Rudaku: Për humbjen e VV në Gjilan duhet të kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie

Gjilan – Duke folur për zhvillimet aktuale brenda Lëvizjes VV!, sidomos pas zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe balotazhit të 1 dhjetorit, Avni Rudaku tha për rajonipress se Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VV! në Prishtinë ka vendosur që të gjitha qendrat komunale të shkojnë në ristrukturim. Mirëpo, pavarësisht kësaj, proceset do të na dërgojnë në ndryshime të domosdoshme, në qasje, në sjelljen e figurave të reja dhe mënyrën e ristrukturimit thotë ai.
Avni Rudaku është i vetmi që deri tani ka guxuar të shpreh publikisht opinion e tij rreth humbjes së thellë të VV në Gjilan.
Rudaku madje i ka bërë edhe një analizë humbjes në Gjilan ku edhe jep qëndrimet e tij mbi rezultatin jo të kënaqshëm raporton rajonipress.
Pas humbjeve nëpër komuna tani qendrat e VV pritet të shkojnë në ristrukturim. Rudaku tha se tash do të krijohet një ekip pune deri në zgjedhjet e brendshme dhe do të përcaktohen objektivat. “Mirëpo, pavarësisht kësaj, proceset do të na dërgojnë në ndryshime të domosdoshme, në qasje, në sjelljen e figurave të reja dhe mënyrën e ristrukturimit. Humbja po ashtu do të kërkojë edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie. Na duhet një ritëm tjetër dinamik i punës dhe një reflektim edhe më i thellë mbi rezultatin jo të kënaqshëm. Duhet të përgatitemi fort për zgjedhjet parlamentare, ndonëse Lëvizja pati qenë më e përgatitur atëherë për ato parlamentare sesa për këto lokale sa i përket figurave” – ka thënë nënkryetari i dytë i Qendrës së LV-së në Gjilan, Rudaku, i cili thotë se tashmë nuk do të jetë në këtë funksion politik, pasi që të gjitha qendrat janë në ristrukturim e sipër.
Duke folur për arsyet e suksesit të dobët të Lëvizjes VV në Gjilan, Rudaku përmend dhjetëra arsye: “Shënuam rënie për shumë shkaqe: rënie universale në nivel të krejt komunave me përjashtim të Prishtinës dhe kjo bëri që rasti ynë të mos shihet vetëm partikularisht, por në nivel të Lëvizjes, ngjarjet e fundit në Prishtinë, e sidomos “rasti me ambasadoren amerikane” dhe “mikrofonin në parlament”, ndonëse u tha edhe nga të tjerët që protestuesit nuk e lënduan, por edhe po të protestonim për një kauzë shumë të drejtë, pasojat e së cilës marrëveshje do t’i bartin gjenerata të ardhshme, mirëpo, këto ngjarje nxitën druajtje tek opinioni publik gjilanas, duke mos shpresuar që “të jashtit do t’i lënë të fitojnë këta të VV-s” dhe për shkak të kujtesës së afërt të ndihmesës së Perëndimit në luftën e fundit, zgjedhjet parlamentare dhe lokale dallojnë në mes vete, përvojë jo e gjatë në zgjedhjet lokale, garë e vështirë me forca politike që kanë traditë, buxhet dhe struktura të moçme organizative, hakmarrje e vitit 2010, ku asnjëri prej kandidatëve të Gjilanit atëbotë nuk mori vota për të shkuar në Parlament, mospranim i kandidatit tonë për kryetar, duke e cilësuar si njeri të drejtë, por politikan që ishte dikur pjesë e PDK-së, e një subjekti që po e ndëshkonin në këtë kohë gjilanasit dhe po thonin se “kryetari juaj nuk lëshon pe kollajshëm”, mungesa e asambleistëve tanë nga bota e ndërmarrësisë, parasë dhe fuqisë politike e sociale, dështimi i shtabit të përgjithshëm për mobilizim dhe organizim më të duhur elektoral, pamundësia për t’i bërë për vete grupet sportive, pakicat e tjera etnike, fetarët, atë që e arriti Luta me premtime që i keni dëgjuar edhe vetë, mungesa totale e marketingut për kandidatët, shumë pak para për krejt fushatën elektorale në Gjilan, sa thuajse një buxhet personal i një asambleisti të partive të mëdha, puna jo e mirë në terren për shkak të parave shumë të kufizuara, ndërsa te ne, terreni më i fortë ku bëhet politika është edhe “terreni i makiatove dhe drekave”, pa premtime klienteliste, pa ato premtime konkrete e të drejtpërdrejta, ndërsa qytetarët sot duan t’i thërrasim në fatin e tyre individual (punësim, asfalt etj.), mendimi se nuk kemi kuadro të mjaftueshme, ndonëse ne cekëm se nuk është e rëndësishme të jenë vetëm kuadrot tona, por mjafton që të jenë në Gjilan dhe pavarësisht partisë, profesionistët do t’i afrojmë, perceptimi se tubimet tona nuk i kishim të mëdha dhe kjo bëri të mendojnë disa qytetarë se vetëm LDK-ja mund ta sfidojë PDK-në. Kishte një dëshirë dhe vullnet masiv që “veç le të hiqet Qemajli dhe të bie PDK-ja” – numëron disa nga arsyet e humbjes Rudaku.
Rudaku ka përgjigje edhe për fitoren e Lutfi Hazirit. “LDK-ja pati trend pozitiv në krejt komunat me përjashtim të kryeqytetit, prandaj edhe Luta u gjind në këtë karvan dhe mobilizoi bindshëm elektoratin e fjetur të LDK-së. Gjilani u ndje se u anashkalua nga Qeveria dhe Lutën e votuan edhe nga ‘kompleksi i lokalizmit’, duke e gjetur një figurë që konsiderohej i fuqishëm në qendër për përfaqësim të kësaj ane, si deputet dhe si politikan në kuadër të subjektit të tij. Gjilani u bë bashkë për ta ndëshkuar qeverisjen e PDK-së dhe mosmbajtjen e premtimeve të kryeministrit, i cili tallej me komunën tonë” – shton Rudaku.
Rudaku tha se e njohin mirë punën e Lutfi Hazirit.”E njohin nga puna, angazhimet dhe postet e deritashme që ka pasur Haziri, i cili e pati mundësinë të tregohej në qeverisje sepse pati shumë poste publike për kohë të gjatë, por nuk la ndonjë gjurmë të rëndësishme. “Madje, i mbeti një njollë e rëndë me projektin e decentralizimit dhe hyri në histori për këtë projekt që dëmtoi Gjilanin, ndonëse kjo nga shumë subjekte politike shihej atëbotë si ‘kompromis i dhimbshëm për pavarësinë’, por bartësi dhe barra kryesore i mbeti Hazirit. Nuk pres ndonjë gjë të re nga ai, ndonëse kam respekt për 25 mijë votuesit e balotazhit, të cilët ia dhanë besimin atij. Vetë fakti që u cilësua ky proces zgjedhor si i drejtë dhe demokratik, ne respektojmë vullnetin e sovranit. Prandaj, tash Lëvizja VV! me 4 asambleistët e saj, shpresoj të jetë opozitë e vërtetë, atë që nuk e bëri sa duhej LDK-ja, sa ishte si opozitë në Kuvendin komunal në mandatin e kaluar” – shpjegon Rudaku.
Por Rudakut i pëlqeu një gjest i fundit i Hazirit. “Veprimi i heqjes së pengesave në objektin e gjykatës ishte veprim i jashtëzakonshëm dhe bash më pëlqeu, sepse me një gjest shumë të vogël, qytetit iu shtua frymëmarrja. Po ashtu, mosshpenzimi në stolisjen për vit të ri në këtë varfëri, edhe këtë e konsideroj të rëndësishme dhe pozitive”.
Megjithatë e kritikon Hazirin edhe për vonesat rreth konstituimit të organeve drejtuese. “Që në fillim të mandatit, duket se po vonohet në konstituimin e drejtorive komunale, ka disa ngërçe, vendimin për muze akoma nuk e qartësoi sa duhet për braktisjen e objektit të LDK-së dhe të vetë objektit komunal, si dhe u mor pak sa gjatë me mikpritje celebruese, ndërsa problemet në komunë janë shumë të mëdha në të gjitha fushat. Atë e presin shumë projekte të pakryera të përfundojnë, premtime të shumta që u ka bërë për punësim shumë ndihmuesve në fushatën elektorale dhe vështirësi të mëdha për të realizuar pritjet e qytetarëve për ndryshim. Mirëpo, pasi që është praktikë e dobishme që të pritet 100-ditëshi i qeverisjes, do të rezervohemi për kritikë dhe pastaj nuk besojmë që do ta lëmë rehat as edhe Hazirin. Madje, krejt keqqeverisjen e ish kryetarit Mustafa, ia kemi rrëfyer mjaft shumë ne qytetarit përmes aksioneve, konferencave, protestave dhe shkresave, por kur luftojnë dy persona, fiton i treti dhe zakonisht i treti fiton pa mund të lartë dhe që bëhet aktiv vetëm pak muaj para fushatës” përfundon buzagaz Rudaku./rajonipress/