politik.
Zëri: E përmendët interesimin serb për resurset natyrore. A mund të ndodh që Serbia të bëjë ( pazar) me këto resurse duke i ofruar Anglis sërish monoplin mbi “Trepçën”, nëse ajo përkrahë idenë e Beogradit për ndarjen e Kosovës ?
Rugova: Edhe ne mund të bëjmë kësi lloj “pazari”. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën.
Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstitutive e Federatës më të madhe jugosllave. Megjithatë, po e përsërisë është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që për Leposaviqin dhe disa territore në Veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbin jugore të banuara me shumicën shqiptare. /Zëri/