Rudaku: Mandati i fundit , përfundimisht

Gjilan – Të gjithë ju të pranishëm, ndonëse të shqetësuar me këto pamje të keqdrejtimit komunal nga ekspozita me fotografi dhe dokumente, kjo ishte fytyra e vërtetë e qeverisjes për dy mandate, me prezantimin e shumë pak materialeve tona në mesin e shumë fotove dhe dokumenteve të tjera, të cilat janë të hapura për ju dhe i posedojmë në zyrat tona. Mirëpo, mos u merakosni deri në pafundësi! Mund ta mbani shpresën dhe të shtoni angazhimet, se ky vit është mandati i fundit, përfundimisht ka thënë Avni Rudaku nënkryetar i VV në Gjilan.
VV në Gjilan të mërkurën ka hapur një ekspozitë me fotografi të shumta për t`i përkujtuar siç thanë ata qytetarët me keqqeverisjen e pushtetit komunal.
Albin Kurti ka thënë se e vërteta për këtë pushtet nuk është brenda objekteve të komunës, por është jashtë, në këtë ekspozitë, ku pasqyrohet mungesa e vullnetit për zhvillim të Gjilanit nga kjo qeverisje, keqmaenaxhimi dhe korrupsioni i saj, por se data 3 nëntor është rast i mirë për ta ndalur këtë.
Kurti i ka ftuar të gjithë qytetarët gjilanas të bëhen bashkë sepse VV ka njerëz, si në listën për këshilltarë si kandidatin për kryetar, për të ofruar alternativën e saj për një qeverisje të mirë për Gjilanin.”Kjo ekspozitë është një e vërtetë e hidhur andaj duhet bërë bashkë me VV për të qenë kjo vetëm një ëndërr e keqe që do t`i mbetet të kaluarës”, ka thënë Kurti.
Kurse, Ismajl Kurteshi tha se kjo ekspozitë pasqyron keqqeverisjen, nepotizmin, korrupsionin, privatizimin e keq dhe të këqijat tjera të këtij pushteti që duhet ndërprerë.
Avni Rudaku duke folur para aktivistëve të VV dhe për ekspozitën tha se fotografia e kap çastin dhe lidh kohët. Fotografia bëhet mbytëse e harresës dhe kujdestare e kujtesës. Gjykimet dhe kritikat tona bazohen në vrojtimet e vazhdueshme nëpër kohë dhe hapësirë, duke ardhur në përfundime të mbështetura në fakte dhe reprezantim të realitetit qeverisës lokal, në mënyrën më besnike.
Secili prej nesh, sot ka rastin të kthehet në retrospektivë të qeverisjes lokale në Gjilan dhe të shkarkojë të gjitha qëndrimet e tij finale sa i përket qeverisjes së deritashme. Të gjitha veprat të cilat i kanë shkruar drejtuesit e dy mandateve në Gjilan, i kemi paraqitur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa ndërhyrje dhe pa stilizime. Janë realitete që shihen e qortohen nga recipienti e qytetari, por janë me të drejta të plota autoriale nga vetë udhëheqësit e komunës. Ata i kanë bërë, e ne vetëm i kemi shënuar dhe kapur krijimet e tyre të pahijshme. Ata kanë bërë hile, e ne vetëm u kemi kapur momentet e hileve të tyre. Ata i kanë bërë, ndërsa ne vetëm kemi pasqyruar atë që ka ndodhur në hapësirën urbane e rurale. Në këtë ekspozitë shihen edhe ndërhyrjet tona si opozitë për disa vite për të përmirësuar dhe reduktuar nuancat e ngjyrave të shëmtuara, por fuqia jonë ka qenë sa ka mundur në kornizat e rolit opozitar, sepse ekzekutimet e vendimeve dhe projekteve janë finalizuar nga pozita ka thënë Rudaku.
Syri ynë në këtë ekspo-fotografi dhe dokumente, gjen ambient të ndotur, dhjetëra projekte të lëna përgjysmë, skandalin e drunjve (lexo: katër çmime të ndryshme për të njëjtin dru, a) 44 euro, b) 63 euro, c) 74 euro dhe d) 360 euro), pranimin e punimeve të asfaltimit pa mbikëqyrje, vonesat e punimeve pa ndëshkime në afatizimin kohor, obligimet e komunës mbi 3.3 milion euro të pranuara edhe zyrtarisht; akt-gjykimin e dënimit të kryetarit Mustafa me 700 euro gjobë për konflikt interesi dhe shumë hetime të tjera nga gjykata rreth Partneritetit Publiko-Privat, tenderët dhe humbjet e shumë lëndëve në gjykata me palët, nga vetë komuna e Gjilanit.
Në ekspo-fotografitë dhe dokumentet tona, mund të vështroni: 1) pamje të qeverisjes lokale, 2) kërkesa të Lëvizjes VETËVENDOSJE! drejtuar kryetarit të komunës, kryesuesit të Kuvendit Komunal, këshilltarëve/eve komunalë/e dhe drejtorive komunale, 3) përgjigjet e qeverisjes lokale ndaj nesh, si dhe 4) raportimet medietike lokale dhe qendrore rreth qeverisjes në Gjilan.
Kemi vënë edhe raportimet e medieve për qeverisjen lokale, si ndërmjetëse në mes të pozitës, opozitës dhe opinionit të gjerë publik, duke dashur të paraqesim edhe pamjen e qeverisjes lokale nga akterë të tjerë shoqërorë, për të përforcuar edhe më tej bindjet dhe qëndrimet tona të vërteta rreth asaj se si e shohim ne qeverisjen, për të mos mbetur pamja vetëm nga këndi jonë. Ndonëse e pranojmë, pamja jonë është pamje identike e perceptimit edhe nga mediet lokale e qendrore për keqqeverisjen në Gjilan.
Raporti në mes të kërkesave tona dhe përgjigjeve mbetet raport asimetrik, ku kemi dërguar dhjetëra kërkesa, ndërsa kemi marrë përgjigje vetëm të pesëmbëdhjetë përqind të kërkesave tona. Edhe ky tog përgjigjesh të tyre, në numër minimal, kanë qenë përgjigje gjysmake, jo të drejtpërdrejta dhe kanë ikur nga transparenca, duke na servuar gjëra jashtë kontekstit dhe duke personalizuar çështjet me kryetarin Ismajl Kurteshi.
Kjo ekspo-fotografi dhe dokumente tregon dëshmi të gjalla përmes imazhit, se si ka qeverisur PDK-ja me koalicionin për dy mandate. Qeverisja e tillë me këto ligjësi joestetike, askund në botë nuk merr pëlqimin e recipientëve. Prandaj, kjo ekspozitë që pasqyron artin vizuel në korniza të hiper-realizmit aestetik vetëm mbetet gjurmë e kohës dhe hapësirës lokale. Dhe kjo gjurmë nuk është shenjë në kohë për të mbarë, por është njollë turpi. Kjo njollë turpi po ashtu në esencën e vet asfikson një tërësi (keq)veprimesh, vendimesh dhe botëkuptimesh të drejtuesve lokalë të komunës së Gjilanit. Njolla si e tillë nuk është diçka abstrakte apo ekspresioniste, as nuk është e bërë si qëllim më vete, por si pasojë e shfaqjes së vërtetësisë së veprimeve për dy mandate të ndërmarrjes qeverisëse lokale. Vërtetësia këtu merr kuptimin e daljes jashtë dhe të përhapjes së gjallesave, siç e merr kuptimin e saj Hajdegeri te grekët e vjetër, pasi që kishte thënë se vepra apo puna artistike nxjerr në pah dhe shfaq hapur të vërtetën, të cilën ai e përmend si “ndodhi e të vërtetës”.
Përmes fotografisë dhe dokumentit, ne nxjerrim të vërtetën e karakterit të qeverisjes lokale në Gjilan dhe kjo jashtësi rezulton të jetë e kobshme, sfilitëse, dëbuese dhe që të stepë jo nga habia, por nga trishtimi dhe zemërimi i skajshëm. Kjo ekspozitë nuk e kënaqë syrin e askujt, por vetëm lartëson veprimet tona që i kemi bërë si opozitë përgjatë tërë këtyre viteve jashtë Kuvendit Komunal, duke shprehur ekzistencën tonë dhe qitjen në pah të vërtetësisë së qeverisjes lokale, përmes shumë aksioneve, protestave, konferencave për shtyp, reagimeve e kundër-reagimeve, zbulimeve të kontratave të paligjshme e të dëmshme për komunën dhe gjithmonë të lidhur me qytetarin.
Të gjithë ju të pranishëm, ndonëse të shqetësuar me këto pamje të keqdrejtimit komunal nga ekspozita me fotografi dhe dokumente, kjo ishte fytyra e vërtetë e qeverisjes për dy mandate, me prezantimin e shumë pak materialeve tona në mesin e shumë fotove dhe dokumenteve të tjera, të cilat janë të hapura për ju dhe i posedojmë në zyrat tona. Mirëpo, mos u merakosni deri në pafundësi! Mund ta mbani shpresën dhe të shtoni angazhimet, se ky vit është mandati i fundit, përfundimisht mendon Rudaku./rajonipress/